news image
AZGJ-ja promovoi librin “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019”

Në praninë e një numri të madh pjesëmarrësish, përfaqësues të jetës politike, arsimore, kulturore e shkencore, në mesin e të cilëve edhe kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi dhe zëvendëskryeministri i parë të Qeverisë së RMV-së, Artan Grubi, në amfiteatrin e UEJL-së në Shkup u promovua libri me titull “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019” të bashkautorëve Ylber Sela, Jusuf Zejneli, Jeton Shasivari, Argëtim Saliu, Llazo Matovski dhe Valbona Hajretini. Në fillim, të pranishmit i përshëndeti drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela i cili foli për punën e palodhur të autorëve, si dhe për ekipet e AZGJ-së, të cilat punuan rreth përgatitjes dhe botimit të këtij libri. Një fjalë rasti e mbajti edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së, Artan Grubi, i cili theksoi rolin e rëndësishëm të AZGJ-së dhe të Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve, si dy institucione të cilat kujdesen për ta zbatuar gjuhën shqipe në nivelet zyrtare. Po ashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe zëvendësrektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, prof. dr. Valter Memisha. Ndërkaq, për vlerat e librit në fjalë folën recensentët prof. dr. Adnan Jashari dhe prof. dr. Izer Maksuti, të cilët i vunë në dukje disa nga aspektet e këtij studimi që ka të bëjë me ecurinë dhe avancimin ligjor të gjuhës shqipe në RMV. Në fund, në emër të autorëve doli prof. dr. Jeton Shasivari. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="7089,7092,7095,7098,7101,7104"]

Nov 22, 2021
news image
Fjalë përshëndetëse e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela, në Konferencën shkencore “Kontributi i prof. dr. Qemal Muratit për gjuhësinë shqiptare”, të organizuar nga ITSHKSH në Shkup

Të nderuar miq! Konferenca e sotme shkencore “Kontributi i prof. dr. Qemal Muratit për gjuhësinë shqiptare” në radhë të parë është një konferencë e mirënjohjes për punën e palodhur shkencore të tij, i cili tanimë disa dekada me radhë ka qëndruar përherë në krye të aktiviteteve dhe të debateve që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe kudo në hapësirën tonë. Prandaj, edhe fjala ime në këtë rast është thellësisht një fjalë mirënjohëse dhe konsiderate të plotë për gjithçka që ka bërë në këtë fushë e cila na përket të gjithëve. Aq më tepër, unë ndihem i detyruar dhe krenar njëkohësisht, kur këtë e them edhe në cilësinë e drejtorit të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, ndaj së cilës prof. dr. Qemal Murati ka shprehur gjithmonë vullnet e gatishmëri për ta ndihmuar e për të bashkëpunuar në forma të ndryshme që nga themelimi i saj e deri më sot. Pra, marrëdhëniet e tij me AZGJ-në kanë qenë shumë esenciale dhe jo formale, për arsye se ai ka marrë pjesë në aktivitetet tona shkencore duke shtruar probleme të gjuhës shqipe, të përdorimit të saj në praktikë, të terminologjisë në fusha të ndryshme etj. Sidomos, angazhimi i tij ka qenë i frytshëm dhe konstruktiv edhe me ligjëratat e tij në trajnimin për lektorë dhe për përkthyes të organizuar nga AZGJ-ja, trajnim ky që u mbyll me sukses. Kështu, mund të them me mburrje se roli dhe angazhimi i prof. dr. Qemal Muratit ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për institucionin tonë. Duke u nisur nga kjo, mendoj se konferenca e sotme është plotësisht meritore për prof. dr. Qemal Muratin. Për figurën e tij mund të flitet gjerë e gjatë, por kam bindjen e thellë se këtë gjë më së miri do ta bëjnë pjesëmarrësit e saj me kumtesat e tyre shkencore të cilat do t’i lexojnë në këtë konferencë. Prandaj ju uroj punë të mbarë! Po ashtu, edhe prof. dr. Qemal Muratit i uroj shëndet e mbarësi edhe më tej në punën e tij shkencore në fushën e gjuhësisë shqiptare! Ju faleminderit! [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="6920,6923,6926"]

Nov 4, 2021
news image
Fjalë përshëndetëse e drejtorit të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së

Ballkani ndërmjet integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal Integrimi i Rajonit ballkanik dhe vendet e rajonit të tij në familjen e madhe të Bashkimit Europian, është ende përrallë e papërfunduar. Përrallë që ngjan si rrugë e gjatë e paqartë, e mbushur me pengesa të shumta para arritjes te fundi i kësaj rruge. Rrugën, të cilën e ndërtoi babai i BE-së moderne, Robert Shuman, ende po pret të kalohet nga vendet e Ballkanit. Sot, Bashkimi Europian është forma më e fuqishme e bashkimit dhe e integrimit me tregun nga përafërsisht 500 milionë qytetarë me fuqi të madhe absorbuese, që është rezultat i numrit të popullsisë dhe të të ardhurave të larta për kokë qytetarësh. Përballë kësaj, vendet e Ballkanit të lëna vetëm, janë të vogla, jokonkurruese, me të ardhurat dhe standard jetese mesatar, që kryesisht mbetet pas mesataren europiane dhe me nivel të zhvillimit teknologjik, që nuk mund të jetë konkurrent me nivelin e vendeve-anëtarë të BE-së. Të udhëhequr nga logjika e fakteve ekonomike, duhet marrë parasysh edhe faktin se, përveç përfitimeve ekonomike, integrimi në Bashkimin Europian siguron paqe, siguri, siguri më të madhe për qytetarët e vet, nivel më të lartë të respektimit të të drejtave njerëzore, sundim të së drejtës, njëkohësisht duke i respektuar dallimet shoqërore. Jetojmë në kohë kur bota ndryshohet shumë shpejtë, BE-ja ndryshohet, Ballkani ndryshohet, Republika e Maqedonisë së Veriut ndryshohet. Situata është komplekse, krizat globale dhe krizat me të cilat përballet BE-ja, tani më janë konstantë, vepruesit politikë të udhëhequr nga interesat e qytetarëve dhe vizionit të tyre afatgjatë, duhet t’i drejtojnë vendimet politike kah ana e vërtetë e historisë. Pas vendimeve të tilla, gjeneratat e ardhshme do t’i vlerësojnë – a kanë sjellë vendime të vërteta në momentin e duhur. Në momentin e sotëm historik dhe rrethanat gjeopolitike, për Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit të tërë euroatlantik. Për orientimin e tillë pro-europian ekziston mbështetje e rëndësishme nga qytetarët tanë nga të gjitha bashkësitë etnike dhe fetare, e cila na kushtëzon të kemi durim gjatë rrugës euroatlantike. Të gjitha vendet ballkanike me përpjekje dhe forca të përbashkëta, të udhëhequra nga qëllimi i fundit të integrimit europian, kanë mundësi nëpërmjet formave dhe nismave të ndryshme për bashkëpunim të përforcuar rajonal, ta përforcojnë procesin e përmirësimit të jetës së qytetarëve të tyre dhe arritjen e standardeve europiane, por bashkëpunimi rajonal nuk mund të paraqesë zëvendësim i integrimit të tërë europian. Politika e zgjerimit është mënyra më e mirë për arritjen e përparimit dhe bashkimit të kontinentit europian. Unë besoj fort në të dhe jam i bindur se procesi i zgjerimit nuk do të jetë përfunduar pa integrimin e tërësishëm të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6855,6858,6861"]

Oct 28, 2021
news image
Fjalë përshëndetëse e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela, në konferencën “Drejt një strategjie të albanologjisë”

Të nderuar të pranishëm! Më lejoni që në suaza të kësaj konsulte albanologjike të them disa fjalë për Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës të RMV-së për të cilën më ra barra mua për ta ngritur më këmbë që nga fillimi dhe për ta udhëhequr me përgjegjësinë më të madhe, duke hapur shtigje e rrugë bashkëpunimi e bashkëveprimi me shumë institucione të tjera gjithandej hapësirës shqiptare dhe më gjerë. Në fakt, duke e pasur gjuhën shqipe si detyrë ligjore për ta zbatuar në nivelet zyrtare në RMV, pra duke i ndihmuar institucionet në përkthimin dhe lekturimin e dokumenteve, të akteve, të vendimeve, të formularëve dhe të gjitha shkresave të nevojshme zyrtare, agjencia jonë po bën një punë të madhe në këtë aspekt, me çka gjithnjë e më tepër po e dëshmon veten se është një institucion i përgjegjshëm dhe dalzotës i gjuhës shqipe. Por krahas kësaj pune të përditshme që po bën me shërbimet dhe ekipet e saj, po ashtu AZGJ-ja e ka zgjeruar aktivitetin e vet edhe në aspekte të tjera për sa i përket sensibilizimit, kujdesit, trajtimit, promovimit, afirmimit të gjuhës shqipe. Ajo ka organizuar edhe konferenca shkencore që kanë të bëjnë me shumëgjuhësinë dhe sfidat e zbatimit të saj në praktikë, me çështjen e përkthimit, me atë të terminologjisë dhe rolit të saj për njohjen e gjuhës profesionale etj. Kështu, mund të thuhet se është bërë një institucion që i ka hapur dyert për studiuesit dhe gjuhëtarët për të debatuar dhe për të ndërtuar strategji rreth problemeve të gjuhës shqipe. Në të vërtetë, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, kurrë nuk është mjaftuar vetëm me rolin e saj parësor, thjesht duke mos lejuar të mbetet vetëm si një institucion teknik e administrativ, por ka treguar edhe ambicie shkencore me interes për gjuhën shqipe; me hartim fjalorësh terminologjikë, me debate të ndryshme shkencore, me shënime datash që kanë të bëjnë me gjuhën dhe përkthimin, me hartim doracakësh të ndryshëm, me trajnime për përkthyes dhe për lektorë etj. Në këtë mënyrë ajo është kujdesur vazhdimisht për gjuhën shqipe jo vetëm si një detyrë ligjore, por aq më tepër edhe si një detyrim kulturor, shkencor e kombëtar. Prandaj, ndihem krenar që në këtë konsultë po marrim pjesë edhe ne si përfaqësues të AZGJ-së, me çka nënkuptohet se jemi një institucion ndoshta i vogël për nga përmasat, por që mund të bëjmë punë të mëdha së bashku duke vepruar sipas një strategjie të nevojshme. Ju faleminderit! [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="6807,6810,6813"]

Oct 26, 2021
Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk