
Sqarim rreth gabimit të bërë në tabelën rrugore të vendosur në Strugë
Oct 12, 2023
Gjatë ditëve të fundit, në Strugë është vendosur një tabelë rrugore me ç’rast emri i fshatit Ladorisht është shkruar “Radolishta”, pra me gabim te versioni shqip.Konsiderojmë se reagimi i qytetarit të Strugës në portalin “Strugalajm” është i drejtë, mirëpo sqarojmë opinionin se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGj) ka redaktuar tabelën dhe ka lënë versionin e saktë, pra “Ladorisht”. Pra, bëhet fjalë për lëshim që është bërë nga ana e prodhuesit të tabelës. Gabimi i njëjtë është bërë edhe me Frëngovën.Gjithashtu, si Agjenci kemi rekomanduar që renditja gjuhësore të jetë maqedonisht, shqip, anglisht dhe jo ashtu siç e praktikon Ministria e Punëve të Brendshme.Kërkojmë dhe shpresojmë që ky gabim të përmirësohet sa më parë dhe që nuk do të përsëritet më.

FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË PËRKTHIMIT
Sep 29, 2023
Sot kemi nderin e veçantë dhe detyrimin institucional që ta shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, ditë kjo të cilën, më 24 maj të vitit 2017, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli si të tillë, duke zgjedhur 30 shtatorin si datë për shënimin e saj.Duke qenë në krye të një institucioni, siç është Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, e cila ka detyrim ligjor që t’i ndihmojë institucionet shtetërore për zbatimin praktik të gjuhës shqipe, e kjo nënkupton edhe përkthimin e tyre nga maqedonishtja në shqip, aq më tepër na takon që të jemi pjesë e një solemniteti të këtillë, ku me disa aktivitete modeste përkujtohet kjo ditë duke folur e debatuar për çështjen e përkthimit nga njëra gjuhë në tjerën dhe anasjelltas.Me këtë rast dëshiroj të theksoj se përkthimi si veprimtari intelektuale dhe kreative është shumë specifik dhe madhor njëkohësisht, për arsye se mundëson komunikim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve brenda Maqedonisë së Veriut.Prandaj, në këtë rast ne kemi privilegjin dhe përgjegjësinë që ta realizojmë këtë deri në nivelet më të larta shtetërore, duke krijuar mundësi dhe forma të komunikimit të shkruar dhe të folur për ata që punojnë në institucionet përkatëse, si dhe, veçanërisht, për qytetarët që u drejtohen atyre për nevojat e tyre.Gjithsesi, këtë mundësi nuk do ta kishim pa Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, i cili u miratua me konsensus të gjerë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kapërcyer shtigje e duke hapur rrugë më të gjera në rrafshin e komunikimit shumëgjuhësh brenda këtij shteti ku jetojmë dhe veprojmë si qytetarë dhe si shtetas të tij.Agjencia e Zbatimit të Gjuhës deri tani ka bërë një punë të lakmueshme në këtë aspekt, duke u përballur me sfida të mëdha për sa i përket përkthimit dhe duke i tejkaluar ato me sukses, pra duke i ndihmuar institucionet shtetërore në përkthimin e shkresave të ndryshme administrative, akteve ligjore, rregulloreve e dokumenteve, formularëve të shumtë për nevojat e qytetarëve etj. Pa dyshim, këtë punë do të vazhdojë ta bëjë edhe më tej duke u ndodhur gjithmonë në krye të detyrave dhe duke i realizuar ato nga kolegët tanë të cilët tashmë janë stërvitur dhe profesionalizuar për këtë punë.Uroj që shënimi i kësaj dite, në radhë të parë, të jetë një thirrje dhe një mesazh për t’i respektuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, pra gjuhët e ndryshme të cilat jetojnë dhe përdoren pranë njëjra-tjetrës, siç janë shqipja dhe maqedonishtja, të cilat patjetër duhet të gjejnë mënyra adekuate dhe të krijojnë harmoni të plotë qytetare. Natyrisht, kjo frymë do të na bëjë më të lirë dhe më demokratikë, që një ditë gjërat të rrjedhin natyrshëm, pa pasur nevojë për përkthim, thjesht duke komunikuar secili në gjuhën e vet dhe duke e kuptuar tjetrin në gjuhën e tij. Kjo nuk është utopi, por vizion qytetar.Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Përkthimit!

Vazhdon bashkëpunimi mes AZGJ-së dhe UT-së
Sep 26, 2023
Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Këshilltarin shtetëror të përkthimit dhe kabinetin, me ftesë të dekanit të Fakultetit të Filologjisë, Prof. dr. Berton Sulejmanit, u takuan me Prorektorin e bashkëpunimit ndërkombëtar, Prof. dr. Salajdin Saliun dhe Prof. dr. Izmit Durmishin.Dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. Berton Sulejmani, me këtë rast e njoftoi drejtorin për akreditimin e programit të ri studimor në UT, Redaktim gjuhësor, në ciklin e dytë të studimeve, një mundësi më shumë kjo, për të gjithë të interesuarit për t’u specializuar në fushën e redaktimit gjuhësor.Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ardian Musliu, shprehu mirënjohjen e tij për punën fisnike që po e bën Universiteti i Tetovës, konkretisht Fakulteti i Filologjisë, duke theksuar se ky program i ri studimor në fushën e Redaktimit gjuhësor, do t’i zbusë mangësitë gjuhësore nëpër institucione, në mungesë të lektorëve të specializuar. Drejtori Musliu shfaqi gatishmëri për të mirëpritur në AZGj, për punë praktike, të gjithë studentët e këtij programi studimor, duke marrë parasysh faktin se AZGj-ja më herët ka nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës.

Gjithashtu AZGj-ja vazhdon punën me përkthyes dhe lektorë nga institucione të administratës publike dhe ministrive, të cilët kërkojnë ndihmë për t’u trajnuar dhe konsultuar.
Jul 21, 2023
Ndërsa një tjetër moment i procesit të punës në AZGj, në këto ditë korriku, janë edhe lekturimet dhe redaktimet gjuhësore urgjente të përkthimeve në gjuhën shqipe të materialeve që vijnë rregullisht nga Kuvendi i RMV-së. Ndërsa shkollat, teatrot dhe institucionet tjera, dërgojnë vazhdimisht në agjenci materiale për përkthime të shkurtra dhe të shpejta.

Në fillim të korrikut, AZGj-ja ia dorëzoi Ministrisë së Bujqësisë të Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave, përkthimin dhe redaktim në gjuhën shqipe të qindra faqeve të Ligjit të Gjuetisë, gjithashtu një material vëllimor, i cili iu nda për përkthim një grupi përkthyesish dhe lëktorësh, për të qenë korrekt me afatin e paracaktuar të dorëzimit të ligjit.
Jul 21, 2023
Ndërkohë janë në përfundim e sipër në përkthim në gjuhën shqipe, dhjetëra formularë të Komisionit Rregullator të Energjetikes – KRRE, të cilat u pranuan gjatë kësaj jave nga AZGj-ja dhe do të dorëzohen po brenda javës.

Edhe pse në ditë të nxehta të zhegut veror, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, e vazhdon punën për t’i dorëzuar në afatet e parapara kohore materialet e pranuara për përkthim dhe redaktim gjuhësor nga institucione të ndryshme shtetërore.
Jul 21, 2023
Edhe pse në ditë të nxehta të zhegut veror, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, e vazhdon punën për t’i dorëzuar në afatet e parapara kohore materialet e pranuara për përkthim dhe redaktim gjuhësor nga institucione të ndryshme shtetërore. Materiali vëllimor, përkthimi i 2000 pyetjeve për udhëheqës administrativë, është në përfundim e sipër. Temat e studimeve të rastit, do t’i dorëzohen Agjencisë së Administratës -MSHIA, në fillim të gushtit.

Ku ka libra, dije ka. Temat që po trajtohen në javën e gjashtë të trajnimit në AZGj, kanë në thelb mjeshtërinë e përkthimit.
May 30, 2023
Java e gjashtë e trajnimit të përkthyesve dhe redaktorëve gjuhësorë të ministrive dhe të administratës publike në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës, filloi sot me leksionet e dy profesorëve të njohur nga Shqipëria, Prof. dr. Xhevat Lloshin dhe Dr. Dorian Koçin.Prof. dr. Xhevat Lloshi, gjuhëtar dhe bashkëpunëtor i vjetër shkencor, si dhe njëri nga hartuesit e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, do të ligjërojë temën “Stilistika”. Dr. Dorian Koçi, studiues dhe njohës i mirë i historisë, do të ligjërojë temën “Përkthimi i teksteve për artet dhe shkencat humane”.Prof. dr. Xhevat Lloshi, në intervistën paraprake tregoi se në leksionin e tij do ta shtjellojë mjeshtërinë e përkthimit, që vjen nga disiplina të tjera shkencore. “Sot nuk komunikohet me fjali, njerëzit komunikojnë me thënie, me tekste, prandaj përkthyesi si specialist, nuk ka kuptim të përkthejë fjali nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, por të përkthejë tekste nga një gjuhë në tekste të një gjuhe tjetër.Dr. Dorian Koçi midis të tjerash tha: “Ne jemi të gatshëm t’ju ofrojmë ndihmën e duhur për gjithçka që kanë nevojë administratorët publikë të institucioneve tuaja”.Në takimin që pati drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, me profesorët e shquar, kërkoi prej tyre, që përtej trajnimeve të planifikuara të vazhdojnë ndihmën profesionale për të mbështetur AZGj-në, në misionin e saj historik të dygjuhësisë në RMV. Profesorët premtuan mbështetjen e tyre të parezervë.Trajnimi i përkthyesve dhe i redaktorëve gjuhësorë në AZGj do të vazhdojë i ndarë në disa grupe për dy ditë me radhë.

Java e pestë e trajnimit në AZGj, trajton temën “Njohja e gjuhës dhe e terminologjisë profesionale, parakusht për përkthimin e specializuar”
May 26, 2023
Profesorët Arta Selmani dhe Izer Maksuti janë ligjëruesit, të cilët në kuadër të trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve nga institucione të ndryshme dhe administratës publike, do të japin këtë javë leksione në auditorët e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së.Prof. dr. Arta Selimi, në lidhje me temën “Përkthimi ligjor (juridik)”, ka vendosur të përfshijë një numër të madh termash profesionale nga disa fusha të jurisprudencës.“Do të vë theksin në disa lëmi terminologjike, nga ato civile, administrative, kushtetuese, familjare, trashëgimore e deri tek ato penale e të tjera. Do të mundohem që brenda një grupi të audiencës të shpjegoj 400 terma juridikë”.Prof. dr. Izer Maksuti auditorit të përkthyesve dhe lektorëve do t’ua shpjegojë temën, “Përkthimi i teksteve të specializuara”.“Veçoritë e teksteve të specializuara nga fusha të ndryshme shkencore, do të jetë fokusi i leksionit tim. Do të ndalem në dy rrafshe, dallueshmëria ndërmjet tyre dhe si të lehtësojmë përkthimin. Përkthim do të thotë kuptim. Është pikërisht njohja e gjuhës profesionale dhe terminologjisë, si parakusht i përkthimit të specializuar”.Kontributi shtesë që jep AZGj-ja për përshpejtimin e procesit të zbatimit të dygjuhësisë në RMV, ju mundëson përkthyesve dhe lektorëve t’i njohin sa më mirë labirintet e gjuhës profesionale, për ta mundësuar zbatimin e saj sa më të qartë në praktikën e përditshmërisë.

QËNDRA EUROPIANE E GJUHËVE MODERNE DHE AZGJ-JA AVANCOJNË BASHKËPUNIMIN
May 23, 2023
“Ndërtimi i edukimit shumëgjuhësh dhe ndërkulturor për demokracitë e shekullit të 21-të”. Është tema e leksioneve që Profesoresha Andrea Jang dha për përkthyesit, lektorët dhe gjuhëtarët e tjerë, të ftuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së. Profesoresha Andrea Jang është ligjëruese në Universitetin e Strasburgut në Fakultetin e Edukimit dhe mësimit gjatë gjithë jetës, ku ka një biografi të pasur në teorinë e gjuhësisë.Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, para se të fillonte aktiviteti, duke i dorëzuar zonjës Jang, një paketë me libra nga botimet studimore të AZGj-së theksoi: “Është nder dhe kënaqësi që pranuat ftesën e Agjencisë për të qenë pjesë e aktivitetit të organizuar në bashkëpunim me Qendrën Europiane të Gjuhëve Moderne në Grac të Republikës së Austrisë. Si një person që vij drejtpërdrejt nga sektori i arsimit dhe përvojës shumëvjeçare me studentët, është kënaqësi e veçantë që në ngjarjen e sotme, të trajtojmë me gjuhëtarët tanë, pikërisht temën e shumëgjuhësisë shumëkulturore në kontekstin e të sotmes”.Koordinatori i projektit, Llazo Matovski, në lidhje me bashkëpunimin e AZGj-së me QEGjM-në, informoi: “Bashkëpunimi filloi një vit më parë, kur pas një thirrjeje publike ndërkombëtare nga qendra në fjalë, një delegacion i AZGj-së e vizitoi këtë institucion, i cili funksionon në kuadër të Këshillit të Europës. Më pas AZGj-ja aplikoi me projektin e saj, projekt që ka si përmbajtje qasjet pluraliste ndaj gjuhëve dhe kulturave”. Leksionet e profesoreshës Andrea Jang, u përqendruan te konceptet, çështjet, si dhe sfidat kryesore, referuar edukimit shumëgjuhësor e ndërkulturor për kulturën demokratike.Në ligjërata përveç gjuhëtarëve të AZGj-së, morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Qendra e Edukimit Profesional, si edhe ligjërues të gjuhës nga institucione të ndryshme arsimore. Agjencia e falënderon Qendrën Europiane të Gjuhëve Moderne për bashkëpunimin e deritanishëm, duke qenë e hapur edhe për projekte të reja në të ardhmen.
Njoftime
Shiko të gjithaBuletin
Shiko të gjithaFurnizime Publike
Shiko të gjithaInformacion kontakti
-
rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut -
Phone number
02 312 1731
- Email
info@apj.gov.mk - Email