news image
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës dhe Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale vazhdojnë bashkëpunimin e tyre

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, vizitoi Ministrinë e Punës dhe të Politikës Sociale, ku pati një takim pune me ministren Jagoda Shahpaska. Gjatë këtij takimi ata theksuan se kjo ministri paraqet një lidhje jashtëzakonisht të rëndësishme në sistemin institucional që siguron spektër të gjerë të shërbimeve publike për qytetarët në fushën e mbrojtjes sociale dhe në atë të fëmijëve, të sigurimit pensional dhe invalidor, mundësi të barabarta, marrëdhënie pune etj. Në këtë kontekst, ata vunë në dukje se është veçanërisht e rëndësishme të punohet në aspektin e zbatimit të plotë dhe të qëndrueshëm të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në interes të shfrytëzimit të së drejtës së qytetarëve për shërbimet publike të ministrisë në gjuhët zyrtare. Drejtori Sela shprehu gatishmëri për të mbështetur ministrinë në fushën e përkthimit dhe të lekturës së formularëve, kërkesave, certifikatave, licencave që i përdorin qytetarët në procedurat për realizimin e të drejtave të tyre ligjore. Ministrja Shahpaska theksoi se po ndërmerren aktivitete për përshtatjen e ueb faqes së ministrisë në të dy gjuhët zyrtare për të cilat ka përfunduar furnizimi publik. Gjithashtu, shtoi ajo, do të punohet në fushën e sigurimit të kuadrit profesional për përkthim dhe lekturë, për zhvillimin pa pengesa të procesit të përkthimit dhe lekturimit të akteve zyrtare të ministrisë në gjuhët zyrtare. Kjo vizitë e drejtorit Sela është e dyta në këtë ministri gjatë vitit 2020 dhe paraqet konfirmim të përpjekjeve të dy institucioneve për të vazhduar avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në interes të qytetarëve. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="4903,4906"]

Nov 13, 2020
news image
Përfundoi trajnimi për planifikim strategjik në AZGJ-së

Si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes AZGJ-së dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, në selinë e AZGJ-së përfundoi trajnimi triditor online për planifikim strategjik. Trajnimi i realizuar ka për qëllim forcimin e burimeve njerëzore në AZGJ, zhvillimin e kapacitetit profesional dhe rritjen e efikasitetit në arritjen e qëllimeve dhe planeve të përcaktuara të punës, duke krijuar plan strategjik cilësor dhe gjithëpërfshirës të punës. Në aspektin përmbajtësor, trajnimi përfshiu prezantime nga ekspertë të fushës së planifikimit strategjik, të shoqëruar me ushtrime praktike për pjesëmarrësit në trajnim. Gjatë trajnimit u shpjeguan konceptet kryesore të planifikimit strategjik; analiza organizative dhe metodologjia e planifikimit strategjik; zhvillimi institucional dhe ndryshimi organizativ; vizioni/misioni i organizatës; analiza e mjedisit; krijimi i instituciogramit; analiza SWOT; përcaktimi i qëllimeve strategjike; përmbajtja dhe formati i planit strategjik si dhe elemente në pjesën e planifikimit financiar dhe operacional. Mbështetjen që e mundësoi Misioni i OSBE-së në Shkup për realizimin e trajnimit, ka rëndësi të madhe për AZGJ-në dhe në praktikë vërteton marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet të dy palëve, të cilat shpresojmë të vazhdojnë edhe në të ardhmen. [gallery bgs_gallery_type="slider" ids="4835"]

Nov 2, 2020
news image
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela vizitoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, bashkë me përgjegjësin e sektorit të përkthimit dhe të lekturimit në këtë institucion, Ahmet Selmani, dje zhvilloi një takim zyrtar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku u prit nga kryetari i saj, akademiku Mehmet Kraja, si dhe akademiku i mirënjohur Rexhep Ismajli. Gjatë takimit në fjalë, drejtori Y. Sela i njoftoi hollësisht nikoqirët për statusin, rolin dhe punën e AZGJ-së, duke u përqëndruar veçmas në aktivitetet e gjertanishme në aspektin e zbatimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, si dhe në atë të sensibilizimit dhe udhëzimit të qytetarëve lidhur me të drejtat gjuhësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, ai shprehu interesim dhe u bëri ftesë pjesëtarëve të ASHAK-së për të marrë pjesë në aktivitetet shkencore që i organizon AZGJ-ja në raste të ndryshme, siç është Dita e Përkthimit dhe Dita Europiane e Gjuhëve. Kryeakademiku Mehmet Kraja, duke u falënderuar për këtë vizitë zyrtare të AZGJ-së, u interesua në veçanti për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve dhe zbatimin e tij praktik në RMV, për kontaktet e AZGJ-së me institucionet simotra në vendet e tjera, si dhe për shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë institucion. Me këtë rast ai shprehu gatishmëri për të ndihmuar ose për të qenë të pranishëm në aktivitetet e AZGJ-së, duke kërkuar një ofertë konkrete se çfarë mund të bëjë ASHAK-ja në këtë aspekt. Po ashtu, edhe akademiku Rexhep Ismajli shprehu gatishmëri të plotë për të ndihmuar AZGJ-në nëpërmjet pjesëmarrjes së tij në konferencat shkencore. Ai foli për pozitën e disa gjuhëve në vende të ndryshme të botës si në Spanjë, Belgjikë, Zvicër etj., duke e theksuar statusin dhe trajtimin e tyre nga shtetet përkatëse, me çka modeli i tyre do të ishte i lakmueshëm dhe i natyrshëm edhe për gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një gjuhë vendëse. Ai vuri në dukje se tani është koha kur gjërat duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, me punë dhe angazhim konkret, pa e politizuar dhe pa e rrezikuar askënd. Në këtë kontekst, ai theksoi se ka një avancim zyrtar të shqipes në RMV, por që gjithçka duhet të shihet si një proces i vazhdueshëm për të ecur edhe më tej përpara. Në fund të këtij takimi, nikoqirët i dhuruan edhe disa kopje të botimeve të ASHAK-së për bibliotekën e AZGJ-së. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="4887,4890,4893"]

Oct 31, 2020
news image
AZGJ-ja shënoi Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës sot zhvilloi një aktivitet të veçantë kushtuar kësaj date. Kjo ngjarje kishte të bëjë me promovimin e dy librave, përkatësisht “Shkrime rreth përkthimit” të Xhevat Lloshit dhe “Bazat e përkthimit dhe të interpretimit” të Ismail Hamitit. Fjalë rasti për librin e Xhevat Lloshit, të cilin e botoi AZGJ-ja, mbajti profesoresha Ajtene Hajdari Qamili e cila foli për përmbajtjen dhe vlerat e veçanta të tij. Po ashtu ajo foli edhe për librin e Ismail Hamitit duke u përqëndruar në strukturën dhe rëndësinë e këtij libri që trajton çështjen e përkthimit dhe të interpretimit. Në vazhdim, për librin e Xhevat Lloshi foli edhe referuesi Naim Berisha nga Instituti Albanologjik i Prishtinës i cili e vuri në spikamë personalitetin e gjuhëtarit Xhevat Lloshi, dhe njëkohësisht duke i theksuar edhe disa aspekte që e karakterizojnë librin e tij. Fjalë rasti pati edhe Hidajete Azizi nga ITSHKSH-ja e cila vuri në dukje aspektet e rëndësishme të dy librave, përkatësisht atë të Xhevat Lloshit dhe të Ismail Hamitit. Gjithashtu në këtë promovim foli edhe referuesi Berton Sulejmani, dekan i Fakultetit të Filologjisë në UT, i cili theksoi vlerat shkencore të librit “Shkrime rreth përkthimit” të Xh. Lloshit. Në fund, nëpërmjet lidhjes online, në këtë ngjarje u përfshi edhe Xhevat Lloshi i cili e falënderoi Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës për botimin e librit të tij, si dhe për organizimin e këtij promovimi. Në mes të tjerash ai theksoi se librin e tij ia besoi pikërisht AZGJ-së për botim për arsye të respektit dhe solidaritetit që ka ndaj këtij institucioni që po bën një punë jashtëzakonisht serioze për gjuhën shqipe. Të pranishmëve iu drejtua edhe Ismail Hamiti i cili i falënderoi të gjithë ata që dhanë ndihmesë në botimin e librit të tij, veçanërisht AZGJ-në e cila bëri promovimin e tij. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="4739,4742,4745,4748,4751"]

Sep 30, 2020
news image
Fjalimi i plotë i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela, në tryezën e rrumbullakët me temë “Shumëgjuhësia në Republikën e Maqedonisë së Veriut – mundësi apo pengesë në procesin e shoqërisë demokratike civile, e organizuar me rastin e Ditës Europiane të Gjuhëve

I nderuar drejtor i Agjencisë së Realizimit të të Drejtave të Komuniteteve, zotëri Hoxhiq, e nderuara kryetare e Shoqatës së Përkthyesve dhe Interpretuesve, zonja Popova Manasievska, e nderuara përfaqësuese nacionale e Këshillit të Europës për shënimin e Ditës Europiane të Gjuhëve dhe përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, zonja Treneska, e nderuar profesoreshë Dragana Gjoreska, Të nderuar përfaqësues të medieve! Të nderuar të pranishëm! Kam nderin dhe kënaqësinë që së bashku kemi rastin ta shënojmë ngjarjen e sotme, e cila ka rëndësi të veçantë dhe mbahet më 26 shtator, në ditën kur Europa feston shumëgjuhësinë, respektivisht Ditën Europiane të Gjuhëve. Këtë ditë simbolike e shënon edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së nëpërmjet organizimit të tryezës së sotme të rrumbullakët me një temë shumë të rëndësishme që lidhet me shumëgjuhësinë në një shoqëri demokratike qytetare. Filozofi i shquar Ludvig Vitgenshtajn ka thënë: “Nuk guxojmë të lejojmë që kufijtë e gjuhës sonë të jenë kufij të botës sonë”. Kjo thënie e urtë na kujton se vlerat e pluralitetit gjuhësor dhe roli i tij koheziv i ndërlidhjes së dallimeve, vazhdimisht duhet të riafirmohen dhe të kultivohen. Në vend që të jetë mjet për ndarje, gjuha duhet të jetë kanal komunikimi, urë lidhëse dhe mjet interaksioni në komunitetin shoqëror. Shkalla e respektimit dhe e kultivimit të diversitetit gjuhësor është reflektim i shkallës së zhvillimit demokratik të çdo shteti që synon të jetë pjesë e familjes europiane të shteteve me traditë të pasur demokratike. Besoj që prania e gjithë pjesëmarrësve në ngjarjen e sotme do të mundësojë shkëmbim konstruktiv të ideve, qëndrimeve dhe mendimeve dhe se pjesëmarrësit do ta pasurojnë këtë ngjarje me fjalimet e tyre në drejtim të afirmimit të vlerave që e përforcojnë dhe e avancojnë barazinë gjuhësore, kuptimin e ndërsjellë dhe kohezionin ndëretnik në shoqëri nëpërmjet dialogut, tolerancës gjuhësore dhe respektimit të diversitetit gjuhësor. Më lejoni që, në fund të fjalimit, edhe njëherë t’ju falënderoj të gjithë folësve dhe mysafirëve të nderuar për pjesëmarrjen në tryezën e sotme. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="4614,4617"]

Sep 26, 2020
Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk