Post image
Përfundoi trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve

Jul 9, 2021

Pas dy muajsh program të ngjeshur, të mërkurën, 7 korrik, përfundoi trajnimi i lektorëve dhe i përkthyesve të administratës nën organizimin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Në programin dymujor të trajnimeve, morën pjesë 68 përkthyes dhe lektorë nga 31 institucione të ndryshme të administratës, të cilëve në shtator të këtij viti Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve do t’u ndajë certifikata. Ligjëruesit e fundit ishin profesori i njohur nga Shqipëria, dr. Emil Lafe, i cili trajtoi çështjet drejtshkrimore dhe pastërtinë e gjuhës dhe prof. dr. Ajten Hajdari Qamili, e cila pjesëmarrësve u ligjëroi për analizë teksti. “Krijimi i AZGJ-së dhe nisja e mbarë e veprimtarisë së saj përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën kulturoro-shkencore e shoqërore të shqiptarëve në RMV, por edhe për kulturën dhe jetën mendore e shoqërore shqiptare në tërësi. Inteligjencia shqiptare në RMV me mbështetjen edhe të faktorit politik shqiptar, ka shënuar përparime domethënëse, veçanërisht në fushën e studimeve albanologjike, të kulturës, të letërsisë dhe të arteve.”, thotë prof. Emil Lafe, i cili ligjëratën e tij me tri grupet e trajnimit e mbajti onlajn, nga Tirana. Ai konsideron se të gjitha këto çojnë te vlerësimi i gjuhës standarde shqipe, si një mjet dhe faktor i dorës së parë për zhvillimin e mëtejshëm cilësor të jetës shoqërore e kulturore të shqiptarëve në RMV, duke i dhënë asaj një vend gjithnjë e më të spikatur në kulturën tonë kombëtare. “Së bashku me kolegët e tjerë të Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare e kemi mirëpritur ftesën e AZGJ-së për bashkëpunim dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të japim ndihmesën tonë në mbarëvajtjen dhe përmbushjen e programit të saj. Pjesëmarrja jonë në konferencën “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV” (shkurt 2020), na dha mundësi të njohim nga afër detyrat dhe synimet e AZGJ-së, si edhe të vërejmë te punonjësit e saj një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi ndaj detyrës. Ne do të jemi gjithnjë së bashku me ju, sepse detyra juaj është edhe detyra jonë, suksesi juaj është edhe suksesi ynë”, thekson prof. Emil Lafe në vlerësimet e tij për trajnimet dhe aktivitetet që AZGJ-ja ka ndërmarrë deri më tash. Trajnimet e këtilla, siç vë në dukje profesoresha Ajten Hajdari Qamili, kanë qenë ndër misionet kryesore të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe që do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme, varësisht nga nevojat, pasi dihet se ka mungesë të cilësisë dhe mungesë të kuadrit në institucione. “Në bazë të kësaj do të bëhet përforcimi i nivelit të përkthyesve dhe lektorëve nëpër institucione, duke marrë profesorë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga Kosova, që sjellin përvoja të ndryshme. Ne në këto trajnime, përveçse kemi diskutuar çështje që krijojnë mëdyshje te përkthyesit gjatë punës së tyre ose në terren, njëkohësisht bëjmë edhe marrëveshje kolegjiale me gjuhëtarët nga vendi dhe jashtë, për të njëjtësuar terminologjinë administrative në ato vende ku ka mundësi të bëhet kjo, kurse për më tutje do të ketë edhe kongrese a seminare të tjera me qëllim të njëjtësimit të terminologjisë administrative”-shprehet prof. A.H. Qamili. Ajo paralajmëroi edhe modifikime të profesionalizimit të përkthyesve dhe të lektorëve, duke filluar në grupe sikur sivjet, e më pas në ndonjë grup të përbashkët, që të mund mes vete të kenë komunikim për t’i këmbyer përvojat e tyre, për t’i diskutuar çështjet që kanë mëdyshje, për të rritur cilësinë e përkthimeve dhe zbatimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore. Gjatë këtij cikli trajnues, pjesëmarrësit kishin rast të dëgjojnë ligjërata nga gjuhëtarët më të njohur nga qendrat universitare të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët trajtuan probleme të shumta që dalin nga përdorimi i gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera zyrtare në administratë. Çështja e terminologjisë dhe e njësimit të saj si nevojë, ndikimet e gjuhëve te njëra-tjetrëa, leksikografia, semiotika, ndikimet në sintaksë dhe një varg problemesh tjera, ishin objekt trajtimi nga profesorët Emil Lafe, Asllan Hamiti, Ismet Osmani, Valter Memisha, Rami Memushaj, Xhevat Lloshi, Berton Sulejmani, Ajtene Hajdari Qamili, Xhelal Zejneli, Afet Mamuti, Qemal Murati, Izer Maksuti, Zeqirja Ibrahimi, Adnan Jashari dhe Mustafa Ibrahimi. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6220,6217,6214,6211"]

Post image
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela u takua me drejtoreshën e Bibliotekës “Vëllezërit Milladinov” në Shkup

Jun 29, 2021

Në suaza të vizitave të zakonshme, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, sot zhvilloi një takim zyrtar me Suzana Danaillovën, drejtoreshë e Bibliotekës së qytetit “Vëllezërit Milladinov” në Shkup. Me këtë rast ai e njoftoi homologen e tij lidhur me punën që po bën AZGJ-ja duke i ndihmuar institucionet shtetërore për ta zbatuar Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, përkatësisht përdorimit të gjuhës shqipe. Në suaza të kësaj, ai theksoi se duhet të vendoset një bashkëpunim konkret mes këtyre dy institucioneve, duke i ofruar ndihmë në aspektin e përkthimit dhe lekturimit të tabelave, akteve, shkresave, formularëve etj. Veçmas ai e vuri në spikamë çështjen e librezave të anëtarësisë në këtë bibliotekë të cilat tani janë vetëm në një gjuhë. Nga ana tjetër, drejtoresha Suzana Danailova theksoi se kjo bibliotekë punon sipas sistemit COBIS me të cilin janë të lidhur, prandaj librezat në një gjuhë janë të vjetra, por librezat e reja që do t’i bëjmë tani e tutje do të jenë në dy gjuhë. Për sa i përket përkthimit në këtë institucion, ajo theksoi se janë të punësuar njerëz adekuat të cilët po e kryejnë mirë punën e tyre. Por, shtoi më tej ajo, nëse na shfaqet nevoja për ndonjë ndihmë rreth përkthimit, atëherë gjithsesi do ta kërkojmë këtë nga ana e agjencisë suaj. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6102"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk