Njoftim
Feb 1, 2021

Në kontekstin e diskutimit publik lidhur me përmbajtjen e librave që janë në përdorim të procesit mësimor në të gjitha nivelet e arsimit, dëshirojmë t’ju informojmë se më 21 dhjetor 2020, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, me vetiniciativë ka realizuar një takim pune në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës (MASH) me ministren Milla Carovska. Pas takimit të mbajtur më 11 janar 2021, nga ana e AZGJ-së i është dërguar shkresë me shkrim MASH-it në lidhje me propozimet e diskutuara për bashkëpunim të përbashkët për interesin e tërë shoqërisë, para se gjithash, për bashkëpunim në proceset arsimore që në vete përfshijnë mësimin si në gjuhën shqipe, ashtu edhe atë në gjuhën maqedonase. Përveç ndihmës së ofruar nga ana e drejtorit Ylber Sela për lekturë dhe sipas nevojës, edhe përkthim të të gjithë formularëve, akteve, të cilat janë në përdorim të përditshëm në MASH, dhe që janë të domosdoshme për komunikim ndërmjet palëve dhe kësaj ministrie, AZGJ-ja ka propozuar që të jetë e përfshirë edhe në debatet që i organizon MASH-i dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit në lidhje me librat e të gjitha programeve mësimore ku AZGJ-ja mund të japë kontribut të rëndësishëm me angazhimin e shkencëtarëve nga vendi dhe nga jashtë, sidomos nga fusha e gjuhës shqipe. AZGJ-ja angazhohet për unifikimin e gjuhës standarde shqipe me qëllim të lehtësimit të procesit arsimor që zhvillohet në gjuhën shqipe, por edhe për zhvillimin e pandërprerë të punës së të gjitha institucioneve shtetërore në kuptimin e përdorimit të terminologjisë dhe leksikut të drejtë.