Fjalë përshëndetëse e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela, në konferencën “Drejt një strategjie të albanologjisë”

Oct 26, 2021

Fjalë përshëndetëse e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela, në konferencën “Drejt një strategjie të albanologjisë”
Të nderuar të pranishëm! Më lejoni që në suaza të kësaj konsulte albanologjike të them disa fjalë për Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës të RMV-së për të cilën më ra barra mua për ta ngritur më këmbë që nga fillimi dhe për ta udhëhequr me përgjegjësinë më të madhe, duke hapur shtigje e rrugë bashkëpunimi e bashkëveprimi me shumë institucione të tjera gjithandej hapësirës shqiptare dhe më gjerë. Në fakt, duke e pasur gjuhën shqipe si detyrë ligjore për ta zbatuar në nivelet zyrtare në RMV, pra duke i ndihmuar institucionet në përkthimin dhe lekturimin e dokumenteve, të akteve, të vendimeve, të formularëve dhe të gjitha shkresave të nevojshme zyrtare, agjencia jonë po bën një punë të madhe në këtë aspekt, me çka gjithnjë e më tepër po e dëshmon veten se është një institucion i përgjegjshëm dhe dalzotës i gjuhës shqipe. Por krahas kësaj pune të përditshme që po bën me shërbimet dhe ekipet e saj, po ashtu AZGJ-ja e ka zgjeruar aktivitetin e vet edhe në aspekte të tjera për sa i përket sensibilizimit, kujdesit, trajtimit, promovimit, afirmimit të gjuhës shqipe. Ajo ka organizuar edhe konferenca shkencore që kanë të bëjnë me shumëgjuhësinë dhe sfidat e zbatimit të saj në praktikë, me çështjen e përkthimit, me atë të terminologjisë dhe rolit të saj për njohjen e gjuhës profesionale etj. Kështu, mund të thuhet se është bërë një institucion që i ka hapur dyert për studiuesit dhe gjuhëtarët për të debatuar dhe për të ndërtuar strategji rreth problemeve të gjuhës shqipe. Në të vërtetë, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, kurrë nuk është mjaftuar vetëm me rolin e saj parësor, thjesht duke mos lejuar të mbetet vetëm si një institucion teknik e administrativ, por ka treguar edhe ambicie shkencore me interes për gjuhën shqipe; me hartim fjalorësh terminologjikë, me debate të ndryshme shkencore, me shënime datash që kanë të bëjnë me gjuhën dhe përkthimin, me hartim doracakësh të ndryshëm, me trajnime për përkthyes dhe për lektorë etj. Në këtë mënyrë ajo është kujdesur vazhdimisht për gjuhën shqipe jo vetëm si një detyrë ligjore, por aq më tepër edhe si një detyrim kulturor, shkencor e kombëtar. Prandaj, ndihem krenar që në këtë konsultë po marrim pjesë edhe ne si përfaqësues të AZGJ-së, me çka nënkuptohet se jemi një institucion ndoshta i vogël për nga përmasat, por që mund të bëjmë punë të mëdha së bashku duke vepruar sipas një strategjie të nevojshme. Ju faleminderit! [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="6807,6810,6813"]

You might also like

News

Projekti ndërkombëtar i miratuar i AZGJ-së

Në kuadër të angazhimeve për afirmimin ndërkombëtar dhe vlefshmërinë e punës së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së, në nëntor të vitit 2022, Agjencia përgatiti një projekt që u aplikua në Qendrën Europiane për gjuhët moderne (ESML) në Grac, Austri, e cila është pjesë e Këshillit të Europës me seli në Strasburg, Francë, pas një thirrjeje ndërkombëtare të shpallur më parë.Pas vlerësimit të projektit, më 20 shkurt të vitit 2023, AZGJ-ja mori njoftim zyrtar se po i njëjti ishte miratuar.Projekti i referohet mbështetjes në trajnim dhe ndihmës së ekspertëve brenda modulit të Edukimit shumëgjuhësh dhe do t’i përfshijë të punësuarit e AZGJ-së të cilët do të kenë mundësinë të përmirësojnë aftësitë e tyre për të punuar në një mjedis shumëgjuhësh. Emri i plotë i modulit brenda të të cilit do të zbatohet projekti Arsimi plurilingual – Qasje pluraliste ndaj gjuhëve dhe kulturave. Një vegël didaktike për arsimin e integruar plurilingual dhe ndërkulturor – FREPA (Plurilingual education – Pluralistic approaches to languages and cultures. A didactic tool for integrated plurilingual and intercultural education (FREPA)).Gjatë muajit maj të vitit 2023, dr. Andrea Young, profesor i rregullt në Fakultetin e Arsimit dhe të Mësimit të Përhershëm në Universitetin e Strasburgut, do të qëndrojë në selinë e AZGJ-së në Shkup, i cili do të jetë ekspert i projektit i punësuar nga grantdhënësi, në bashkëpunim me koordinatorin e modulit profesor Michel Candelier, ndërsa nga ana e AZGJ-së është përgatitur dhe me atë aplikoi Llazo Matovski nga ekipi i AZGJ-së.Realizimi i projektit vërteton bashkëpunimin e suksesshëm të AZGJ-së me Qendrën Europiane për gjuhët moderne, i cili u krijua me vizitën е qendrës nga drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, në muajin maj të vitit 2022.

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk