news image
AZGJ-ja nis bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Përkthimit në Komisionin Europian

Si rezultat i përpjekjeve për lidhje ndërkombëtare me institucione dhe organizata të huaja nga fushat e shkencave gjuhësore, përkthimit, interpretimit dhe lekturimit, drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, nisi bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Përkthimit në Komisionin Europian. Për këtë qëllim, sot u mbajt një takim online me përfaqësues të drejtorisë, përkatësisht me Xhosefine Hederstroemin, Klaudia de Stefanisin dhe Jovana Stojkovska- Birtanovskën. Takimi ishte një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar punën e AZGJ-së para përfaqësuesve të Drejtorisë, për të vendosur komunikimin dhe diskutimin fillestar për çështje me interes të përbashkët. Drejtori Sela falënderoi për mundësinë e takimit dhe i njoftoi bashkëbiseduesit për punën e deritanishme të AZGJ-së, projektet e realizuara, publikimet e përgatitura dhe konferencat e mbajtura shkencore, seminaret dhe trajnimet, si dhe prezantoi projektet e AZGJ-së për vitin 2022, përfshirë fillimin e ciklit të dytë të trajnimeve për përkthyes dhe lektorë; shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, e cila do të mbahet në fillim të javës së ardhshme; promovimin e punimit shkencor në mars të këtij viti, që analizon aspektet juridike të përdorimit të gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut; trajnimi i përkthimit simultan për përkthyes në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup; projekti për përditësimin e fjalorit dygjuhësh të interpretimit kontekstual VERBIS etj. Drejtori Sela gjithashtu theksoi interesimin e AZGJ-së për të dërguar një pjesë të ekipit të saj të ekspertëve në një vizitë studimore në Bruksel apo Luksemburg, ku ndodhen zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Përkthimit të Komisionit Europian. Përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Përkthimit falënderuan për prezantimin shterues të punës së AZGJ-së, u zotuan për vazhdimin e komunikimit me AZGJ-në, si dhe për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të temave që u diskutuan në këtë takim. Shkup, 16.2.2022  

Feb 17, 2022
news image
Vizitë pune Inspektoratit Shtetëror të Tregut

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, sot realizoi vizitë pune në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, ku u takua me Aneta Simeska Dimoskën, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së inspektoratit. Qëllimi i vizitës ishte të shihet gjendja rreth zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në funksionimin e inspektoratit. Konstatimi i të dyja palëve është se inspektorati është vonuar në zbatimin e detyrimeve nga faza e parë e zbatimit të ligjit, si ndryshimi i vulës zyrtare, vulat katrore, memorandumi i akteve zyrtare etj. Gjithashtu është e nevojshme që formularët zyrtarë që përdoren në punën e inspektoratit të përgatiten në gjuhët zyrtare në mënyrë që të jenë të harmonizuara me rregullat ligjore. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se ekziston vullneti i kryesisë së re të inspektoratit për të respektuar Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve dhe se takimi i tillë është më se i dobishëm, sepse është mundësi për të shkëmbyer qëndrime për çështje të caktuara që rrjedhin nga zbatimi i ligjit. Drejtori Sela dorëzoi një sërë botimesh dhe ofroi mbështetje për përfshirjen e stafit të inspektoratit në programin e trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve të zbatuar nga AZGJ-ja, si dhe ndihmë në përkthimin dhe lektorimin e akteve të përgjithshme dhe formularëve, me të cilët vepron inspektorati. Të dyja palët u zotuan për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në interes të sigurimit të përmbushjes së plotë dhe të përpiktë të detyrimeve ligjore. Shkup, 9.2.2022  

Feb 10, 2022
news image
Në Institutin Albanologjik të Prishtinës u promovua libri “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019”

Memorandumi i bashkëpunimit, i nënshkruar ndërmjet Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës, po bëhet gjithnjë e më i frytshëm. Këtë e dëshmon edhe promovimi i librit “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019” të autorëve Ylber Sela, Jeton Shasivari, Argëtim Saliu, Jusuf Zejneli, Valbona Hajredini dhe Llazo Matovski, botim ky i AZGJ-së që doli kohë më parë. Ky aktivitet u mbajt në Institutin Albanologjik të Prishtinës ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm punonjësish shkencorë, profesorësh universitarë, intelektualësh të shumtë, përfaqësues të medieve, studentë etj. Në fillim të pranishmit i përshëndetën Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, dhe Arsim Sinani, drejtor i Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike të Universitetit të Prishtinës. Pastaj drejtori Ylber Sela foli për Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës, duke dhënë një pasqyrë përmbledhëse për këtë institucion që nga themelimi i tij e deri më sot. Ndërkaq, për përmbajtjen, rëndësinë dhe vlerat shkencore të librit në fjalë folën Jusuf Zejneli, profesor në Universitetit e Tetovës, Jeton Shasivari, profesor në Universitetin e Europës Juglindore, dhe Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="7557,7560,7563,7566,7569,7572,7575,7578"]

Jan 20, 2022
Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk