U arrit bashkëpunim ndërinstitucional me Drejtorinë e Doganave
Feb 9, 2021
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, Ylber Sela, e vizitoi Drejtorinë e Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku realizoi një takim pune me drejtorin, Goran Sugareski. Në takim u shqyrtua gjendja lidhur me zbatimin e detyrimeve të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, në Drejtorinë e Doganave, duke përfshirë Drejtorinë Qendrore, doganat rajonale dhe filialet e doganave që funksionojnë në kuadër të tyre. Drejtori Sela, së bashku me përfaqësuesit e AZGJ-së, Jeton Sulejmani nga Sektori i Çështjeve të Përgjithshme dhe Juridike dhe i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore dhe Llazo Matovski nga Sektori i Mbështetjes së Drejtorit, u informuan hollësisht nga Valentina Pivarova, ndihmësdrejtoreshë në Sektorin e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore dhe Zoran Petkovski, ndihmësdrejtor në Sektorin e Punëve Administrative dhe Teknike, për aktivitetet e ndërmarra deri tani nga ana e Drejtorisë së Doganave lidhur me realizimin e detyrimeve që dalin nga zgjidhja ligjore për përdorimin e gjuhëve. Përkundër mosrealizimit në kohë të detyrimeve të caktuara, në takim u arrit bashkëpunim i përbashkët në nivel të grupeve të punës, me qëllim ndjekjen e gjendjes dhe harmonizimin me dispozitat ligjore. Në fund të takimit, drejtori Sela dorëzoi një pako botimesh të AZGj-së, ndërkaq u ofrua edhe ndihmë profesionale sa i takon përkthimit të formularëve, si dhe lekturimit të akteve zyrtare për nevojat e Drejtorisë së Doganave.
Vizitë e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në Komunën e Çashkës
Feb 5, 2021
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, Ylber Sela, vizitoi Кomunën e Çashkës, ku zhvilloi një takim pune me kryetarin e saj, Goran Stojanovskin. Duke iu falënderuar për mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë, drejtori Sela e informoi kryetarin Stojanovski se cikli i planifikuar i vizitave në njësitë e vetëqeverisjes lokale fillon pikërisht nga Komuna e Çashkës, në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga maqedonishtja, por që do të realizohet gjatë këtij viti. Gjithashtu, drejtori Sela kishte rastin që drejtpërdrejt nga terreni ta shohë situatën me zbatimin e gjuhëve zyrtare në Komunën e Çashkës, si njëra nga komunat me sipërfaqe më të madhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare është edhe shqipja dhe alfabeti i saj, duke marrë parasysh përfaqësimin etnik të popullsisë. Përkundër përparimit të konstatuar, mbetet që të ndërmerren aktivitete të mëtejshme dhe përpjekje shtesë lidhur me ekipimin e komunës për përkthimin dhe lekturimin e dokumentacionit zyrtar, sigurimin e shërbimeve komunale efikase në gjuhët zyrtare për qytetarët, harmonizimin në pjesën e emërtimeve të objekteve të infrastrukturës brenda komunës dhe shkrimin e tyre në gjuhët zyrtare etj. Në këtë pjesë, drejtori Sela ofroi ndihmë profesionale nga ana e AZGJ-së për përkthimin dhe lekturimin e formularëve, kërkesave dhe akteve të tjera zyrtare që përdoren nga qytetarët si shfrytëzues të shërbimeve komunale. Të dyja palët këtë takim e vlerësuan si tejet të dobishëm dhe frytdhënës, për çka u zotuan për avancimin e bashkëpunimit dhe komunikimit midis dy institucioneve.
Njoftim
Feb 1, 2021
Në kontekstin e diskutimit publik lidhur me përmbajtjen e librave që janë në përdorim të procesit mësimor në të gjitha nivelet e arsimit, dëshirojmë t’ju informojmë se më 21 dhjetor 2020, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, me vetiniciativë ka realizuar një takim pune në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës (MASH) me ministren Milla Carovska. Pas takimit të mbajtur më 11 janar 2021, nga ana e AZGJ-së i është dërguar shkresë me shkrim MASH-it në lidhje me propozimet e diskutuara për bashkëpunim të përbashkët për interesin e tërë shoqërisë, para se gjithash, për bashkëpunim në proceset arsimore që në vete përfshijnë mësimin si në gjuhën shqipe, ashtu edhe atë në gjuhën maqedonase. Përveç ndihmës së ofruar nga ana e drejtorit Ylber Sela për lekturë dhe sipas nevojës, edhe përkthim të të gjithë formularëve, akteve, të cilat janë në përdorim të përditshëm në MASH, dhe që janë të domosdoshme për komunikim ndërmjet palëve dhe kësaj ministrie, AZGJ-ja ka propozuar që të jetë e përfshirë edhe në debatet që i organizon MASH-i dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit në lidhje me librat e të gjitha programeve mësimore ku AZGJ-ja mund të japë kontribut të rëndësishëm me angazhimin e shkencëtarëve nga vendi dhe nga jashtë, sidomos nga fusha e gjuhës shqipe. AZGJ-ja angazhohet për unifikimin e gjuhës standarde shqipe me qëllim të lehtësimit të procesit arsimor që zhvillohet në gjuhën shqipe, por edhe për zhvillimin e pandërprerë të punës së të gjitha institucioneve shtetërore në kuptimin e përdorimit të terminologjisë dhe leksikut të drejtë.
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela vizitoi Ministrinë e Transportit dhe të Lidhjeve
Jan 22, 2021
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së, Ylber Sela, vizitoi Ministrinë e Transportit dhe të Lidhjeve, ku pati një takim pune me ministrin Bllagoj Boçvarski dhe zëvendësministrin Bekim Rexhepi. Gjatë këtij takimi drejtori Sela shfaqi interes për bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe të Lidhjeve në aspektin e zbatimit të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga Ligji i Përdorimit të Gjuhëve dhe realizimin e të drejtave të personave fizikë dhe juridikë në procedurat përballë kësaj ministrie. Njëherazi, drejtori Sela i dhuroi disa botime të AZGJ-së dhe ofroi ndihmë profesionale në pjesën e përkthimit dhe lekturimit të formularëve zyrtarë për nevojat e kësaj ministrie. Të dyja palët u zotuan për ta intesifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="5280,5283"]
Takim pune i drejtorit Sela me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe zëvendësministrin Nazim Bushi
Jan 21, 2021
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, Ylber Sela e vizitoi Ministrinë e Punëve të Brendshme ku dhe realizoi takim pune me ministrin e këtij institucioni, Oliver Spasovski dhe me zëvendësministrin Nazim Bushi. Me këtë rast, drejtori Sela e informoi ministrin Spasovski për bashkëpunimin tashmë të vendosur me Ministrinë e Punëve të Brendshme si një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke theksuar se në vitin 2020 u përkthyen dhe u lekturuan formularët zyrtarë të kësaj ministrie për nevojat e Seksionit të Çështjeve Civile. Gjithashtu, drejtori Sela shprehu interes për promovimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe mirëpriti angazhimin e ministrit Spasovski në zbatimin e detyrimeve të zgjidhjes ligjore për përdorimin e gjuhëve, dhe për realizimin e të drejtave të qytetarëve në procedurat përballë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të dy palët e vlerësuan takimin si jashtëzakonisht të dobishëm dhe u zotuan të vazhdojnë dialogun dhe bashkëpunimin e vendosur. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="5262,5271"]
AZGJ-ja e vazhdon bashkëpunimin me sektorin joqeveritar
Jan 18, 2021
Në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës (AZGJ) sot u mbajt një takim pune në mes drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela dhe drejtorit ekzekutiv të shoqatës së qytetarëve Nansen Qendra e Dialogut Shkup (NQD), Veton Zekolli. Në kuadër të këtij takimi, zotëri Zekolli për nevojat e bibliotekës së AZGJ-së, dhuroi disa ekzemplarë të udhëzuesit maqedonisht-shqip dhe shqip-maqedonisht, në botim të NQD-së. Drejtori Sela u falënderua për ekzemplarët e siguruar të udhëzuesit dhe njëkohësisht e informoi bashkëbiseduesin e tij se gjatë vitit 2021 AZGJ-ja planifikon të ndërmarrë aktivitete për krijimin e një fjalori digjital, si dhe fillimin e aktiviteteve për trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve nga institucionet e sektorit publik. Të dyja palët shprehën gatishmëri për vazhdimin dhe përparimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit në projekte me interes të përbashkët. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="5253"]
AZGJ-ja filloi bashkëpunimin me Këshillin Britanik
Jan 18, 2021
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, pati një takim online me drejtoreshën e Këshillit Britanik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Eleonora Zaprova. Takimi u mbajt me kërkesë të drejtorit Sela, duke marrë parasysh rëndësinë dhe përvojën e Këshillit Britanik në fushën e arsimit, të kulturës, të trajnimit dhe të testimit në gjuhën angleze, si dhe në punën e sektorin civil. Drejtori Sela e njohu bashkëbiseduesen e tij me punën e AZGJ-së, me projektet e planifikuara në të ardhmen, siç është krijimi i një fjalori digjital (maqedonisht-shqip, shqip-maqedonisht, me mundësi për ta përditësuar edhe në anglisht), si dhe fillimin e funksionimit të qendrës së trajnimit të përkthyesve dhe të lektorëve të institucioneve të sektorit publik, e cila do të veprojë në kuadër të AZGJ-së. Drejtoresha Zaprova u shpreh e hapur për bashkëpunim me AZGJ-në, dhe gjithashtu ndau përvojën e saj në lidhje me zbatimin e trajnimeve dhe testeve gjuhësore, si dhe zhvillimin e një metodologjie për të mësuar një gjuhë joamtare. Të dyja palët e vlerësuan takimin si shumë të dobishëm dhe ranë dakord që dialogu të vazhdojë me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimin në të ardhmen. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="5244"]
Takim online i drejtorit Sela me Komisionin Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit (KSHPK)
Jan 14, 2021
Sot, drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, pati një takim online me Biljana Ivanovskën, Kryetare e Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit (KSHPK) dhe anëtarët e komisionit. Takimi u zhvillua me kërkesë të drejtorit Sela në mënyrë që të ofrojë mbështetjen e AZGJ-së në fushën e përkthimit dhe të lekturës së dokumenteve zyrtare, të formularëve, të akteve që dalin nga puna e KSHPK-së, duke pasur parasysh se ajo nuk ka kuadro përkthimi dhe lekture. Kryetarja e KSHPK-së shprehu mirënjohjen për takimin shumë konstruktiv, ofrimin e bashkëpunimit dhe të mbështetjes nga AZGJ-ja, duke theksuar se aktualisht KSHPK-ja nuk ka përkthyes dhe lektor për gjuhën shqipe, dhe derisa kjo situatë të tejkalohet do të llogarisë në bashkëpunimin e ofruar nga AZGJ-ja, për shkak të mbarëvajtjes së proceseve të punës. Të dy palët u zotuan të intensifikojnë bashkëpunimin ndërinstitucional në të ardhmen. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="5223,5226"]
Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së, Tahir Hani e vizitoi AZGJ-në
Jan 4, 2021
Ditën e parë të punës në vitin 2021, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e filloi me një vizitë të zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së RMV-së, Tahir Hani, të cilin sot e priti në zyrën e tij, drejtori Ylber Sela. Gjatë takimit në fjalë u fol për bashkëpunimin shumë të frytshëm ndërmjet këtyre dy institucioneve që kanë pasur deri tani, për ndihmën e ndërsjellë që e kanë ofruar në aspektin e zbatimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, si dhe për shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me vështirësitë dhe pengesat e zbatimit praktik të gjuhëve zyrtare. Po ashtu, ata u zotuan se ky bashkëpunim i ngushtë do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, duke theksuar faktin se na presin edhe shumë sfida dhe punë lidhur me zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. [gallery bgs_gallery_image_size="full" bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="5235"]
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale përforcojnë bashkëpunimin
Dec 23, 2020
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela sot vizitoi Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, ku realizoi takim pune me ministrin e saj, Goran Milevski. Në takim u diskutua për çështjet që u vlerësuan si prioritet në pjesën e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në realizimin operativ të kompetencave të kësaj ministrie. Drejtori Ylber Sela theksoi se kjo ministri është një subjekt i rëndësishëm institucional që kujdeset për funksionimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale në interes të ofrimit të shërbimeve publike cilësore për qytetarët dhe për realizimin e të drejtave të tyre, duke përfshirë përdorimin e gjuhëve zyrtare në procedurat administrative. Bashkëbiseduesit konstatuan se ministria po ballafaqohet me kapacitet të kufizuar të kuadrit për përkthim dhe lekturë, ku drejtori Sela u ofroi ndihmë për tejkalimin e kësaj situate nëpërmjet shërbimeve profesionale nga ana e AZGJ-së në pjesën e përkthimit dhe të lekturimit të akteve zyrtare në kompetencë të ministrisë. Gjithashtu, u shkëmbyen edhe ide për bashkëpunim në projektet e ardhshme në pjesën e përgatitjes së publikimeve për përdorimin e gjuhëve zyrtare në njësitë e vetëqeverisjes lokale, si dhe iniciativa të tjera për të cilat do të diskutohen modalitetet për realizimin e tyre. [gallery bgs_gallery_image_size="full" bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="5149,5152"]
Njoftime
Shiko të gjithaBuletin
Shiko të gjithaFurnizime Publike
Shiko të gjithaInformacion kontakti
-
St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia -
Phone number
02 312 1731
- Email
info@apj.gov.mk - Email