Java e pestë e trajnimit në AZGj, trajton temën “Njohja e gjuhës dhe e terminologjisë profesionale, parakusht për përkthimin e specializuar”

May 26, 2023

Java e pestë e trajnimit në AZGj, trajton temën “Njohja e gjuhës dhe e terminologjisë profesionale, parakusht për përkthimin e specializuar”

 

Profesorët Arta Selmani dhe Izer Maksuti janë ligjëruesit, të cilët në kuadër të trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve nga institucione të ndryshme dhe administratës publike, do të japin këtë javë leksione në auditorët e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së.

Prof. dr. Arta Selimi, në lidhje me temën “Përkthimi ligjor (juridik)”, ka vendosur të përfshijë një numër të madh termash profesionale nga disa fusha të jurisprudencës.

“Do të vë theksin në disa lëmi terminologjike, nga ato civile, administrative, kushtetuese, familjare, trashëgimore e deri tek ato penale e të tjera. Do të mundohem që brenda një grupi të audiencës të shpjegoj 400 terma juridikë”.

Prof. dr. Izer Maksuti auditorit të përkthyesve dhe lektorëve do t’ua shpjegojë temën, “Përkthimi i teksteve të specializuara”.

“Veçoritë e teksteve të specializuara nga fusha të ndryshme shkencore, do të jetë fokusi i leksionit tim. Do të ndalem në dy rrafshe, dallueshmëria ndërmjet tyre dhe si të lehtësojmë përkthimin. Përkthim do të thotë kuptim. Është pikërisht njohja e gjuhës profesionale dhe terminologjisë, si parakusht i përkthimit të specializuar”.

Kontributi shtesë që jep AZGj-ja për përshpejtimin e procesit të zbatimit të dygjuhësisë në RMV, ju mundëson përkthyesve dhe lektorëve t’i njohin sa më mirë labirintet e gjuhës profesionale, për ta mundësuar zbatimin e saj sa më të qartë në praktikën e përditshmërisë.

You might also like

News

Përfaqësues të AZGj-së morën pjesë në Samitin e III të Diasporës Shqiptare në Tiranë

 Me ftesë të organizatorëve të Samitit të Tretë të Diasporës Shqiptare, përfaqësues të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, me në krye drejtorin Ardian Musliu, qëndruan në Tiranë për t’i ndjekur punimet e Samitit.Samiti filloi paraprakisht me Ditën e Arbëreshëve në një datë simbolike, 22 Nëntorin, dita kur në Manastir u mbajt Kongresi i Manastirit. Përfaqësuesit e AZGj-së, jo vetëm ndoqën aktivitetet e traditës arbëreshe, por vendosën kontakte për rrugët e bashkëpunimit me të gjitha komunat arbëreshe në jug të Italisë, për të ofruar ndihmë profesionale në ruajtjen e gjuhës, bashkëpunim që do të përfshijë avancimin e gjuhës shqipe tek arbëreshët e Italisë.Në ditën e dytë të Samitit, përfaqësuesit e AZGj-së, përveç manifestimit qëndror në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, i ndoqën gati të gjitha panelet, me tema të ndryshme diskutimesh, rreth bashkëpunimit ndërmjet diasporës shqiptare nëpër botë. Ndërkohë, u përqëndruan te paneli i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë, ku tema kryesore ishte gjuha shqipe, në veçanti arsimi në përgjithësi.Në vijimësi në foltoren e Samitit të Tretë të Diasporës, u ngjitën personalitete nga Shqipëria dhe diaspora, si dhe emra të njohur shqiptarësh, të cilët përcollën kryesisht mesazhet e tyre me një thelb të rëndësishëm të përbashkët, për të shkruar një faqe të re bashkëpunimi me synime të përbashkëta.Në Samit kishte një pjesëmarrje shumë të madhe të udhëheqësve më të lartë nga shtetet shqiptare, apo shqiptarë shtetëformues, si dhe njerëz me ndikim në diasporë, të suksesshëm në veprimtaritë e tyre, të cilët ngrenë imazhin e popullit tonë kudo nëpër botë.

News

Përdorimi i gjuhës shqipe edhe në gjyqësor

 Ka filluar procesi i përdorimit të gjuhës shqipe edhe në procedurat gjyqësore në RMV. Në këtë kuadër përfaqësues të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës u ftuan në Institucionin e Avokaturës së Shtetit, për të rënë dakort për redaktimin profesional gjuhësor të teksteve dhe të procedurave të tjera gjyqësore.Avokati i Shtetit, Agron Reçi, dhe bashkëpunëtorja e përkthimit Xhejlane Halimi, i pritën në hapësirat e Avokaturës së RMV-së, përfaqësuesit e AZGj-së, drejtorin Ardian Musliun, përgjegjësin e përkthimit dhe të redaktimit gjuhësor, Nebi Bilallin, këshilltarin shtetëror të bashkëpunimit me qeverinë dhe marëdhëniet me publikun, Jeton Sulejmanin dhe përfaqësuesen e kabinetit të drejtorit Nerxhivane Kuqin.Z. Reçi nga pozicioni i drejtorit të Avokaturës së Shtetit, kërkoi nga përfaqësuesit e AZGj-së, të redaktojnë një numër të konsiderueshëm shkresash dhe tekstesh delikate të akteve, procedurave e formaliteteve të tjera gjyqësore, që janë në kompetencë të Avokaturës së Shtetit të RMV-së, në gjuhën shqipe.Nga ana e AZGj-së u zotuan se do të lekturohen dhe do të redaktohen me përgjegjesi profesionale të gjitha materialet që do të dërgohen, e gjith kjo në funksion të zbatimit sa më të shpejtë të gjuhës shqipe edhe në këtë fushë të administratës gjyqësore.Me këtë bashkëpunim midis AZGj-së dhe Avokaturës së Shtetit, avancohet në një stad më të lartë procesi i dygjuhësisë në RMV

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk