FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË PËRKTHIMIT
Sep 29, 2023

Sot kemi nderin e veçantë dhe detyrimin institucional që ta shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, ditë kjo të cilën, më 24 maj të vitit 2017, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli si të tillë, duke zgjedhur 30 shtatorin si datë për shënimin e saj.
Duke qenë në krye të një institucioni, siç është Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, e cila ka detyrim ligjor që t’i ndihmojë institucionet shtetërore për zbatimin praktik të gjuhës shqipe, e kjo nënkupton edhe përkthimin e tyre nga maqedonishtja në shqip, aq më tepër na takon që të jemi pjesë e një solemniteti të këtillë, ku me disa aktivitete modeste përkujtohet kjo ditë duke folur e debatuar për çështjen e përkthimit nga njëra gjuhë në tjerën dhe anasjelltas.
Me këtë rast dëshiroj të theksoj se përkthimi si veprimtari intelektuale dhe kreative është shumë specifik dhe madhor njëkohësisht, për arsye se mundëson komunikim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve brenda Maqedonisë së Veriut.
Prandaj, në këtë rast ne kemi privilegjin dhe përgjegjësinë që ta realizojmë këtë deri në nivelet më të larta shtetërore, duke krijuar mundësi dhe forma të komunikimit të shkruar dhe të folur për ata që punojnë në institucionet përkatëse, si dhe, veçanërisht, për qytetarët që u drejtohen atyre për nevojat e tyre.
Gjithsesi, këtë mundësi nuk do ta kishim pa Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, i cili u miratua me konsensus të gjerë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kapërcyer shtigje e duke hapur rrugë më të gjera në rrafshin e komunikimit shumëgjuhësh brenda këtij shteti ku jetojmë dhe veprojmë si qytetarë dhe si shtetas të tij.
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës deri tani ka bërë një punë të lakmueshme në këtë aspekt, duke u përballur me sfida të mëdha për sa i përket përkthimit dhe duke i tejkaluar ato me sukses, pra duke i ndihmuar institucionet shtetërore në përkthimin e shkresave të ndryshme administrative, akteve ligjore, rregulloreve e dokumenteve, formularëve të shumtë për nevojat e qytetarëve etj. Pa dyshim, këtë punë do të vazhdojë ta bëjë edhe më tej duke u ndodhur gjithmonë në krye të detyrave dhe duke i realizuar ato nga kolegët tanë të cilët tashmë janë stërvitur dhe profesionalizuar për këtë punë.
Uroj që shënimi i kësaj dite, në radhë të parë, të jetë një thirrje dhe një mesazh për t’i respektuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, pra gjuhët e ndryshme të cilat jetojnë dhe përdoren pranë njëjra-tjetrës, siç janë shqipja dhe maqedonishtja, të cilat patjetër duhet të gjejnë mënyra adekuate dhe të krijojnë harmoni të plotë qytetare. Natyrisht, kjo frymë do të na bëjë më të lirë dhe më demokratikë, që një ditë gjërat të rrjedhin natyrshëm, pa pasur nevojë për përkthim, thjesht duke komunikuar secili në gjuhën e vet dhe duke e kuptuar tjetrin në gjuhën e tij. Kjo nuk është utopi, por vizion qytetar.
Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Përkthimit!
You might also like

Njoftime
Shiko të gjithaBuletin
Shiko të gjithaFurnizime Publike
Shiko të gjithaInformacion kontakti
-
rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut -
Phone number
02 312 1731
- Email
info@apj.gov.mk - Email