news image
Takim bashkërendues me përfaqësues nga institucionet publike

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGJ) priti sot të caktuarit e mbi njëqind institucioneve publike të cilët do të merren me promovimin dhe avancimin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky aktivitet bazohet në nenin 19 të këtij ligji që parasheh promovimin dhe ndërmarrjen e masave për avancimin e mëtutjeshëm të tij. Me këtë rast përfaqësuesit e institucioneve patën rastin të dëgjojnë drejtpërdrejt drejtorin e AZGJ-së, Ylber Selën, i cili bëri një prezantim të institucionit përkatës dhe të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Më tej, drejtori dha sqarime konkrete rreth kompetencave ligjore që ka Agjencia dhe mënyrën se si ndihmon institucionet shtetërore në përdorimin e gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare, në shkresat e ndryshme të tyre. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e institucioneve patën rastin të parashtrojnë pyetje të ndryshme rreth dilemave dhe sfidave me të cilat përballen gjatë punës së tyre zyrtare, ndërkaq drejtori u përgjigj për të gjitha këto në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme për të interesuarit. Pjesë e debatit ishin edhe disa aspekte terminologjike me të cilat përballen këta përfaqësues të cilët kanë të marrin përsipër promovimin dhe avancimin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Drejtori Sela kërkoi që të gjithë përfaqësuesit, kurdo që hasin në vështirësi të ndryshme, t’i drejtohen AZGJ-së për këshilla të cilat do t’u ndihmojnë të tejkalojnë çdo vështirësi të tyre. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="7922,7925,7928,7931,7934"]

Mar 3, 2022
news image
AZGJ-ja vendosi bashkëpunim ndërinstitucional me NP HRMV – Infrastrukturë

Pas vizitës së javës së kaluar Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut Transport SHA – Shkup, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, sot e vizitoi edhe Ndërmarrjen Publike të Infrastrukturës Hekurudhore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku kishte vizitë pune me z. Hari Llokvenecin, drejtor i përgjithshëm i ndërmarrjes publike dhe me z. Nevzat Mamutin, ndihmësdrejtor për punë të përgjithshme. Vizita u realizua me nismë të drejtorit Sela, për shkak të këqyrjes së gjendjes rreth zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në punën e ndërmarrjes publike, si dhe shqyrtimit të mënyrave për bashkëpunim në interes të realizimit dhe zbatimit të shpejtë të detyrimeve ligjore. Drejtori Llokvenec e informoi drejtorin Sela rreth aktiviteteve të ndërmarra të deritanishme, përditësimit të planifikuar të faqes zyrtare të internetit të ndërmarrjes për shkak të qasjes tek informatat edhe në gjuhën shqipe, si dhe aktivitetet e planifikuara për përshtatjen gjuhësore të infrastrukturës hekurudhore në komunat ku së paku 20% të qytetarëve e flasin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, si dhe në Shkup. Njëkohësisht, theksoi se pret ndihmë profesionale nga AZGJ-ja në pjesën e terminologjisë gjuhësore dhe të lekturës. Drejtori Sela theksoi se ndërmarrja publike mund të presë nga AZGJ-ja mbështetje të plotë dhe që është e hapur për bashkëpunim në çdo kohë, në interes për qytetarët si shfrytëzues të transportit hekurudhor. Shkup, 1.3.2022  

Mar 2, 2022
news image
AZGJ-ja nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së, prof. dr. Ylber Sela me bashkëpunëtorët e tij bëri një vizitë zyrtare në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, ku u prit nga rektori prof. dr. Dhimitri Bello me bashkëpunëtorët e tij, si dhe pedagogë të tjerë të Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë në suaza të këtij universiteti. Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime e ide për bashkëpunim në fushën e gjuhës, si dhe për shumë çështje të tjera me interes të përbashkët. Me këtë rast, dy drejtuesit e këtyre institucioneve nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi e cila parasheh projekte të përbashkëta në fushën e gjuhësisë, pjesëmarrje në konferenca shkencore, mbështetje të ndërsjella për vepritmari të ndryshme gjatë bashkëpunimit  etj. Para të pranishmëve, prezentimin e AZGJ-së që nga fillimi e deri më sot, e bëri këshilltari shtetëror i përkthimit në këtë institucion, Nebi Bilalli. Në suaza të kësaj vizite, po ashtu u prezentua edhe libri “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve”, të botuar nga AZGJ-ja, për të cilin foli ligjëruesi i Universitetit të Tetovës, prof. dr. Jusuf Zejneli. Me këtë rast nga drejtuesit dhe pedagogët e këtij universiteti u shtruan edhe pyetje lidhur me disa probleme, si dhe u zhvillua një diskutim i frytshëm. Korçë, 23.2.2022  

Mar 1, 2022
news image
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Me rastin e 21 Shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, në hapësirat e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV- së, u mbajt tryezë e rrumbullakët me temë “Gjuha amtare – përfitim civilizues ose barrierë demokratike në shekullin XXI”. Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, e hapi tryezën me fjalën e tij para të pranishmëve, panelistëve dhe përfaqësuesve të medieve. “Gjuha është aftësi e lindur biologjike, por mësimi i saj është proces i përjetshëm. Është burim i pashtershëm që rrjedh dhe që duhet të kultivohet, të përmirësohet dhe të kujdesemi për pastërtinë e saj. Gjuha amtare jo vetëm simbolizon veçantinë e një populli, e një kulture, një historie, por shërben edhe për bashkimin e njerëzve dhe lidhjen kulturore të brezave që ndërtojnë vlera civilizuese në shoqëri”, tha drejtori Sela. Në vazhdim të fjalës së tij, drejtori Sela theksoi se në këtë datë të rëndësishme shprehim respektin tonë për gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare në nivel institucional dhe gjuhë amtare e shumë qytetarëve në vendin tonë dhe se gjuha amtare dhe përdorimi pa probleme i saj është një e drejtë themelore e çdo individi, e garantuar me akte të shumta ndërkombëtare. Në tryezën e rrumbullakët folën edhe Lulzim Aliu, zëvendësministër i Arsimit dhe i Shkencës; Xhelal Hoxhiq, zëvendësdrejtor i Agjencisë së Realizimit të të Drejtave të Pakicave; Xheladin Murati, pedagog dhe ish-profesor universitar; Begzat Baliu nga Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Republika e Kosovës; Manjola Lumani nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Republika e Shqipërisë; Sejdi Gashi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Republika e Kosovës; Ajten Hajdari-Qamili nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, si dhe Liljana Pandeva nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="7684,7687,7690,7693,7696,7699,7702"]

Feb 21, 2022
news image
Tryezë e Rrumbullakët

Të nderuar të pranishëm,Është nder dhe kënaqësi e madhe që e pranuat ftesën për të qenë pjesë e tryezës së sotme, e cila mbahet në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.Ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit sërish e shënojmë këtë ditë të rëndësishme, 21 shkurtin, e cila është shpallur nga UNESCO-ja si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare.Gjuha është aftësi e lindur biologjike, por mësimi i saj është proces i përjetshëm. Është burim i pashtershëm që rrjedh dhe që duhet të kultivohet, të përmirësohet dhe të kujdesemi për pastërtinë e saj. Gjuha amtare jo vetëm simbolizon veçantinë e një populli, e një kulture, një historie, por shërben edhe për bashkimin e njerëzve dhe lidhjen kulturore të brezave që i ndërtojnë vlerat civilizuese në shoqëri.Republika e Maqedonisë së Veriut, si hapësirë në të cilën ndërthuren shumë gjuhë, kultura dhe religjione, është sinonim i diversitetit gjuhësor që përbën një bashkësi shoqërore të dallueshmërisë.Në këtë kontekst, dallueshmëria e tillë, duhet parë si përfitim dhe jo si pengesë për përparimin shoqëror dhe kohezionin social. Gjuha e arsyes thyen të gjitha barrierat, stereotipet dhe paragjykimet dhe është faktor për ndërveprim ndëretnik.Sigurimi i kushteve për edukimin dhe shprehjen e gjuhës amtare në një mjedis demokratik duhet të jetë gjithmonë në interes të aktorëve shoqërorë, ndërsa sigurimi i respektimit të veçantisë gjuhësore të të gjitha etnive dhe gjuhëve të tyre duhet të jetë një nga prioritetet gjatë zbatimit të politikave gjuhësore. Gjuha amtare dhe përdorimi pa probleme i saj, është e drejtë themelore e çdo individi dhe pjekuria demokratike e një shteti, shihet në mënyrën dhe shkallën e realizimit të kësaj të drejte të garantuar me akte të shumta ndërkombëtare.Sot, e festojmë këtë datë të rëndësishme për të shprehur respektin tonë për gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare në nivel institucional dhe gjuhë amtare e shumë qytetarëve në vendin tonë. Por jo vetëm njohja e gjuhës amtare, por edhe njohja e gjuhës së një bashkëqytetari nga një bashkësi tjetër etnike, kontribuon në kuptim më të mirë, bashkëpunim dhe lidhje më të madhe të kulturave të ndryshme përmes këtij mjeti të rëndësishëm - gjuhës si pasuria më e madhe shpirtërore e njeriut.Më lejoni, zonja dhe zotërinj, në fund të fjalimit tim, t'ju falënderoj edhe një herë për pjesëmarrjen tuaj dhe shpresoj se do të kemi prezantime të rëndësishme dhe diskutim të frytshëm brenda kësaj tryeze.

Feb 21, 2022
Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk