
Takim njoftues me UNOPS-in në RMV
Jul 14, 2021
Në kuadër të aktiviteteve të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ) për të bashkëpunuar me organizata të ndryshme, drejtori i saj, Ylber Sela, i shoqëruar nga ekipi i tij, realizuan një takim njoftues me Zyrën e OKB-së për Shërbime Projekti (UNOPS) në RMV. Me këtë rast, menaxherja e projektit, Sherife Ismaili Kasapi dhe bashkëpunëtori i projektit, Igor Markovski informuan rreth aktiviteteve dhe fushëveprimit të UNOPS-it në RMV. Nga ana tjetër, drejtori Sela, i njoftoi nikoqirët për punën, veprimtarinë dhe detyrimet ligjore që i ka AZGJ-ja, për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Në këtë takim, u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen. Palët u dakorduan që të komunikojnë me njëra-tjetrën për projekte të interesit të përbashkët. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6282"]

Përfundoi trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve
Jul 9, 2021
Pas dy muajsh program të ngjeshur, të mërkurën, 7 korrik, përfundoi trajnimi i lektorëve dhe i përkthyesve të administratës nën organizimin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Në programin dymujor të trajnimeve, morën pjesë 68 përkthyes dhe lektorë nga 31 institucione të ndryshme të administratës, të cilëve në shtator të këtij viti Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve do t’u ndajë certifikata. Ligjëruesit e fundit ishin profesori i njohur nga Shqipëria, dr. Emil Lafe, i cili trajtoi çështjet drejtshkrimore dhe pastërtinë e gjuhës dhe prof. dr. Ajten Hajdari Qamili, e cila pjesëmarrësve u ligjëroi për analizë teksti. “Krijimi i AZGJ-së dhe nisja e mbarë e veprimtarisë së saj përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën kulturoro-shkencore e shoqërore të shqiptarëve në RMV, por edhe për kulturën dhe jetën mendore e shoqërore shqiptare në tërësi. Inteligjencia shqiptare në RMV me mbështetjen edhe të faktorit politik shqiptar, ka shënuar përparime domethënëse, veçanërisht në fushën e studimeve albanologjike, të kulturës, të letërsisë dhe të arteve.”, thotë prof. Emil Lafe, i cili ligjëratën e tij me tri grupet e trajnimit e mbajti onlajn, nga Tirana. Ai konsideron se të gjitha këto çojnë te vlerësimi i gjuhës standarde shqipe, si një mjet dhe faktor i dorës së parë për zhvillimin e mëtejshëm cilësor të jetës shoqërore e kulturore të shqiptarëve në RMV, duke i dhënë asaj një vend gjithnjë e më të spikatur në kulturën tonë kombëtare. “Së bashku me kolegët e tjerë të Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare e kemi mirëpritur ftesën e AZGJ-së për bashkëpunim dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të japim ndihmesën tonë në mbarëvajtjen dhe përmbushjen e programit të saj. Pjesëmarrja jonë në konferencën “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV” (shkurt 2020), na dha mundësi të njohim nga afër detyrat dhe synimet e AZGJ-së, si edhe të vërejmë te punonjësit e saj një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi ndaj detyrës. Ne do të jemi gjithnjë së bashku me ju, sepse detyra juaj është edhe detyra jonë, suksesi juaj është edhe suksesi ynë”, thekson prof. Emil Lafe në vlerësimet e tij për trajnimet dhe aktivitetet që AZGJ-ja ka ndërmarrë deri më tash. Trajnimet e këtilla, siç vë në dukje profesoresha Ajten Hajdari Qamili, kanë qenë ndër misionet kryesore të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe që do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme, varësisht nga nevojat, pasi dihet se ka mungesë të cilësisë dhe mungesë të kuadrit në institucione. “Në bazë të kësaj do të bëhet përforcimi i nivelit të përkthyesve dhe lektorëve nëpër institucione, duke marrë profesorë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga Kosova, që sjellin përvoja të ndryshme. Ne në këto trajnime, përveçse kemi diskutuar çështje që krijojnë mëdyshje te përkthyesit gjatë punës së tyre ose në terren, njëkohësisht bëjmë edhe marrëveshje kolegjiale me gjuhëtarët nga vendi dhe jashtë, për të njëjtësuar terminologjinë administrative në ato vende ku ka mundësi të bëhet kjo, kurse për më tutje do të ketë edhe kongrese a seminare të tjera me qëllim të njëjtësimit të terminologjisë administrative”-shprehet prof. A.H. Qamili. Ajo paralajmëroi edhe modifikime të profesionalizimit të përkthyesve dhe të lektorëve, duke filluar në grupe sikur sivjet, e më pas në ndonjë grup të përbashkët, që të mund mes vete të kenë komunikim për t’i këmbyer përvojat e tyre, për t’i diskutuar çështjet që kanë mëdyshje, për të rritur cilësinë e përkthimeve dhe zbatimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore. Gjatë këtij cikli trajnues, pjesëmarrësit kishin rast të dëgjojnë ligjërata nga gjuhëtarët më të njohur nga qendrat universitare të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët trajtuan probleme të shumta që dalin nga përdorimi i gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera zyrtare në administratë. Çështja e terminologjisë dhe e njësimit të saj si nevojë, ndikimet e gjuhëve te njëra-tjetrëa, leksikografia, semiotika, ndikimet në sintaksë dhe një varg problemesh tjera, ishin objekt trajtimi nga profesorët Emil Lafe, Asllan Hamiti, Ismet Osmani, Valter Memisha, Rami Memushaj, Xhevat Lloshi, Berton Sulejmani, Ajtene Hajdari Qamili, Xhelal Zejneli, Afet Mamuti, Qemal Murati, Izer Maksuti, Zeqirja Ibrahimi, Adnan Jashari dhe Mustafa Ibrahimi. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6220,6217,6214,6211"]

