Post image
Fjalimi i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela për Ditën e Alfabetit

Nov 21, 2020

Të dashur miq!Të rralla janë ngjarjet historike të cilat, jo vetëm që nuk harrohen e nuk zbehen fare nga kujtesa jonë kolektive, por, sa më shumë që kalon koha, bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, më frymëzuese dhe më ndërgjegjësuese për të gjithë ne. Pa dyshim, këtu bën pjesë edhe Kongresi i Alfabetit, ose Kongresi i Manastirit, i cili sivjet i mbush 112 vjet, si një ngjarje që shënoi kthesë të madhe dhe vendimtare në historinë kulturore të shqiptarëve dhe që e hapi edhe rrugën e konsolidimit shtetëror më 1912.Së pari, ky kongres është vetvetiu histori, për arsye se populli shqiptar për herë të parë arriti të formësohet në aspektin kulturor duke zgjedhur rrugën e duhur në udhëkryqin e ndërlikuar të historisë, thjesht duke u përcaktuar për modelin alfabetik që do ta përdorte, pra atë latin të cilin e përdorte gjithë Europa, ku gjeografikisht bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Në këtë mënyrë ndodhi rikthimi i natyrshëm në gjirin e vet kulturor e qytetërues.Së dyti, Kongresi i Alfabetit është vetvetiu një simbolikë e veçantë, për arsye se, që nga ajo ditë, kur mbizotëroi fryma e unitetit shqiptar, u bë udhërrëfyes edhe për shumë beteja të tjera të mëvonshme, duke shërbyer si shembull pozitiv se si mund të bëhen shumë gjëra të mëdha me anë të mirëkuptimit e bashkimit. Prandaj, edhe më tej vazhdon të mbetet simbolikë themelore e shqiptarëve, duke u bërë edhe referencë aktuale për arritjen e qëllimeve kulturore, arsimore, shkencore, politike e kombëtare.Së treti, Kongresi i Manastirit është një testament kulturor e qytetërues i shqiptarëve, të cilin e lexojnë dhe e analizojnë të gjitha brezat duke reflektuar në mënyrë pozitive e racionale. Sigurisht, edhe ne kemi fatin e madh që të flasim e të japim ndihmesë në këtë aspekt, si dhe ta përcjellim frymën e tij tek ata që do të vijnë pas nesh.Së katërti, Kongresi i Alfabetit na rikthen në kohë dhe në hapësirë, jo vetëm për ta përkujtuar në mënyrë nostalgjike si ngjarje, por edhe për t’u rikthyer fizikisht në qytetin e Manastirit si vatër e rëndësishme e Rilindjes sonë Kombëtare dhe për të dëshmuar kujdesin dhe mirënjohjen tonë ndaj tij, për t’i bërë sfidë harresës dhe shpërfilljes në këtë kohë marramendëse. Dhe si i tillë, Manastiri mbetet krenari kombëtare.Natyrisht, të gjitha këto mua personalisht më bëjnë jashtëzakonisht krenar si shqiptar, por aq më tepër edhe si drejtor që kam fatin ta udhëheq Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës Shqipe, e cila çdo ditë e më tepër jep ndihmesën e vet në zbatimin zyrtar të kësaj gjuhe, e cila shkruhet pikërisht me ato shkronja që u zgjodhën si model në Kongresin e Alfabetit më 1908 në Manastir.Uroj që kjo ngjarje të mbetet testament i përjetshëm kombëtar. Pa shkronja, nuk ka gjuhë. Pa gjuhë, nuk ka komb. Duhet ta kemi të qartë se vetëm me këto shkronja dhe me këtë gjuhë, ne do të quhemi shqiptarë në kuptimin thelbësor.Ju falemnderit!Linku i fjalimit të drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela për Ditën e Alfabetit

Post image
Drejtori Sela vizitoi Agjencinë e Kadastrës së Patundshmërive

Nov 19, 2020

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, e vizitoi Agjencinë e Kadastrës së Patundshmërive (AKP) ku realizoi takim pune me drejtorin Boris Tunxhev. Drejtori Sela theksoi se ky takim është në funksion të vështrimit të gjendjes në lidhje me zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në AKP si një institucion mjaft i rëndësishëm, shërbimet e të cilit çdo ditë shfrytëzohen nga qytetarët dhe që gjeneron një vëllim të madh dokumentesh për persona fizikë dhe juridikë. Gjatë vizitës, u konstatua se AKP-ja vonon me realizimin e detyrimeve ligjore dhe se, pavarësisht se është filluar me aktivitete të caktuara siç është përshtatja e përmbajtjes së ueb-faqes së AKP-së në gjuhët zyrtare dhe ndryshimi i emërtimeve të tabelave, të akteve zyrtare si formularëve, fletëparaqitjeve, kërkesave, fletëpronësive etj., megjithatë, qytetarët përsëri nuk mund t’i marrin të njëjtat në gjuhët zyrtare, me çka atyre u pamundësohet e drejta që shërbimet publike t’i realizojnë në gjuhët zyrtare. Drejtori Sela i dhuroi drejtorit Tunxhev publikime të botuara nga AZGJ-ja dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim me AKP-në, duke ofruar ndihmë profesionale për përkthimin dhe lekturën e formularëve, të fletëparaqitjeve, kërkesave, autorizimeve etj., dhënia e të cilave është kompetencë e AKP-së. Gjithashtu, drejtori Sela u shpreh se pret që të dinamizohet procesi i harmonizimit të AKP-së me detyrimet ligjore. Të dyja palët u angazhuan për të bashkëpunuar në interes të qytetarëve dhe të kenë koordinim të rregullt rreth çështjeve lidhur me implementimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="4919,4922"]

Post image
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës dhe Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale vazhdojnë bashkëpunimin e tyre

Nov 13, 2020

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, vizitoi Ministrinë e Punës dhe të Politikës Sociale, ku pati një takim pune me ministren Jagoda Shahpaska. Gjatë këtij takimi ata theksuan se kjo ministri paraqet një lidhje jashtëzakonisht të rëndësishme në sistemin institucional që siguron spektër të gjerë të shërbimeve publike për qytetarët në fushën e mbrojtjes sociale dhe në atë të fëmijëve, të sigurimit pensional dhe invalidor, mundësi të barabarta, marrëdhënie pune etj. Në këtë kontekst, ata vunë në dukje se është veçanërisht e rëndësishme të punohet në aspektin e zbatimit të plotë dhe të qëndrueshëm të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në interes të shfrytëzimit të së drejtës së qytetarëve për shërbimet publike të ministrisë në gjuhët zyrtare. Drejtori Sela shprehu gatishmëri për të mbështetur ministrinë në fushën e përkthimit dhe të lekturës së formularëve, kërkesave, certifikatave, licencave që i përdorin qytetarët në procedurat për realizimin e të drejtave të tyre ligjore. Ministrja Shahpaska theksoi se po ndërmerren aktivitete për përshtatjen e ueb faqes së ministrisë në të dy gjuhët zyrtare për të cilat ka përfunduar furnizimi publik. Gjithashtu, shtoi ajo, do të punohet në fushën e sigurimit të kuadrit profesional për përkthim dhe lekturë, për zhvillimin pa pengesa të procesit të përkthimit dhe lekturimit të akteve zyrtare të ministrisë në gjuhët zyrtare. Kjo vizitë e drejtorit Sela është e dyta në këtë ministri gjatë vitit 2020 dhe paraqet konfirmim të përpjekjeve të dy institucioneve për të vazhduar avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në interes të qytetarëve. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="4903,4906"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk