
Drejtori i Agjencisë së Nxitjes së Zhvillimit të Bujqësisë viziton Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës
Sep 4, 2019
Në zyrat e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës u zhvillua takim pune ndërmjet drejtorit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela, dhe drejtorit të Agjencisë së Nxitjes të Zhvillimit të Bujqësisë, Elgafar Jusufi. Në takim u diskutua në lidhje me obligimet që burojnë nga Ligji mbi Përdorimin e Gjuhëve, sidomos nenit 7, obligime që kanë të bëjnë me tabelat, vulat dhe emërtimet e institucioneve. Agjencia për Zbatimin e Gjuhës u përgjigj në formë adekuate në lidhje me pyetjet e parashtruara si dhe shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ndërmjet të dyja institucioneve. Njëherësh, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës u bën thirrje të gjitha institucioneve të tjera që, në qoftë se kanë dilema gjuhësore në lidhje me zbatimin e Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, t'i drejtohen Agjencisë nëpërmjet njërës nga mënyrat e komunikimit (postë, postë elektronike dhe personalisht). Agjencia mbetet e hapur për bashkëpunim. 3.9.2019 Shkup

Agjencia për Zbatimin e Gjuhës priti në takim përfaqësues nga Forumi ZFD
Sep 4, 2019
Në zyrat e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës u zhvillua takim ndërmjet Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës dhe përfaqësuesve të Forumit ZFD. Në takim përfaqësuesit e Forumit ZFD prezentuan projektet e realizuara nga ata, si dhe projektet të cilat pritet t’i realizojnë. Agjencia për Zbatimin e Gjuhës shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Forumin ZFD në sfera të ndryshme, si projekte për zbatimin e dygjuhësisë, organizime të konferencave, seminareve, shkollave verore etj. 27.8.2019 Shkup

Agjencia për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sot vizitoi Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës
Sep 4, 2019
Zëvendës drejtori i Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Abdylselam Selami, vizitoi Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës. Në takim u diskutua mbi respektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe masat e ndërmarra nga ana e Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Agjencia për Zbatimin e Gjuhës dhe Agjencia për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u dakorduan që bashkpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen për respektimin e Ligjit për Përdorim të Gjuhëve, në RMV. 23.8.2019 Shkup

Agjencia priti përfaqësuesit e Shoqërisë Aksionare për Menaxhimin e Hapësirave Afariste në Pronësi Shtetërore
Aug 22, 2019
Sot, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës priti në zyrat e saj, përfaqësuesit e Shoqërisë Aksionare për Menaxhimin e Hapësirave Afariste në Pronësi Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në takim u diskutua për masat e ndërmarra nga kjo Shoqëri, në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare në RMV. Me këtë rast, Agjencia dhe Shoqëria Aksionare për Menaxhimin e Hapësirave Afariste në Pronësi Shtetërore lidhën bashkëpunim të ngushtë në hapat e mëtutjeshëm për aktivitetet e kësaj shoqërie.

Agjencia për Zbatimin e Gjuhës priti përfaqësuesit e Odës së Përmbaruesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Aug 14, 2019
Më 13 gusht, në zyrat e Agjencisë u zhvillua takim mes përfaqësuesve të Odës së Përmbaruesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës. Me këtë rast, përfaqësuesit e Odës së Përmbaruesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut shprehën gatishmërinë të zbatojnë obligimet të cilat burojnë nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, me ç’rast ata do të shërbejnë si model kryesor i udhëheqjes efektive të përmbarimit të vendimeve në shtet, duke kontribuar në sundimin e ligjit. Meqenëse Agjencia për Zbatimin e Gjuhës ka për obligim ligjor përkrahjen dhe ofrimin e ndihmës për zbatimin e obligimeve që kanë institucionet nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, palët shtjelluan në detale të njëjtin ligj. Agjencia për Zbatimin e Gjuhës qëndron në gatishmëri për t’i dhënë mbështetjen e nevojshme Odës së Përmbaruesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ato, në mënyrë efektive, t’i zbatojnë obligimet e tyre që burojnë nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha procedurat për të cilat Oda e Përmbaruesve është kompetente. Shkup, 13.8.2019

Agjencia pranoi hulumtimin mbi përdorimin e gjuhëve në RMV, nga profesoresha Trajkoska
Jul 26, 2019
Agjencia për Zbatimin e Gjuhës sot priti profesoreshën Jasmina Trajkoska. Takimi kishte për qëllim të informojë Agjencinë për hulumtimin e bërë në temën “Vlerësimi i ndikimit të rregullativës për përdorim të gjuhëve në Maqedoni”, i botuar nga Qendra për Demokraci Deliberative “Dialog”, në përgatitje të profesoreshave Jasmina Trajkoska dhe Josipa Rizankoska, në prill të vitit 2018. Agjencia është e hapur edhe më tej për bashkëpunime në interes të përdorimit të gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

(Intervistë në RTM2) Ligji për përdorimin e gjuhëve, Sela: Nuk ka përkthyes e lektorë të mjaftueshëm
Jul 26, 2019
Agjencia për zbatimin e Ligjit për gjuhët, ka shpallur konkursin për punësimin e 13 personave. Por, drejtori i saj, Ylber Sela, për TVM2 thotë se sfida më e madhe mbetet mungesa e kuadrit profesional. Aktualisht vendi nuk ka mjaftueshëm përkthyes e lektorë profesionistë, e sipas tij në këtë drejtim universitetet duhet të japin kontributin e tyre. Përkujton se jo çdo shqipfolës e njeh gjuhën standarde dhe përkthimet u duhen lënë profesionistëve të vërtetë. “Shtrohet pyetja se a kemi ne kapacitete apo aq përkthyes që t’i mbulojmë të gjithë institucionet në Maqedoni. Unë them që jo. Ne kemi në numër, në sasi kemi, por nëse e shohim me kompetencë që ta bëjnë punën ashtu siç duhet, nuk kemi. Kemi nëpër institucione përkthyes të cilët nuk e kanë kryer gjuhën shqipe apo fakultetin e përkthimit, lektorimit e kështu me radhë, mirëpo përkthejnë... Prandaj, kjo mbetet sfidë jo vetëm e Agjencisë, por mbetet sfidë edhe e universiteteve në Maqedoni të cilët ofrojnë programe për përkthyes, për lektorë e kështu me radhë. Po ashtu në ligj nuk është parashikuar edhe çështja e licencimit të lektorëve”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për gjuhë, Ylber Sela. Shqipja në tabela dhe përkthimet në institucione, Sela: Nuk na konsultojnë, prandaj ka edhe gabime Me fillimin e implementimit të dygjuhësisë nëpër institucione, u shfaqën probleme të shumta. Nuk munguan as gabimet drejtshkrimore nëpër tabelat e vendosura nëpër institucione apo rrugë. Fajtor për këtë, sipas Selës, është mos-bashkëpunimi i institucioneve me Agjencinë. Ai u apelon institucioneve që të mos hamenden por të konsultohen me ta, sepse Agjencia u krijua pikërisht për të parandaluar gabimet e tilla. “Ne kemi edhe e-mailin tonë info@apj.gov.mk, mundet të na drejtohen edhe nëpërmjet e-mailit ose direkt, vetëm e vetëm që ne t’u japim ndihmë. Ka institucione që këtë e kanë bërë dhe kur e kanë vendosur tabelën nuk ka pasur asnjë gabim, sepse janë konsultuar me ne. Ka institucione të cilat fare nuk janë konsultuar, ose ia kanë dhënë ndonjë shqiptari aty që nuk është gjuhëtar, ose nuk është profesionist i përkthimit dhe kanë ndodhur gabime, ka munguar një ë, ka pasur ndonjë shkronjë plus dhe ajo ka shkaktuar reagime edhe te qytetarët”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për gjuhë, Ylber Sela. Problem për Agjencinë ende përbën buxheti i ndarë për funksionimin e saj. Paratë kanë qenë të mjaftueshme për fazën e parë të punës, por për dy fazat e tjera nevojiten mjete shtesë. (Belinda Koka – Ademi, TVM2) Intervisten e plotë mund ta ndiqni këtu

Flet drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Sela: Institucionet shtetërore tashmë kanë filluar zbatimin e shqipes
Jul 24, 2019
Shkup, 23 korrik – Respektimi i gjuhës shqipe nga institucionet e vendit duket si një sfidë jashtëzakonisht e madhe në ato institucione që drejtojnë kuadro jo-shqiptarë por edhe tek ato që janë shqiptarë duket se mungon guximi që të ndryshohen gjërat, shkruan Zhurnal.mk Në një bisedë për Agjencinë e lajmeve Zhurnal, Ylber Sela drejtor i Agjencisë për zbatimin e gjuhës shqipe thotë së tashmë institucionet janë të obligueshme respektimin e gjuhës shqipe edhe atë në dy faza. “Nëse e shikojmë ligjin me kujdes, do të shohim se obligimet e institucioneve ndahen në dy faza: në fazën e parë duhet që të ndërrohen tabelat, vulat dhe emërtimet e institucioneve të shkruhen në gjuhën shqipe, ndërsa në fazën e dytë duhet që të bëhet harmonizimi i ligjeve të tjera me dispozitat e Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, që nënkupton edhe komunikimin e institucioneve në dy gjuhë”, sqaron kështu për Zhurnal.mk drejtori Sela. Drejtori Sela sqaron se tashmë institucionet shtetërore po zbatojnë gjuhën shqipe dhe përmbushin detyrimet sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve. “Institucionet shtetërore tashmë kanë filluar me zbatimin e gjuhës shqipe. Një pjesë e mirë e institucioneve kanë filluar që t’i përmbushin detyrimet e tyre nga Ligji mbi Përdorimin e Gjuhëve, megjithatë duhet të theksohet se ende ka një numër të institucioneve që duhet në të ardhmen të veprojnë në bazë të Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve. Në komunikimin e përditshëm të Agjencisë ne përballemi me një numër të madh të parashtresave dhe ankesave nga qytetarë, të cilët na njoftojnë se institucione të caktuara nuk i kanë ndërruar formularët e tyre apo nuk i japin përgjigjet në dy gjuhë, si dhe raste të ngjashme. Për këtë arsye Agjencia i ka kontaktuar këto institucione, me qëllim që nëpërmjet bashkëpunimit të gjejmë zgjidhje dhe t’u dalim ballë kërkesave të qytetarëve”, kështu sqaron Sela për Zhurnal.mk Po a ka ngritur institucioni që drejton ndonjë iniciativë për sanksionim të ndonjë institucioni që nuk ka respektuar gjuhën shqipe, ai sqaron se këtë kompetencë institucioni që drejton nuk e ka pasiqë si rol ka zbatimin e gjuhës dhe jo atë ndërshkues. “Sa i përket iniciativave për sanksionim të një institucioni, këtë kompetencë Agjencia për Zbatimin e Gjuhës nuk e ka, sepse neni 19 i Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, Agjencisë i ka dhënë rolin e organit udhëheqës në procesin e zbatimit të gjuhës, por jo edhe atë ndëshkues. Ndërkaq neni 20 i Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, thekson se për procedurën ndëshkuese, kompetent është Inspektorati, i cili ende pritet të themelohet dhe se puna e inspektoratit më saktësisht do të rregullohet me Ligjin për Inspektoratin e Gjuhës”, vlerëson për fund në lidhje me këtë problematikë për Zhurnal.mk drejtori i Agjencisë për zbatimi e gjuhës Ylber Sela. Shënim. Teksti është i marrë nga Agjencia e Lajmeve Zhurnal.

Intervistë për TV 21: Ankesa të shumta për shtrembërimin e shqipes, Sela: Vonesa e formimit të Inspektoratit shkakton pengesa
Jul 19, 2019
Çdo ditë vijnë ankesa dhe kërkesa nga institucionet dhe qytetarët për shtrembërimin dhe mospërdorimin e drejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Kështu u shpreh drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela. Duke përmendur kompetencat e Agjencisë, Sela tha se edhe pse kanë kaluar 6 muaj që kur ka hyrë ligji në fuqi ende nuk ka ligj për Inspektorat dhe kjo krijon dilema te qytetarët për kompetencat e agjencisë dhe inspektoratit. [embed]https://www.youtube.com/watch?v=nTvwczemxmM[/embed] “Neni 20 e thotë shumë qartë që për monitorimin e zbatimit të plotë dhe të përpiktë të dispozitave të këtij ligji që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhëve, formohet inspektorat për përdormin e gjuhës. Do të ishte e udhës që Inspektorati të krijohet sa më shpejti sepse në bëjmë tani punë të dyfishtë, sepse njerëzit nuk e kanë lexuar ndoshta ligjin dhe kanë dilema dhe drejtohen menjëherë të Agjencia pse nuk është bërë kjo e kështu me radhë dhe ne mandej për t’i mbuluar të gjitha kritikat, dalim dhe bëjmë punë që nuk i kemi në kompetencë tonë”, tha drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela. Sela thotë se ka institucione që nuk shprehin vullnet për zbatimin e ligjit për përdorimit të gjuhëve sepse shfrytëzojnë mungesën e Inspektoratit për inspektim. Ndërsa institucionet ku nuk janë të sigurtë në përkthime t’i drejtohen Agjencisë që t’ju vijë në ndihmë. Po ashtu në vend ka mungesë të kapacitetve se ju drejtohen Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për ndihmë me përkthimet që të mos lejohen gabime të mundshme. “Nga përvoja që kemi pasur deri tani gabimet bëhen nga përkthyes të cilët nuk janë adekuat, pra nuk janë përkthyes të diplomuar. Nga ana tjetër mospërdorimin i gjuhës shqipe si zyrtare ka bërë që njerëzit janë mësuar me atë logjiken me shumë fjalë maqedonase, përkthimi i drejtëpërdrejtë dhe nga ana tjetër ka edhe përkthime që bëhen të qëllimshme të cilët shkaktojnë huti dhe nervozizëm tek qytetarët”, deklaroi Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për përdorimin e ligjit për gjuhët. Ndërsa nga Ministria e Drejtësisë e cila është përgjegjëse për përpilimin e ligjit për Inspektorat shtetëror thonë se ligji është në proces të harmonizimit institucional dhe se propozim-ligji është publikuar në ENER në fillim të muajit qershor të këtij viti. Për të ndjekur intervistën e plotë mund të klikoni këtu: https://www.facebook.com/tv21hd/videos/368365447082698/

Opinion nga Drejtori Ylber Sela: “LARG GJUHËS SHQIPE, LARG TË QENËT SHQIPTAR”
Jul 17, 2019
Çdo kush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të pranuar, kërkuar dhe për të dhënë informata dhe ide në gjuhën e zgjedhur, pa ndërhyrje. Pranimi i lirë i transmetimit tejkufitar, qoftë i drejtpërdrejtë apo nëpërmjet të ritransmetimit apo riemetimit nuk ndalohet në baza të gjuhës. Ushtrimi i kësaj lirie mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tilla, që janë në pajtueshmëri me traktatet ndërkombëtare obliguese të të drejtave të njeriut. Këto të drejta kanë të bëjnë me të drejtën e jetës, e cila mbrohet me ligj dhe lirinë e barazinë ndërmjet njerëzve. Këtë e gjejmë në nenin e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, këtë e gjejmë në librat fetarë, qoftë edhe në librat e shkencës, artit dhe kulturës, që thuhet se të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet e në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi! Si qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoh zhvillimin e këtij shteti multietnik, në çështjet e të drejtave të komuniteteve që i përkasin vendit. Si student i Universitetit të Vjenës njoh të drejtat e njeriut dhe respektimin e të drejtave të tyre, në atë kryeqytet. Studimet e mia të larta janë kryekëput mbi konfliktin në Maqedoni, që opinioni është i njohur për këtë periudhë historike e të dhimbshme, e cila ka lënë gjurmë dhe vazhdon të kujtohet në rast të mosmarrëveshjes mes maqedonasve dhe shqiptarëve, të mosrespektimit të të drejtave dhe ligjeve të miratuara. Pikërisht sot është arritur shumëçka nga faktori politik shqiptar, si mundësia për të qenë i lirë, shqiptari, në këtë shtet, mundësia e çeljes së shkollave shqipe, valëvitja e flamurit në komunat me shumicë shqiptare etj. Këto të drejta çojnë në barazi dhe integritet të shqiptarit, i cili edhe është shtetformues pas konfliktit të vitit 2001. Edhe përskaj kësaj pozite, shqiptari ka “luftuar” edhe më tej për të drejtat e tyre. Dhe pas 17 viteve përpjekje u arrit miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës (që e Flasin së Paku 20 % e Qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut), respektivisht gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare dhe përdorimi i alfabetit të saj në pajtim me ligjin. E thotë vetë Ligji që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase, është edhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj. Këtë nismë e përkrahim të gjithë ne. E këta misionarë shqiptarë, të miratimit të Ligjit, kanë arritur qëllimin e një të drejte të madhe për popullin shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. E dashamirët e kësaj gjuhe të ëmbël, të dëlirë, që lehtëson komunikimin dhe me alfabetin e saj përfundimin e punëve përmes dokumenteve në administratën shtetërore, duhet të vazhdojnë misionin e miratuesve të Ligjit dhe të rilindasve, të të parëve tanë. Prandaj, për realizimin e qëllimeve të këtij ligji, për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e barabartë të gjuhës zyrtare shqipe u themelua Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, si përgjegjëse për standardizimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe dhe ndihmesë për mbështetjen e institucioneve në shtetin tonë, për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Roli i Agjencisë tashmë është bërë i njohur për opinionin e gjërë, përmes mediave, Kuvendit dhe leximeve legjislative. Edhe pse është kohë e shkurtër miratimi i saj, njëkohësisht vonohet zbatimi i këtij ligji. Prandaj, besoj dhe them se respektimi i dispozitave të këtij ligji ndihmon funksionimin më mirë të shtetit dhe sjell harmoni dhe barazi mes etniteteve. Njëkohësisht, roli i zbatimit të ligjit, ndikon në forcimin e shtetit të së drejtës. Respektimi i drejtë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pra gjuhës shqipe duhet të flasë në të njëjtën gjuhë, me atë maqedonase (apo evropiane) pasi integrimi aktual i RMV-së kalon vetëm përmes së drejtës, ligjeve dhe përafrimit të tyre me të drejtën evropiane. Prof. dr. Ylber Sela
Njoftime
Shiko të gjithaBuletin
Shiko të gjithaFurnizime Publike
Shiko të gjithaInformacion kontakti
-
rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut -
Phone number
02 312 1731
- Email
info@apj.gov.mk - Email