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela mori pjesë në ceremoninë solemne të gjeneratës së tretë të apsolventëve të Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, organizuar në sheshin “Skënderbej”
Jun 30, 2021
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela mori pjesë në ceremoninë solemne të gjeneratës së tretë të apsolventëve të Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, organizuar në sheshin “Skënderbej”. Ata kurrorëzuan mundin katërvjeçar, me hedhjen e kapelave, që simbolizon mbarimin e ligjeratave në pesë fakultetet e universitetit të vetëm publik në gjuhën shqipe në kryeqytet. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="6123,6126,6129"]

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela u takua me drejtoreshën e Bibliotekës “Vëllezërit Milladinov” në Shkup
Jun 29, 2021
Në suaza të vizitave të zakonshme, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, sot zhvilloi një takim zyrtar me Suzana Danaillovën, drejtoreshë e Bibliotekës së qytetit “Vëllezërit Milladinov” në Shkup. Me këtë rast ai e njoftoi homologen e tij lidhur me punën që po bën AZGJ-ja duke i ndihmuar institucionet shtetërore për ta zbatuar Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, përkatësisht përdorimit të gjuhës shqipe. Në suaza të kësaj, ai theksoi se duhet të vendoset një bashkëpunim konkret mes këtyre dy institucioneve, duke i ofruar ndihmë në aspektin e përkthimit dhe lekturimit të tabelave, akteve, shkresave, formularëve etj. Veçmas ai e vuri në spikamë çështjen e librezave të anëtarësisë në këtë bibliotekë të cilat tani janë vetëm në një gjuhë. Nga ana tjetër, drejtoresha Suzana Danailova theksoi se kjo bibliotekë punon sipas sistemit COBIS me të cilin janë të lidhur, prandaj librezat në një gjuhë janë të vjetra, por librezat e reja që do t’i bëjmë tani e tutje do të jenë në dy gjuhë. Për sa i përket përkthimit në këtë institucion, ajo theksoi se janë të punësuar njerëz adekuat të cilët po e kryejnë mirë punën e tyre. Por, shtoi më tej ajo, nëse na shfaqet nevoja për ndonjë ndihmë rreth përkthimit, atëherë gjithsesi do ta kërkojmë këtë nga ana e agjencisë suaj. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6102"]

Takim pune me drejtorin e Kopshtit Zoologjik të Shkupit
Jun 24, 2021
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së, dr. Ylber Sela, së bashku me udhëheqësin e Sektorit të planifikimit, të koordinimit dhe të zhvillimit, dr. Marjan Patlixhankovski, realizoi sot takim me drejtorin e Kopshtit Zoologjik të Shkupit, z. Gjorgji Galetanovski. Në takim u fol për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në Kopshtin Zoologjik, Shkup. Gjatë takimit me z. Galetanovski kuptuam se në Parkun Dino të ri zbatohet plotësisht përdorimi i të dy gjuhëve zyrtare të RMV-së. Tabelat e informimit dhe njoftimit të qytetarëve në Kopshtin Zoologjik nuk janë të përkthyera në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të RMV-së, mirëpo gjatë skenimit të çdo kodi QR të secilës kafshë të ekspozuar, shfaqet përkthimi dhe përshkrimi me zë i kafshës në gjuhën shqipe. Drejtori i Agjencisë, dr. Ylber Sela ofroi bashkëpunim dhe ndihmë për përkthimin dhe lekturimin e të gjitha tabelave të informimit të qytetarëve, ndërkaq drejtori Galetanovski shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e ofruar. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6087,6090,6093"]

Profesorët Adnan Jashari dhe Afet Mamuti mbajtën ligjërata për terminologjinë juridike
Jun 24, 2021
Dy ligjëruesit e radhës në trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të institucioneve shtetërore, profesorët Adnan Jashari dhe Afet Mamuti, u paraqitën para përkthyesve dhe lektorëve me temën e terminologjisë juridike në dokumentet zyrtare dhe aktet ligjore. Sipas tyre, duhet bërë përpjekje maksimale që terminologjia që përdoret në institucionet publike të jetë sa më e unifikuar. Që të dy vënë në dukje rëndësinë e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve dhe rolin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në ngritjen e cilësisë së përdorimit dhe të statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedoninë e Veriut. Prof. dr. Adnan Jashari, ligjërues në Universitetin e Europës Juglindore, trajtoi temën e terminologjisë juridike të korrespodencës ekonomike, të afarizmit dhe të kontratave dhe shprehu kënaqësinë dhe entuziazmin për arritjet e deritashme, ndonëse siç thotë ai, “ka edhe shumë punë për të bërë”. “Me qëllim që në të ardhmen të arrijmë që të bëjmë unifikimin e terminologjisë gjatë përkthimeve të akteve të ndryshme, si ato ligjore, si ato administrative, gjyqësore, apo shkresave të ndryshme, në një farë mënyre të përforcohet dhe të koordinohet lidhshmëria midis përkthyesve dhe Agjencisë në njërën anë, dhe Agjencisë dhe ekspertëve nga sfera të ndryshme, në anën tjetër.”, thotë profesori Adnan Jashari. Sipas tij, e gjithë kjo do të krijojë parakushte që përkthimet e vendimeve, të ligjeve, dhe të akteve të tjera zyrtare, të unifikohen në aspekt terminologjik. Më tej, ai vlerësoi edhe kontributin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe të drejtorit Ylber Sela, nëpërmjet aktiviteteve dhe botimeve të shumta, e sidomos nëpërmjet trajnimit të përkthyesve të lektorëve të institucioneve publike. Edhe prof. dr. Afet Mamuti, ligjërues në Universitetin e Tetovës, trajtoi temë të ngjashme, atë të përkthimit të terminologjisë juridike në ligje. “Prof. Ylber Sela ka bërë një punë mjaft të mirë, veçanërisht me aktivitetet që po organizon, siç është edhe ky i fundit, me trajnimin e përkthyesve nga të gjitha institucionet, duke nisur nga kryeministria, nga ministritë, drejtoritë, agjencitë e ndryshme, ku për disa ditë radhazi na u dha mundësia që t’i diskutojmë disa çështje, veçanërisht që kanë të bëjnë me përkthimin e akteve normative. Diskutimet që i kishim me kandidatët, ishin mjaft produktive dhe temat që i prekëm besoj se do të jenë një ndihmesë e madhe me rastin e përkthimit të dokumenteve, që kur të merr qytetari të lexojë aktin normativ, të përdoret terminologji e njëjtë, e qartë, e saktë dhe të mos ketë dykuptimësi”, thotë profesori Afet Mamuti. Ai thotë se pas nxjerrjes së Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, statusi i gjuhës shqipe pësoi një ndryshim rrënjësor në pikëpamje të avancimit të përdorimit të saj, çfarë nuk e kishte para këtij ligji. Këtë e ndihmoi veçanërisht krijimi i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, e cila vendosi komunikimin me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare “për të bërë unifikimin dhe standardizimin e disa termeve që duhej të bëjnë të punësuarit nga kjo Agjenci” dhe se pas gjithë këtyre aktiviteteve, shumë më lehtë do të jetë në të ardhmen. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="6072,6075,6078"]

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela - në Javën e Albanologjisë në Prishtinë
Jun 22, 2021
Dje në Institutin Albanologjik të Prishtinës u hap Java e Albanologjisë, e 12-ta me radhë, ku të pranishmit i përshëndeti drejtori i këtij institucioni dr. Hysen Matoshi, i cili u uroi mirëseardhje dhe punë të mbarë. Po ashtu, pjesëmarrësit i përshëndeti edhe ministrja e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci. Në këtë aktivitet shkencor e kulturor që do të zhvillohet deri më 23 qershor dhe ku do të trajtohen aspekte të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e terminologjisë në gjuhën shqipe, si dhe shumë çështje të tjera të fushës albanologjike, me ftesë të organizatorit mori pjesë edhe drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, i shoqëruar edhe nga përgjegjësi i Sektorit të përkthimit dhe lekturës, Ahmet Selmani. Drejtori Sela zhvilloi takime të shumta me personalitete të jetës shkencore e shoqërore dhe me studiues të ndryshëm të albanologjisë. Me këtë rast për bibliotekën e AZGJ-së, atij ia dhuruan edhe disa nga botimet më të reja të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Po ashtu, drejtori Y. Sela vizitoi edhe Institutin e Studimeve Sociale dhe Humanistike, ku u takua me drejtorin e saj, Arsim Sinani, si dhe profesorët e Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe Selim Bezeraj. Gjatë këtij takimi u bisedua lidhur me bashkëpunimin ndërmjet institutit në fjalë dhe Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Me këtë rast drejtori Sinani i dhuroi disa botime të institutit të tij. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="6051,6054,6057,6060,6063"]
Njoftime
Shiko të gjithaBuletin
Shiko të gjithaFurnizime Publike
Shiko të gjithaInformacion kontakti
-
rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut -
Phone number
02 312 1731
- Email
info@apj.gov.mk - Email