Post image
U promovua libri në tri gjuhë “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV”

Sep 30, 2021

Në orët e pasdites, në amfiteatrin e UEJL-së në Shkup, në kuadër të Konferencës shkencore “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale”(në organizim të AZGJ-së dhe UEJL-së), u promovua botimi në tri gjuhë (shqip, maqedonisht dhe anglisht), me titull “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV”. Për rëndësinë e këtij botimi në fillim foli moderatori, prof. dr. Izer Maksuti nga Universiteti “Ukshin Hoti”, Prizren, Republika e Kosovës, duke njoftuar se paraqet përmbledhje të punimeve të 20 autorëve pjesëmarrës të konferencës shkencore të vitit të kaluar, mbajtur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, mbajtur më 20-22 shkurt 2020. Folësi i parë për këtë botim, prof. dr. Mustafa Ibrahimi nga Universiteti ”Nënë Tereza” në Shkup, tha se ky botim është hap i mirë, sepse shumë probleme kërkojnë zgjidhje. Ai tha se duhet të definohet gjuha zyrtare, cilët janë kufijtë e përdorimit të saj dhe aftësia për të përkthyer. Me këtë rast përkujtoi se BE-ja angazhohet për modelin e mësimit të tri gjuhëve: gjuhës amtare që duhet të mbrohet, mësimin e gjuhës lokale dhe mësimin e gjuhës zyrtare. Po ashtu afirmoi përvojën e dy universiteteve, UEJL edhe “Nënë Tereza”, për mësimin mësim bilingual në to. Për sa i përket statusit të gjuhës shqipe, theksoi ai, kemi një problem të vogël, a do të ketë status ekskluziv, apo vetëm sipas nevojës dhe duke përkujtuar përvojën e disa shteteve, ai tha se modeli i Finlandës është modeli më i mirë. Qeveria dhe shteti, sipas tij, duhet të fokusohet në planifikimin e një strategjie për gjuhët, në mikro dhe makroplan. Profesoresha nga Universiteti i Prishtinës, Remzije Shahini Hoxhaj, tha se gjuha është pjesa më vitale e komunikimit, e shpesh edhe rrënimit të komunikimit. Çështja e aplikimit të gjuhëve është shumë e rëndësishme në shoqëri dhe, duke cituar Niçen, ajo tha se aplikimi i gjuhëve shpesh është shërues, e shpesh vdekjeprurës. Ne jemi pjesë të një regjioni që e kemi përjetuar këtë në mënyra të ndryshme, nënvizoi ajo, duke i dhënë përkrahje diversitetit kulturor, e në këtë kontekst shprehu bindjen e saj se RMV-ja mund të përdoret si model që mund të përdoret gjithandej, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Më tutje, ajo foli në veçanti për përmbajtjen e librit. Liljana Pandeva, linguiste e angazhuar në AZGJ, foli gjerësisht për të gjitha punimet e përmbledhjes. “Në të vërtetë, autorët e punimeve, janë emra të shquar, profesorë e shkencëtarë nga disa universitete të vendit dhe me gjerë, nga Shqipëria, Kosova dhe Austria, pa praninë e të cilëve, konferenca nuk do ta kishte arritur qëllimin e saj – nderimin e gjuhës amtare, me theks të veçantë në zbatimin e gjuhës shqipe në RMV, si gjuhë e dytë zyrtare. Në këtë kontekst, janë shumica e punimeve të cilat trajtojnë përdorimin institucional të gjuhës shqipe si në aspektin diakronik, ashtu edhe në atë sinkronik”, tha L. Pandeva, e cila pastaj foli hollësisht për çdo punim. Folësi i fundit për botimin në fjalë ishte profesori nga Universiteti i Tetovës, dr. Izmit Durmishi, i cili, përveç të tjerash, vuri në dukje se prej themelimit të vet AZGJ-ja po vazhdon me ngulm të mbrojë statusin e gjuhëve zyrtare, veçanërisht të shqipes në ligjërimin publik në institucionet shtetërore dhe jo vetëm në to. Për këtë qëllim, theksoi ai, AZGJ-ja bashkëpunon me institucione albanologjike nga vendi dhe nga jashtë, duke ndihmuar zbatimin praktik të gjuhës shqipe. Konferenca ndërkombëtare përfundon të enjten (30 shtator) me katër panele shkencore, ku do të marrin pjesë albanologë dhe hulumtues të fushave të tjera nga insticuione shkencore e arsimore nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Italia dhe Bullgaria. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="6581,6584,6587,6590,6593"]

Post image
Konferencë shkencore ndërkombëtare e AZGJ-së dhe UEJL-së

Sep 29, 2021

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës në bashkëpunim me Universitetin e Evropës Juglindore organizuan konferencën shkencore ndërkombëtare dyditore, “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale”. Konferenca që nisi sot pasdite në hapësirat e UEJL-së në Shkup është në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, me pjesëmarrës nga institucione të ndryshme arsimore e shkencore nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria. Me këtë rast, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së dhe Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Republika e Shqipërisë, nënshkruan Memorandum bashkëpunimi. Tubimin shkencor e hapi drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, i cili mes tjerash tha se kjo konferencë tregon se jemi të kujdesshëm ndaj gjërave që na përkasin të gjithëve, siç janë gjuha dhe përkthimi. “Tema e konferencës “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale”, paraqet strategji të nevojshme për të diskutuar dhe për të ofruar mundësi dhe alternativa se si t’i zgjidhim dhe si t’i tejkalojmë vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi gjatë përdorimit praktikë të gjuhës dhe sidomos gjatë përkthimit”, tha ai. Terminologjia është çështje e ndërlikuar, vazhdoi drejtori i AZGJ-së, duke nënvizuar se edhe nevoja për ta zgjidhur këtë është tepër e madhe. “Bashkëpunimi dhe bashkëveprimi mund të na çojë drejt saj, duke hedhur nga një gurë në murin e gjatë që rritet çdo ditë, varësisht nga arritjet dhe shpikjet e reja teknologjike e informatike, të cilat sjellin edhe terminologji të re”, tha në fjalën e rastit drejtori Ylber Sela. Konferencën e përshëndeti edhe prorektorja e UEJL-së, Besa Arifi, duke përmendur në fillim pikërisht përvojën e këtij universiteti, i cili në vitin 2001 lindi si nevojë për studime në gjuhën shqipe, por që u bë shembull i një universiteti i cili funksion në tri gjuhë, shqip, maqedonisht dhe anglisht dhe se ato në mënyrë fleksibile përdoren njësoj. ”Ky është shembull se si gjuha nuk është barrierë edhe pse ajo ndonjë herë di të jetë e tillë”, nënvizoi prorektoroja B. Arifi, duke shtuar se në këtë konferencë do të ketë mundësi të flitet për sfidat e përdorimit të gjuhëve, që nga fëmijëria dhe në faza të tjera. Në vazhdim, foli edhe Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike nga Shqipëria. Ai në fillim vuri në dukje aktivitetet dhe rolin që ka luajtur Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, sidomos me marrëveshjet dhe marrëdhëniet vendosura me institucione shkencore, universitare, arsimore etj. brenda e jashtë vendit, sidomos me ato të Shqipërisë dhe Kosovës, që sipas tij “janë tregues domethënës për të identifikuar institucionin për ta bërë sa më funksionues”. ”AZGJ-ja është konsoliduar dhe ka fytyrën e vet, duke u bërë dhe pikë referimi për të tjerë, si dhe përmes botimeve të ndryshme shkencore apo me karakter praktik, si doracakë, etj., me informacione a modele pune për fushën e komunikimit administrativ”, tha midis tjerash Luan Përzhita, duke përmendur aktivitetet dhe botimet e shumta që i ka bërë AZGJ-ja. Në fund, konferencën e përshëndeti edhe Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Ai tha se bën përshtypje tema e konferencës, sepse ajo është temë aktuale që na imponohet dhe na sfidon në RMV. Kontributet që do të vijnë në konferencë, vuri në dukje ai, do të jenë shtigje orientimi se nga duhet të ecë gjuha shqipe në RMV se si duhet të zbatohet përdorimi zyrtar. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6558,6561,6564,6567,6570"]

Post image
Diversiteti gjuhësor kontribuon në kohezionin shoqëror

Sep 27, 2021

Me tryezën e rrumbullakët “Koncepti europian i diversitetit gjuhësor në realitetin e sotëm-gjendja dhe sfidat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës u përfshi në shënimin e 26 Shtatorit-Ditës Europiane të Gjuhëve, ku morën pjesë përfaqësues ambasadash të shteteve europiane dhe të institucioneve të vendit si dhe të sektorit joqeveritar. Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, në fjalën përshëndetëse theksoi se respektimi i konceptit të diversitetit gjuhësor është veçanërisht i rëndësishëm në një shoqëri shumëkulturore, shumëgjuhësore që pa dyshim kontribuon në forcimin e mirëkuptimit reciprok midis etnive të ndryshme si dhe avancimin e kohezionit dhe veprimit ndëretnik. “Prandaj mendoj se ky koncept duhet të ruhet dhe të mirëmbahet vazhdimisht”, tha drejtori Sela, duke përkujtuar se miratimi i Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve më 2019 është një hap përpara në realizimin e përpjekjeve për forcimin e proceseve demokratike, garantimin e të drejtave gjuhësore të qytetarëve dhe avancimin e karakterit shumëgjuhësor të shoqërisë. Anke Holshtajn (Anke Holstein), ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë, foli për përvojat e saj me situata që ka hasur duke qenë e angazhuar vite me radhë në Bruksel. Në lidhje me përdorimin e gjuhëve, ajo theksoi se në parimet dhe idetë e BE-së është diversiteti, uniteti dhe garantimi i përdorimit të gjuhës për secilin dhe mundësia për të pasur qasje në dokumentet zyrtare të BE-së edhe atë të përkthyera në të gjithë gjuhët që fliten në BE. Në këtë kontekst përmendi pozicionin që kanë gjuhët, anglishtja dhe frëngjishtja si kryesore në politikat e sigurisë, por dhe gjuhët e tjera më të vogla në kuadër të organeve të BE-së. Holshtajn foli për përkthimin si proces brenda BE-së dhe vështirësitë që ajo ka hasur gjatë punës së saj në institucionet e BE-së, si pjesë e delegacionit gjerman. Ajo u ndal edhe te përvojat gjermane, te gjuha zyrtare gjermane, gjuhët e minoriteteve dhe problemin e inkluzivitetit të emigrantëve të cilët në familjet e tyre vazhdojë të flasin vetëm gjuhën amtare, duke mos e mësuar atë gjermane. Sipas saj, kushdo që vjen në Gjermani dhe dëshiron që të jetojë aty, atëherë duhet ta mësojë edhe gjuhën gjermane. Lusien Aegerter (Lucien Aegerter), zëvendësshef i Misionit dhe zëvendësshef i Bashkëpunimit në Ambasadën e Konfederatës Zvicerane në RMV, në fillim të fjalës së tij tha se shumëllojshmëria e gjuhëve është vlerë thelbësore e identitetit zviceran. “Zvicra dhe Maqedonia e Veriut kanë shumë të përbashkëta, të qenët shtete shumëgjuhëshe është në qendër të miqësisë sonë të fortë. Të dyja vendet e mbajnë lartë dhe e mbrojnë shumëllojshmërinë e gjuhëve, dhe si të tilla, dy shtetet tona kanë shumë të përbashkëta dhe mund të ndajnë pikëpamje dhe përvoja”, tha ai. Më tutje ai përmendi gjuhët zyrtare në Zvicër, gjermanishten (63%), frëngjishten (23%), italishten (8%), dhe retoromanishten (gjysmë për qind). Për Zvicrën, shumëllojshmëria e gjuhëve do të thotë që të gjitha shërbimet e pushtetit qendror ofrohen në të tri gjuhët kryesore (retoromanishtja ka status të veçantë). Kjo do të thotë se kusht për punësim në administratën e pushtetit qendror është njohja e rrjedhshme e së paku dy gjuhëve kombëtare dhe njohje pasive e së tretës. Me fjalë të tjera, shumica gjuhësore po ashtu duhet të ketë sadopak njohuri të gjuhës së pakicës, e jo vetëm e kundërta, tha Agerter. Eran Kurtish, drejtor i Agencisë së Realizimit të të Drejtave të Bashkësive, foli për rolin e kësaj agjencie në mbrojtjen e bashkësive me përfaqësim më të vogël se 20 për qind dhe për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve. Ismail Demiroviq, këshilltar në Drejtorinë e Zhvillimit dhe të Përparimit të Arsimit në Gjuhët e Bashkësive, midis tjerash tha se qëllimi kryesor i gjuhës është që njerëzit të këmbejnë mendime, dituri dhe ide. Ana Popova Manasievska, kryetare e Shoqatës së Përkthyesve dhe të Interpretëve (MATA) tha se Dita Europiane e Gjuhëve është shkas i mirë të flasim në temën e gjuhëve dhe se ne duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë përdorimin që të jetojmë bashkë. Veton Zekolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Dialog Nansen në Shkup, përkujtoi se në botë fliten 6000-7000 gjuhë të ndryshme, me çka diversiteti gjuhësor shihet në çdo cep të tokës, që duhet pranuar si një pasuri e pashtershme. E drejta e shprehjes në gjuhë amtare dhe e drejta e arsimit në gjuhë amtare, tha ai, janë të drejta universale të cilat nuk duhet të cenohen, ndërkaq mospërfillja sjell deri te konfliktet e padëshiruara të cilat ndikojnë rrënjësisht në një shoqëri shumetnike e shumëgjuhësore. Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve, tha se RMV si një vend me shumëllojshmëri kulturore, fetare dhe gjuhësore, krijon dhe zbaton politika që zhvillojnë vlerat e unitetit dhe të besimit ndëretnik. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="6537,6540,6543,6546,6549"]

Post image
Përfundoi trajnimi për udhëheqjen me ciklin projektues për punonjësit e AZGJ-së

Sep 6, 2021

Në hotelin “Arka” në Shkup, në periudhën nga 1 deri më 3 shtator, u mbajt trajnim mbi udhëheqjen e ciklit projektues dhe menaxhimin projektues ku morën pjesë gjithsej 20 persona të punësuar tek Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së. Realizimi i Trajnimit u mbështet nga Misioni i OSBE-së në Shkup, në përpajtim me Planin Vjetor të Veprimit që rezulton nga Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar midis Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, për të zbatuar aktivitete të përbashkëta për periudhën 2021- 2024. Përveç financimit të aktiviteteve që lidhen me realizimin e trajnimit, Misioni i OSBE -së në Shkup siguroi ekspertizën e nevojshme me angazhimin e dy ekspertëve në këtë fushë (Znj. Sunçica Sazdovska dhe Znj. Valentina Çiçeva) dhe në bashkëpunim me APJ-në, i koordinonte aktivitetet e nevojshme që lidhen me mirëmbajtjen e suksesshme të trajnimit. Në ditën e parë, para fillimit të trajnimit, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, përfaqësuar nga drejtori Ylber Sela dhe Misionit të OSBE -së në Shkup, përfaqësuar nga Shefi i Misionit, Ambasadori Klemens Koja. Në fjalimin e tij pas nënshkrimit, drejtori Sela theksoi se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së i kushton një rëndësi të madhe bashkëpunimit me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, përmes Misionit të saj në Shkup, duke njohur rolin e saj të rëndësishëm në ofrimin e mbështetjes në forcimin e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve, promovimin e kohezionit social dhe promovimin e marrëdhënieve ndëretnike, përmes bashkëpunimit, përfshirjes dhe respektimit të diversitetit të komunitetit. Akti i nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit përfaqëson një hap përpara në krijimin e një kornize zyrtare për bashkëpunim midis Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, për të zbatuar aktivitete të përbashkëta të koordinuara në fushën e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, mbështetje për punën e agjencisë në ngritjen e kapacitetit institucional dhe zbatimin e qëllimeve të saj programore. Pas nënshkrimit të Memorandumit, u prezantua qëllimi dhe programi i trajnimit dhe pjesa përmbajtëse e trajnimit përfshiu ligjërata në pjesën e udhëheqjes së projekteve; fazat e ciklit projektues; planifikim të projekteve orientuar drejt qëllimit; identifikimi i problemeve dhe qëllimeve; analiza e gjendjes; kriter për përzgjedhje, zgjedhja e strategjisë për projekt, si dhe prezantimi i Planit Strategjik të AZGJ-së dhe puna në grupe për ushtrime praktike. Dita e dytë e trajnimit iu kushtua konceptit të kornizës logjike: logjika e ndërhyrjes; parakushtet, supozimet, treguesit dhe burimet e verifikimit, të ndjekur me prezantim të shembujve praktikë dhe ushtrime në grup. Dita e tretë dhe e fundit e trajnimit u përqendrua në përcaktimin e aktiviteteve për të arritur rezultate; alokimi i burimeve për aktivitetet e planifikuara; përgatitja e projekt-buxhetit; ushtrime praktike, si dhe vlerësim të trajnimit. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësve iu ndanë certifikata për pjesëmarrje në trajnimin tematik. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6447,6450,6453"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk