AZGj pjesë e Panairit të Librit Shqip “Shkupi 2026”

Jun 4, 2026

AZGj pjesë e Panairit të Librit Shqip “Shkupi 2026”

 

Nga 4 deri më 7 qershor 2026, në Shkup nis Panairi i Librit Shqip “Shkupi 2026”, një ngjarje e rëndësishme kulturore që mbledh shtëpi botuese, autorë dhe lexues nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.

Gjatë katër ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësi të njihen me botimet më të reja në gjuhën shqipe, të takojnë botues dhe autorë, si dhe të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore që promovojnë librin dhe leximin.

Pjesë e panairit do të jetë edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGj), e cila do të prezantohet me një stendë të veçantë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, ku qytetarëve do t’u ofrojë falas botimet e veta. Këto publikime përmbajnë informacione të rëndësishme mbi përdorimin dhe zbatimin e gjuhës shqipe, si dhe mbi dispozitat e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve.

Përmes pjesëmarrjes në këtë manifestim kulturor, AZGj synon të kontribuojë në informimin e qytetarëve dhe promovimin e të drejtave gjuhësore, duke afruar më shumë publikun me materialet dhe aktivitetet e saj.

Panairi i Librit Shqip “Shkupi 2026”, pritet të mirëpresë një numër të madh vizitorësh dhe të shërbejë si një pikëtakim i rëndësishëm për kulturën, dijen dhe librin shqip

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk