
Diversiteti gjuhësor kontribuon në kohezionin shoqëror
Sep 27, 2021
Me tryezën e rrumbullakët “Koncepti europian i diversitetit gjuhësor në realitetin e sotëm-gjendja dhe sfidat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës u përfshi në shënimin e 26 Shtatorit-Ditës Europiane të Gjuhëve, ku morën pjesë përfaqësues ambasadash të shteteve europiane dhe të institucioneve të vendit si dhe të sektorit joqeveritar. Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, në fjalën përshëndetëse theksoi se respektimi i konceptit të diversitetit gjuhësor është veçanërisht i rëndësishëm në një shoqëri shumëkulturore, shumëgjuhësore që pa dyshim kontribuon në forcimin e mirëkuptimit reciprok midis etnive të ndryshme si dhe avancimin e kohezionit dhe veprimit ndëretnik. “Prandaj mendoj se ky koncept duhet të ruhet dhe të mirëmbahet vazhdimisht”, tha drejtori Sela, duke përkujtuar se miratimi i Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve më 2019 është një hap përpara në realizimin e përpjekjeve për forcimin e proceseve demokratike, garantimin e të drejtave gjuhësore të qytetarëve dhe avancimin e karakterit shumëgjuhësor të shoqërisë. Anke Holshtajn (Anke Holstein), ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë, foli për përvojat e saj me situata që ka hasur duke qenë e angazhuar vite me radhë në Bruksel. Në lidhje me përdorimin e gjuhëve, ajo theksoi se në parimet dhe idetë e BE-së është diversiteti, uniteti dhe garantimi i përdorimit të gjuhës për secilin dhe mundësia për të pasur qasje në dokumentet zyrtare të BE-së edhe atë të përkthyera në të gjithë gjuhët që fliten në BE. Në këtë kontekst përmendi pozicionin që kanë gjuhët, anglishtja dhe frëngjishtja si kryesore në politikat e sigurisë, por dhe gjuhët e tjera më të vogla në kuadër të organeve të BE-së. Holshtajn foli për përkthimin si proces brenda BE-së dhe vështirësitë që ajo ka hasur gjatë punës së saj në institucionet e BE-së, si pjesë e delegacionit gjerman. Ajo u ndal edhe te përvojat gjermane, te gjuha zyrtare gjermane, gjuhët e minoriteteve dhe problemin e inkluzivitetit të emigrantëve të cilët në familjet e tyre vazhdojë të flasin vetëm gjuhën amtare, duke mos e mësuar atë gjermane. Sipas saj, kushdo që vjen në Gjermani dhe dëshiron që të jetojë aty, atëherë duhet ta mësojë edhe gjuhën gjermane. Lusien Aegerter (Lucien Aegerter), zëvendësshef i Misionit dhe zëvendësshef i Bashkëpunimit në Ambasadën e Konfederatës Zvicerane në RMV, në fillim të fjalës së tij tha se shumëllojshmëria e gjuhëve është vlerë thelbësore e identitetit zviceran. “Zvicra dhe Maqedonia e Veriut kanë shumë të përbashkëta, të qenët shtete shumëgjuhëshe është në qendër të miqësisë sonë të fortë. Të dyja vendet e mbajnë lartë dhe e mbrojnë shumëllojshmërinë e gjuhëve, dhe si të tilla, dy shtetet tona kanë shumë të përbashkëta dhe mund të ndajnë pikëpamje dhe përvoja”, tha ai. Më tutje ai përmendi gjuhët zyrtare në Zvicër, gjermanishten (63%), frëngjishten (23%), italishten (8%), dhe retoromanishten (gjysmë për qind). Për Zvicrën, shumëllojshmëria e gjuhëve do të thotë që të gjitha shërbimet e pushtetit qendror ofrohen në të tri gjuhët kryesore (retoromanishtja ka status të veçantë). Kjo do të thotë se kusht për punësim në administratën e pushtetit qendror është njohja e rrjedhshme e së paku dy gjuhëve kombëtare dhe njohje pasive e së tretës. Me fjalë të tjera, shumica gjuhësore po ashtu duhet të ketë sadopak njohuri të gjuhës së pakicës, e jo vetëm e kundërta, tha Agerter. Eran Kurtish, drejtor i Agencisë së Realizimit të të Drejtave të Bashkësive, foli për rolin e kësaj agjencie në mbrojtjen e bashkësive me përfaqësim më të vogël se 20 për qind dhe për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve. Ismail Demiroviq, këshilltar në Drejtorinë e Zhvillimit dhe të Përparimit të Arsimit në Gjuhët e Bashkësive, midis tjerash tha se qëllimi kryesor i gjuhës është që njerëzit të këmbejnë mendime, dituri dhe ide. Ana Popova Manasievska, kryetare e Shoqatës së Përkthyesve dhe të Interpretëve (MATA) tha se Dita Europiane e Gjuhëve është shkas i mirë të flasim në temën e gjuhëve dhe se ne duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë përdorimin që të jetojmë bashkë. Veton Zekolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Dialog Nansen në Shkup, përkujtoi se në botë fliten 6000-7000 gjuhë të ndryshme, me çka diversiteti gjuhësor shihet në çdo cep të tokës, që duhet pranuar si një pasuri e pashtershme. E drejta e shprehjes në gjuhë amtare dhe e drejta e arsimit në gjuhë amtare, tha ai, janë të drejta universale të cilat nuk duhet të cenohen, ndërkaq mospërfillja sjell deri te konfliktet e padëshiruara të cilat ndikojnë rrënjësisht në një shoqëri shumetnike e shumëgjuhësore. Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve, tha se RMV si një vend me shumëllojshmëri kulturore, fetare dhe gjuhësore, krijon dhe zbaton politika që zhvillojnë vlerat e unitetit dhe të besimit ndëretnik. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="6537,6540,6543,6546,6549"]

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela vizitoi SHFK “Dimitar Miladinov”, Komuna e Qendrës
Sep 23, 2021
Me ftesë të Shkollës Fillore Komunale “Dimitar Milladinov” nga Komuna e Qendrës, drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela mori pjesë në një aktivitet me të cilin kjo shkollë shënoi Ditën Europiane të Gjuhëve. Drejtori Sela, së bashku me ambasadorin francez, shkëlqesia e tij, Siril Baumgartner, i cili gjithashtu ishte prezent në ngjarje, pati mundësinë të ndiqte programin e përgatitur nga shkolla e cila e feston simbolikën e Ditës Europiane të Gjuhëve, diversitetin gjuhësor dhe rëndësinë e zhvillimit të aftësisë shumëgjuhësore të nxënësve. Duke e falënderuar për ftesën e dërguar nga drejtoresha e shkollës, zonja Marija Varsamis Simonovska, drejtori Sela theksoi se është veçanërisht i kënaqur që shkolla është e hapur për bashkëpunim me institucionet e tjera publike me kompetenca për zbatimin e politikave gjuhësore dhe se, në këtë aspekt, AZGJ-ja do të vazhdojë të mbështesë aktivitete të tilla që promovojnë vlera pozitive, zhvillimin e shumëgjuhësisë si mjet i dialogut ndërkulturor midis bashkësive, duke krijuar kështu një shoqëri gjithëpërfshirëse. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6528,6525"]

AZGJ dhe MAPAS ranë dakord për bashkëpunim
Sep 14, 2021
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, realizoi takim pune me delegacionin e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Financimit Kapital të Sigurimit Pensional (MAPAS), të përfaqësuar nga Shpresa Rexhepi, këshilltare e burimeve njerëzore dhe Dionis Stratrov, udhëheqës i Njësisë së çështjeve administrative dhe furnizimeve publike. Në takimin e punës u diskutua rreth situatës në lidhje me harmonizimin e punës së MAPAS-it me dispozitat e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, mënyrën e bashkëpunimit rreth përkthimit të akteve nënligjore dhe formularëve zyrtarë, si dhe lekturimin e akteve të MAPAS-it të cilat shpallen në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Drejtori Sela shprehu gatishmëri që AZGJ-ja ta mbështetë punën e MAPAS-it si subjekt institucional që mbikëqyr funksionimin e fondeve të pensioneve me qëllimin përfundimtar për të mbrojtur interesat e anëtarëve të tyre, përkatësisht të siguruarit. Të dyja palët ranë dakord se takimet e tilla janë reciprokisht të dobishme dhe se koordinimi në nivel ndërinstitucional do të vazhdojë në baza të rregullta. Shkup, 14.9.2021

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela takoi sekretarin e MPPS-së, Resmi Ejupi
Sep 14, 2021
Sot në AZGj qëndroi Resmi Ejupi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punës dhe të Politikës Sociale, i cili bashkë me kolegët e tij realizuan takim me drejtorin e AZGJ-së, Ylber Sela, për t’u konsultuar rreth disa çështjeve për sa i përket zbatimit të gjuhës shqipe në këtë ministri. Gjatë këtij takimi, drejtori i AZGJ-së Ylber Sela dhe sekretari shtetëror Ejupi biseduan lidhur me zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në institucionet shtetërore, ndërkaq me këtë rast drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela i ofroi mbështetje të plotë dhe ndihmë nga shërbimet e AZGJ-së në aspektin e përkthimit dhe të lekturës së dokumenteve të nevojshme. Bashkëbiseduesit u dakorduan për bashkëpunim të mëtejshëm mes dy institucioneve, në mënyrë që zbatimi i dispozitave të ligjit të jetë në nivelin e duhur në këtë institucion. Shkup, 14.9.2021

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela zhvilloi takim pune me koordinatorin e TIKA-së
Sep 13, 2021
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, Ylber Sela, realizoi takim pune me z. Halim Omer Sogut, koordinator i programit të Agjencisë Turke të Bashkëpunimit dhe të Koordinimit – TIKA në Shkup. Duke e faleminderuar për takimin, drejtori Sela e theksoi rolin e rëndësishëm që ka TIKA në aspektin e mbështetjes për projektet e sferave të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast ai e njoftoi bashkëbiseduesin e tij lidhur me punën e deritanishme të AZGJ-së. Në këtë kontekst, të dy përfaqësuesit patën mundësi për të shkëmbyer mendime për mbështetjen e mundshme nga TIKA për projektet prioritare që do të realizoheshin nga ana e AZGJ-së. Të dyja palët e vlerësuan takimin si shumë të dobishëm duke theksuar se mundësitë mbeten të hapura për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin në projekte me interes të përbashkët. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="6482"]

Në AZGJ u promovua libri “Koha e ardhme e foljes në gjuhën shqipe” i autorit dr. Sejdi Gashi
Sep 7, 2021
Në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës në Shkup sot u promovua libri “Koha e ardhme e foljes në gjuhën shqipe” i autorit dr. Sejdi Gashi. Në fillim të këtij aktiviteti, të pranishmit në AZGJ, si dhe mysafirët nga Prishtina që ishin në linjë të drejtpërdrejtë, i përshëndeti drejtori Ylber Sela duke theksuar se dyert e institucionit të tij do të jenë përherë të hapura për bashkëpunime që janë në interes të gjuhës shqipe. Për librin në fjalë folën studiuesit Begzat Balliu dhe Naim Berisha nga Prishtina të cilët vunë në dukje vlerat shkencore të kësaj vepre. Po ashtu, për librin “Koha e ardhme e foljes në gjuhën shqipe” foli edhe Ahmet Selmani, përgjegjës i Sektorit të përkthimit dhe lekturës në AZGJ, i cili theksoi disa aspekte që e karakterizojnë këtë vepër. Në diskutim u përfshirë edhe disa pjesëmarrës të tjerë dhe fjalën përfundimtare e pati vetë autori i librit, dr. Sejdi Gashi. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="6469,6472,6466,6463"]

Përfundoi trajnimi për udhëheqjen me ciklin projektues për punonjësit e AZGJ-së
Sep 6, 2021
Në hotelin “Arka” në Shkup, në periudhën nga 1 deri më 3 shtator, u mbajt trajnim mbi udhëheqjen e ciklit projektues dhe menaxhimin projektues ku morën pjesë gjithsej 20 persona të punësuar tek Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së. Realizimi i Trajnimit u mbështet nga Misioni i OSBE-së në Shkup, në përpajtim me Planin Vjetor të Veprimit që rezulton nga Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar midis Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, për të zbatuar aktivitete të përbashkëta për periudhën 2021- 2024. Përveç financimit të aktiviteteve që lidhen me realizimin e trajnimit, Misioni i OSBE -së në Shkup siguroi ekspertizën e nevojshme me angazhimin e dy ekspertëve në këtë fushë (Znj. Sunçica Sazdovska dhe Znj. Valentina Çiçeva) dhe në bashkëpunim me APJ-në, i koordinonte aktivitetet e nevojshme që lidhen me mirëmbajtjen e suksesshme të trajnimit. Në ditën e parë, para fillimit të trajnimit, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, përfaqësuar nga drejtori Ylber Sela dhe Misionit të OSBE -së në Shkup, përfaqësuar nga Shefi i Misionit, Ambasadori Klemens Koja. Në fjalimin e tij pas nënshkrimit, drejtori Sela theksoi se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së i kushton një rëndësi të madhe bashkëpunimit me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, përmes Misionit të saj në Shkup, duke njohur rolin e saj të rëndësishëm në ofrimin e mbështetjes në forcimin e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve, promovimin e kohezionit social dhe promovimin e marrëdhënieve ndëretnike, përmes bashkëpunimit, përfshirjes dhe respektimit të diversitetit të komunitetit. Akti i nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit përfaqëson një hap përpara në krijimin e një kornize zyrtare për bashkëpunim midis Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, për të zbatuar aktivitete të përbashkëta të koordinuara në fushën e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, mbështetje për punën e agjencisë në ngritjen e kapacitetit institucional dhe zbatimin e qëllimeve të saj programore. Pas nënshkrimit të Memorandumit, u prezantua qëllimi dhe programi i trajnimit dhe pjesa përmbajtëse e trajnimit përfshiu ligjërata në pjesën e udhëheqjes së projekteve; fazat e ciklit projektues; planifikim të projekteve orientuar drejt qëllimit; identifikimi i problemeve dhe qëllimeve; analiza e gjendjes; kriter për përzgjedhje, zgjedhja e strategjisë për projekt, si dhe prezantimi i Planit Strategjik të AZGJ-së dhe puna në grupe për ushtrime praktike. Dita e dytë e trajnimit iu kushtua konceptit të kornizës logjike: logjika e ndërhyrjes; parakushtet, supozimet, treguesit dhe burimet e verifikimit, të ndjekur me prezantim të shembujve praktikë dhe ushtrime në grup. Dita e tretë dhe e fundit e trajnimit u përqendrua në përcaktimin e aktiviteteve për të arritur rezultate; alokimi i burimeve për aktivitetet e planifikuara; përgatitja e projekt-buxhetit; ushtrime praktike, si dhe vlerësim të trajnimit. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësve iu ndanë certifikata për pjesëmarrje në trajnimin tematik. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6447,6450,6453"]

AZGJ dhe Misioni i OSBE-së në Shkup nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi
Sep 1, 2021
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, e përfaqësuar nga drejtori Ylber Sela, nënshkroi Memorandum Bashkëpunimi me Misionin e OSBE-së në Shkup, e përfaqësuar nga shefi i Misionit, ambasadorin Klemens Koja. Memorandumi paraqet formalizim të bashkëpunimit ndërmjet dy palëve në zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta për periudhën 2021-2024, përmes zbatimit të aktiviteteve të koordinuara që synojnë zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, mbështetjen e Agjencisë në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e qëllimeve të programit të saj, me mbështetjen e Misionit të OSBE -së në Shkup. Si rezultat i bashkëpunimit, pas nënshkrimit të Memorandumit, filloi të realizohet aktiviteti i përbashkët, përkatësisht zbatimi i trajnimit treditor, që synon të mbështesë përpjekjet e Agjencisë për rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale për përpunimin dhe realizimin e projekteve dhe menaxhimin e tyre. [gallery bgs_gallery_image_size="full" bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="6427,6430,6436,6433,6424"]

Nis bashkëpunimi mes Agjencisë së Mbështetjes Financiare të Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural dhe Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës
Aug 12, 2021
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela sot priti në takim zëvendësdrejtorin e Agjencisë së Mbështetjes Financiare të Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, Remzi Abdullahin dhe bashkëpunëtorët e tij . Në këtë takim u diskutua për shkallën e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhës Shqipe në këtë institucion dhe mënyrat më të lehta për zbatimin e tij, për të qenë më afër këtij komuniteti. Me këtë rast, zëvendësdrejtori Abdullahi kërkoi sqarime shtesë dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për zbatimin e ligjit në Agjencinë e Mbështetjes Financiare të Bujqësisë, ndërkaq drejtori Sela ofroi mbështetje të plotë të AZGJ-së në përkthimin e akteve, të shkresave dhe të formularëve me ato kapacitete që zotëron. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që ky takim të jetë nismë e mbarë drejt hapave konkret të zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në këtë institucion. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6408"]

Vizitë e zëvendësambasadorit të Francës në AZGJ
Aug 10, 2021
Sot, më 10 gusht 2021, ushtruesi i detyrës zëvendësambasador i Francës në Maqedoninë e Veriut, Stanislas Mrozek, i shoqëruar nga përkthyesi i ambasadës në gjuhën shqipe dhe përgjegjësi i protokollit, Ardian Ramadani, si dhe stazhieri pranë kësaj ambasade, Emilien Kientz, vizituan për herë të parë hapësirat e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së, me ç’rast u takuan me drejtorin e agjencisë, Ylber Selën. Takimi, i cili u zhvillua në frymë tejet miqësore, ishte një mundësi e mirë për të këmbyer mendime dhe përvoja rreth pistave të mundshme të bashkëpunimit mes Ambasadës së Francës në RMV, Institutit Francez në Shkup dhe Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së. Drejtori Sela, pasi prezantoi në hollësi agjencinë që drejton, shtjelloi edhe sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky institucion, si dhe sukseset, rezultatet dhe përparimin e arritur deri më tani, agjenci kjo e cila shërben si kujdestare për mënjanimin e gabimeve në gjuhën shqipe, si dhe gjuhët e tjera. Ai përmendi edhe trajnimet e realizuara të përkthyesve dhe të lektorëve, duke e dalluar agjencinë si një institucion lider dhe shëmbëlltyrë. Sela vuri në pah bashkëpunimin e kësaj agjencie me institucionet e tjera në këtë vend, duke uruar që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë. Bashkëbiseduesit mes tjerash folën edhe rreth mundësive për realizimin e vizitave në qendra të njohura gjuhësore në Europë dhe në Francë, si dhe rreth mundësive për vizitë të ekspertëve gjuhësorë nga Franca në këtë agjenci, me qëllim të sjelljes së përvojës dhe ekspertizës së tyre dhe shkëmbimit të ndërsjellë. Ata u dakorduan edhe për mundësinë e nisjes së projektit të bashkëpunimit në fushën e përkthimit, të gjuhëtarëve të shquar francezë, në gjuhën shqipe, si dhe në atë maqedonase. Zëvendësambasadori Mrozek e siguroi drejtorin Sela se bashkëpunimi mes ambasadës dhe agjencisë do të thellohet më tutje, duke premtuar përkrahje konkrete dhe të vazhdueshme të veprimtarisë së kësaj agjencie në fushën e përkthimit dhe të interpretimit. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6390,6393,6396,6399"]
Njoftime
Shiko të gjithaBuletin
Shiko të gjithaFurnizime Publike
Shiko të gjithaInformacion kontakti
-
rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut -
Phone number
02 312 1731
- Email
info@apj.gov.mk - Email