FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË PROMOVIMIN E LIBRIT “GJUHA SHQIPE PARA DHE PAS MIRATIMIT TË LIGJIT TË PËRDORIMIT TË GJUHËVE TË VITIT 2019”
Të nderuar miq!Duke ju dëshiruar mirëseardhje në aktivitetin tonë, më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë time për daljen në dritë të këtij botimi të veçantë të cilin po e promovojmë sot në mënyrë solemne para jush dhe para gjithë publikut të RMV-së.Pas një pune të gjatë studimore të një grupi autorësh, profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës së drejtësisë, më në fund, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, me ekipet e saj, duke e redaktuar dhe duke e lekturuar, arriti ta nxjerrë në dritë librin “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019”. Siç mund të shihet nga vetë titulli, studimi në fjalë ka të bëjë me historikun e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe që nga konstituimi këtij shteti ku jetojmë e deri më sot kur gjuha shqipe gëzon një status më të përparuar.Në të vërtetë, aty mund të shihet se ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm, përplot vështirësi e sfida, përplot përpjekje e sakrifica nga shqiptarët e kësaj hapësire. Pikërisht kjo ecuri e vazhdueshme historike dhe politike na nxjerr në vitin 2019 kur u miratua Ligji i Përdorimit të Gjuhëve, si një arritje më e avancuar, me të cilin gjuha shqipe arriti nivelin më të lartë të përdorimit zyrtar, rezultat i të cilit është edhe themelimi i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, të cilën e udhëheq unë, si dhe Inspektorati i Përdorimit të Gjuhës, si dy institucione të cilat kujdesen për të ndihmuar dhe për ta zbatuar gjuhën shqipe në institucionet shtetërore.Libri “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019” është pasqyrë e qartë e këtij procesi; është determinim shkencor, juridik, politik dhe shoqëror; është vizion kombëtar dhe qytetar. Duke e njohur këtë periudhë, ne arrijmë ta krijojmë ndërgjegjen tonë kombëtare e qytetare për ta ruajtur dhe për ta zbatuar gjuhën shqipe në pajtim me përcaktimet ligjore.Natyrisht, unë e shoh këtë libër si një doracak të rëndësishëm dhe substancial për të gjithë qytetarët shqiptarë të RMV-së, sidomos për ata që punojnë në institucionet shtetërore, si një frymëzues dhe udhëzues për të bërë përpjekje maksimale dhe për të treguar kujdes ndaj gjuhës shqipe e cila është vulë e identitetit tonë.Në fund, duke ua lënë fjalën recensentëve të këtij libri, dëshiroj të theksoj këtu para jush se ndjej kënaqësi dhe krenari njëkohësisht për faktin se kemi arritur ta sublimojmë çështjen e gjuhës shqipe në një studim të këtillë, për të rikujtuar se ku kemi qenë dikur dhe ku jemi sot, jo për t’u mburrur se cili subjekt politik ka bërë më shumë, por thjesht për ta parë të vërtetën ashtu siç është, në dritën e argumenteve e përkushtimeve.Pa dashur që ta zgjas më tepër, uroj që ky libër ta gjejë rrugën e vet te lexuesit dhe të shërbejë si një reflektim pozitiv.Ju faleminderit![gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="7053,7056,7059,7062,7065"]
Nov 22, 2021