news image
Vizitë studimore e delegacionit nga Kosova në AZGj

 Një delegacion i përbërë nga, Sllavisha Mlladenoviq, komisioner iZyrës për Gjuhët, Mentor Borovci, drejtor i Zyrës Ligjore, Arta Pllana, koordinatore për komunikim, Safete Grajçevci, koordinatore për sigurimin e zbatueshmërisë, Agron Gashi, koordinator, Zyra Ligjore, Shaban Ademi, drejtor i Zyrës për buxhet dhe financa, Nexhmie Xani, udhëheqëse e burimeve njerëzore, Qefsere Baliu, udhëheqëse për buxhet dhe financa, Xhavit Bulliqi, zyrtar i larë ligjor.Delegacioni u prit nga drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ardian Musliu, i cili e njoftoi lidhur me Agjencinë dhe tregoi për avancimin e zbatimit të gjuhës në RMV.Në ditën e parë kolegët nga Kosova u informuan nga përfaqësuesit e AZGj-së për gjithë ciklin e procesit të përkthimit. Protokolli vazhdoi me informacionin e përgjegjësve të sektorëve të planifikimit dhe zhvillimit në AZGj, Shpresa Zeqiri-Ibrahimi dhe Marian Patlixhankovski, të cilët shpjeguan mënyrën e funksionimit dhe ndërtimit të Agjencisë. Ndërsa Sllavisha Mlladenoviq nga Kosova, tha: Ne kemi ardhur këtu, për të parë një model nga mënyra e zbatimit të dygjuhësisë, për ta pasur më të lehtë të ndërtojmë një institucion të ngjashëm edhe në Kosovë.Dita e parë e vizitës u mbyll me nënshkrimin e një memorandumi dypalësh midis drejtorit të AZGj-së, Ardian Musliu dhe kryesuesit të delegacionit nga Kosova, Sllavisha Mlladinoviq.Ditën e dytë të diskutimeve studimore me delegacionin nga Kosova e drejtoi këshilltari shtetëror Nebi Bilalli, i cili foli për sektorin e përkthimit dhe të lekturës. Ndërsa, Jeton Sulejmani, këshilltar shtetëror i bashkëpunimit me Qeverinë dhe marrëdhënieve me publikun, Teuta Hiseni, përgjegjëse e sektorit të lekturës, Ahmet Selmani këshilltar shtetëror i redaktimit gjuhësor, prezantuan procesin e punës në sektoret përgjegjëse .Diskutimet vazhduan me pyetje dhe përgjigje ndërmjet të pranishmëve. Më pas delegacioni vazhdoi vizitën në Inspektoratin e përdorimit të gjuhëve.

Oct 25, 2023
news image
FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË PËRKTHIMIT

 Sot kemi nderin e veçantë dhe detyrimin institucional që ta shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, ditë kjo të cilën, më 24 maj të vitit 2017, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli si të tillë, duke zgjedhur 30 shtatorin si datë për shënimin e saj.Duke qenë në krye të një institucioni, siç është Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, e cila ka detyrim ligjor që t’i ndihmojë institucionet shtetërore për zbatimin praktik të gjuhës shqipe, e kjo nënkupton edhe përkthimin e tyre nga maqedonishtja në shqip, aq më tepër na takon që të jemi pjesë e një solemniteti të këtillë, ku me disa aktivitete modeste përkujtohet kjo ditë duke folur e debatuar për çështjen e përkthimit nga njëra gjuhë në tjerën dhe anasjelltas.Me këtë rast dëshiroj të theksoj se përkthimi si veprimtari intelektuale dhe kreative është shumë specifik dhe madhor njëkohësisht, për arsye se mundëson komunikim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve brenda Maqedonisë së Veriut.Prandaj, në këtë rast ne kemi privilegjin dhe përgjegjësinë që ta realizojmë këtë deri në nivelet më të larta shtetërore, duke krijuar mundësi dhe forma të komunikimit të shkruar dhe të folur për ata që punojnë në institucionet përkatëse, si dhe, veçanërisht, për qytetarët që u drejtohen atyre për nevojat e tyre.Gjithsesi, këtë mundësi nuk do ta kishim pa Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, i cili u miratua me konsensus të gjerë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kapërcyer shtigje e duke hapur rrugë më të gjera në rrafshin e komunikimit shumëgjuhësh brenda këtij shteti ku jetojmë dhe veprojmë si qytetarë dhe si shtetas të tij.Agjencia e Zbatimit të Gjuhës deri tani ka bërë një punë të lakmueshme në këtë aspekt, duke u përballur me sfida të mëdha për sa i përket përkthimit dhe duke i tejkaluar ato me sukses, pra duke i ndihmuar institucionet shtetërore në përkthimin e shkresave të ndryshme administrative, akteve ligjore, rregulloreve e dokumenteve, formularëve të shumtë për nevojat e qytetarëve etj. Pa dyshim, këtë punë do të vazhdojë ta bëjë edhe më tej duke u ndodhur gjithmonë në krye të detyrave dhe duke i realizuar ato nga kolegët tanë të cilët tashmë janë stërvitur dhe profesionalizuar për këtë punë.Uroj që shënimi i kësaj dite, në radhë të parë, të jetë një thirrje dhe një mesazh për t’i respektuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, pra gjuhët e ndryshme të cilat jetojnë dhe përdoren pranë njëjra-tjetrës, siç janë shqipja dhe maqedonishtja, të cilat patjetër duhet të gjejnë mënyra adekuate dhe të krijojnë harmoni të plotë qytetare. Natyrisht, kjo frymë do të na bëjë më të lirë dhe më demokratikë, që një ditë gjërat të rrjedhin natyrshëm, pa pasur nevojë për përkthim, thjesht duke komunikuar secili në gjuhën e vet dhe duke e kuptuar tjetrin në gjuhën e tij. Kjo nuk është utopi, por vizion qytetar.Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Përkthimit!

Sep 29, 2023
news image
Ku ka libra, dije ka. Temat që po trajtohen në javën e gjashtë të trajnimit në AZGj, kanë në thelb mjeshtërinë e përkthimit.

 Java e gjashtë e trajnimit të përkthyesve dhe redaktorëve gjuhësorë të ministrive dhe të administratës publike në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës, filloi sot me leksionet e dy profesorëve të njohur nga Shqipëria, Prof. dr. Xhevat Lloshin dhe Dr. Dorian Koçin.Prof. dr. Xhevat Lloshi, gjuhëtar dhe bashkëpunëtor i vjetër shkencor, si dhe njëri nga hartuesit e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, do të ligjërojë temën “Stilistika”. Dr. Dorian Koçi, studiues dhe njohës i mirë i historisë, do të ligjërojë temën “Përkthimi i teksteve për artet dhe shkencat humane”.Prof. dr. Xhevat Lloshi, në intervistën paraprake tregoi se në leksionin e tij do ta shtjellojë mjeshtërinë e përkthimit, që vjen nga disiplina të tjera shkencore. “Sot nuk komunikohet me fjali, njerëzit komunikojnë me thënie, me tekste, prandaj përkthyesi si specialist, nuk ka kuptim të përkthejë fjali nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, por të përkthejë tekste nga një gjuhë në tekste të një gjuhe tjetër.Dr. Dorian Koçi midis të tjerash tha: “Ne jemi të gatshëm t’ju ofrojmë ndihmën e duhur për gjithçka që kanë nevojë administratorët publikë të institucioneve tuaja”.Në takimin që pati drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, me profesorët e shquar, kërkoi prej tyre, që përtej trajnimeve të planifikuara të vazhdojnë ndihmën profesionale për të mbështetur AZGj-në, në misionin e saj historik të dygjuhësisë në RMV. Profesorët premtuan mbështetjen e tyre të parezervë.Trajnimi i përkthyesve dhe i redaktorëve gjuhësorë në AZGj do të vazhdojë i ndarë në disa grupe për dy ditë me radhë.

May 30, 2023
news image
Java e pestë e trajnimit në AZGj, trajton temën “Njohja e gjuhës dhe e terminologjisë profesionale, parakusht për përkthimin e specializuar”

 Profesorët Arta Selmani dhe Izer Maksuti janë ligjëruesit, të cilët në kuadër të trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve nga institucione të ndryshme dhe administratës publike, do të japin këtë javë leksione në auditorët e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së.Prof. dr. Arta Selimi, në lidhje me temën “Përkthimi ligjor (juridik)”, ka vendosur të përfshijë një numër të madh termash profesionale nga disa fusha të jurisprudencës.“Do të vë theksin në disa lëmi terminologjike, nga ato civile, administrative, kushtetuese, familjare, trashëgimore e deri tek ato penale e të tjera. Do të mundohem që brenda një grupi të audiencës të shpjegoj 400 terma juridikë”.Prof. dr. Izer Maksuti auditorit të përkthyesve dhe lektorëve do t’ua shpjegojë temën, “Përkthimi i teksteve të specializuara”.“Veçoritë e teksteve të specializuara nga fusha të ndryshme shkencore, do të jetë fokusi i leksionit tim. Do të ndalem në dy rrafshe, dallueshmëria ndërmjet tyre dhe si të lehtësojmë përkthimin. Përkthim do të thotë kuptim. Është pikërisht njohja e gjuhës profesionale dhe terminologjisë, si parakusht i përkthimit të specializuar”.Kontributi shtesë që jep AZGj-ja për përshpejtimin e procesit të zbatimit të dygjuhësisë në RMV, ju mundëson përkthyesve dhe lektorëve t’i njohin sa më mirë labirintet e gjuhës profesionale, për ta mundësuar zbatimin e saj sa më të qartë në praktikën e përditshmërisë.

May 26, 2023
news image
QËNDRA EUROPIANE E GJUHËVE MODERNE DHE AZGJ-JA AVANCOJNË BASHKËPUNIMIN

 “Ndërtimi i edukimit shumëgjuhësh dhe ndërkulturor për demokracitë e shekullit të 21-të”. Është tema e leksioneve që Profesoresha Andrea Jang dha për përkthyesit, lektorët dhe gjuhëtarët e tjerë, të ftuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së. Profesoresha Andrea Jang është ligjëruese në Universitetin e Strasburgut në Fakultetin e Edukimit dhe mësimit gjatë gjithë jetës, ku ka një biografi të pasur në teorinë e gjuhësisë.Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, para se të fillonte aktiviteti, duke i dorëzuar zonjës Jang, një paketë me libra nga botimet studimore të AZGj-së theksoi: “Është nder dhe kënaqësi që pranuat ftesën e Agjencisë për të qenë pjesë e aktivitetit të organizuar në bashkëpunim me Qendrën Europiane të Gjuhëve Moderne në Grac të Republikës së Austrisë. Si një person që vij drejtpërdrejt nga sektori i arsimit dhe përvojës shumëvjeçare me studentët, është kënaqësi e veçantë që në ngjarjen e sotme, të trajtojmë me gjuhëtarët tanë, pikërisht temën e shumëgjuhësisë shumëkulturore në kontekstin e të sotmes”.Koordinatori i projektit, Llazo Matovski, në lidhje me bashkëpunimin e AZGj-së me QEGjM-në, informoi: “Bashkëpunimi filloi një vit më parë, kur pas një thirrjeje publike ndërkombëtare nga qendra në fjalë, një delegacion i AZGj-së e vizitoi këtë institucion, i cili funksionon në kuadër të Këshillit të Europës. Më pas AZGj-ja aplikoi me projektin e saj, projekt që ka si përmbajtje qasjet pluraliste ndaj gjuhëve dhe kulturave”. Leksionet e profesoreshës Andrea Jang, u përqendruan te konceptet, çështjet, si dhe sfidat kryesore, referuar edukimit shumëgjuhësor e ndërkulturor për kulturën demokratike.Në ligjërata përveç gjuhëtarëve të AZGj-së, morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Qendra e Edukimit Profesional, si edhe ligjërues të gjuhës nga institucione të ndryshme arsimore. Agjencia e falënderon Qendrën Europiane të Gjuhëve Moderne për bashkëpunimin e deritanishëm, duke qenë e hapur edhe për projekte të reja në të ardhmen.

May 23, 2023
Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk