Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela vizitoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Oct 31, 2020

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela vizitoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, bashkë me përgjegjësin e sektorit të përkthimit dhe të lekturimit në këtë institucion, Ahmet Selmani, dje zhvilloi një takim zyrtar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku u prit nga kryetari i saj, akademiku Mehmet Kraja, si dhe akademiku i mirënjohur Rexhep Ismajli. Gjatë takimit në fjalë, drejtori Y. Sela i njoftoi hollësisht nikoqirët për statusin, rolin dhe punën e AZGJ-së, duke u përqëndruar veçmas në aktivitetet e gjertanishme në aspektin e zbatimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, si dhe në atë të sensibilizimit dhe udhëzimit të qytetarëve lidhur me të drejtat gjuhësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, ai shprehu interesim dhe u bëri ftesë pjesëtarëve të ASHAK-së për të marrë pjesë në aktivitetet shkencore që i organizon AZGJ-ja në raste të ndryshme, siç është Dita e Përkthimit dhe Dita Europiane e Gjuhëve.
Kryeakademiku Mehmet Kraja, duke u falënderuar për këtë vizitë zyrtare të AZGJ-së, u interesua në veçanti për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve dhe zbatimin e tij praktik në RMV, për kontaktet e AZGJ-së me institucionet simotra në vendet e tjera, si dhe për shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë institucion. Me këtë rast ai shprehu gatishmëri për të ndihmuar ose për të qenë të pranishëm në aktivitetet e AZGJ-së, duke kërkuar një ofertë konkrete se çfarë mund të bëjë ASHAK-ja në këtë aspekt.
Po ashtu, edhe akademiku Rexhep Ismajli shprehu gatishmëri të plotë për të ndihmuar AZGJ-në nëpërmjet pjesëmarrjes së tij në konferencat shkencore. Ai foli për pozitën e disa gjuhëve në vende të ndryshme të botës si në Spanjë, Belgjikë, Zvicër etj., duke e theksuar statusin dhe trajtimin e tyre nga shtetet përkatëse, me çka modeli i tyre do të ishte i lakmueshëm dhe i natyrshëm edhe për gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një gjuhë vendëse. Ai vuri në dukje se tani është koha kur gjërat duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, me punë dhe angazhim konkret, pa e politizuar dhe pa e rrezikuar askënd. Në këtë kontekst, ai theksoi se ka një avancim zyrtar të shqipes në RMV, por që gjithçka duhet të shihet si një proces i vazhdueshëm për të ecur edhe më tej përpara.
Në fund të këtij takimi, nikoqirët i dhuruan edhe disa kopje të botimeve të ASHAK-së për bibliotekën e AZGJ-së.
[gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="4887,4890,4893"]

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk