Vizitë e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në Komunën e Çashkës

Feb 5, 2021

Vizitë e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në Komunën e Çashkës
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, Ylber Sela, vizitoi Кomunën e Çashkës, ku zhvilloi një takim pune me kryetarin e saj, Goran Stojanovskin.
Duke iu falënderuar për mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë, drejtori Sela e informoi kryetarin Stojanovski se cikli i planifikuar i vizitave në njësitë e vetëqeverisjes lokale fillon pikërisht nga Komuna e Çashkës, në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga maqedonishtja, por që do të realizohet gjatë këtij viti.
Gjithashtu, drejtori Sela kishte rastin që drejtpërdrejt nga terreni ta shohë situatën me zbatimin e gjuhëve zyrtare në Komunën e Çashkës, si njëra nga komunat me sipërfaqe më të madhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare është edhe shqipja dhe alfabeti i saj, duke marrë parasysh përfaqësimin etnik të popullsisë. Përkundër përparimit të konstatuar, mbetet që të ndërmerren aktivitete të mëtejshme dhe përpjekje shtesë lidhur me ekipimin e komunës për përkthimin dhe lekturimin e dokumentacionit zyrtar, sigurimin e shërbimeve komunale efikase në gjuhët zyrtare për qytetarët, harmonizimin në pjesën e emërtimeve të objekteve të infrastrukturës brenda komunës dhe shkrimin e tyre në gjuhët zyrtare etj. Në këtë pjesë, drejtori Sela ofroi ndihmë profesionale nga ana e AZGJ-së për përkthimin dhe lekturimin e formularëve, kërkesave dhe akteve të tjera zyrtare që përdoren nga qytetarët si shfrytëzues të shërbimeve komunale.
Të dyja palët këtë takim e vlerësuan si tejet të dobishëm dhe frytdhënës, për çka u zotuan për avancimin e bashkëpunimit dhe komunikimit midis dy institucioneve.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk