Post image
AZGJ-ja promovoi librin “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019”

Nov 22, 2021

Në praninë e një numri të madh pjesëmarrësish, përfaqësues të jetës politike, arsimore, kulturore e shkencore, në mesin e të cilëve edhe kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi dhe zëvendëskryeministri i parë të Qeverisë së RMV-së, Artan Grubi, në amfiteatrin e UEJL-së në Shkup u promovua libri me titull “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019” të bashkautorëve Ylber Sela, Jusuf Zejneli, Jeton Shasivari, Argëtim Saliu, Llazo Matovski dhe Valbona Hajretini. Në fillim, të pranishmit i përshëndeti drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela i cili foli për punën e palodhur të autorëve, si dhe për ekipet e AZGJ-së, të cilat punuan rreth përgatitjes dhe botimit të këtij libri. Një fjalë rasti e mbajti edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së, Artan Grubi, i cili theksoi rolin e rëndësishëm të AZGJ-së dhe të Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve, si dy institucione të cilat kujdesen për ta zbatuar gjuhën shqipe në nivelet zyrtare. Po ashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe zëvendësrektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, prof. dr. Valter Memisha. Ndërkaq, për vlerat e librit në fjalë folën recensentët prof. dr. Adnan Jashari dhe prof. dr. Izer Maksuti, të cilët i vunë në dukje disa nga aspektet e këtij studimi që ka të bëjë me ecurinë dhe avancimin ligjor të gjuhës shqipe në RMV. Në fund, në emër të autorëve doli prof. dr. Jeton Shasivari. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="7089,7092,7095,7098,7101,7104"]

Post image
FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË PROMOVIMIN E LIBRIT “GJUHA SHQIPE PARA DHE PAS MIRATIMIT TË LIGJIT TË PËRDORIMIT TË GJUHËVE TË VITIT 2019”

Nov 22, 2021

Të nderuar miq!Duke ju dëshiruar mirëseardhje në aktivitetin tonë, më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë time për daljen në dritë të këtij botimi të veçantë të cilin po e promovojmë sot në mënyrë solemne para jush dhe para gjithë publikut të RMV-së.Pas një pune të gjatë studimore të një grupi autorësh, profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës së drejtësisë, më në fund, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, me ekipet e saj, duke e redaktuar dhe duke e lekturuar, arriti ta nxjerrë në dritë librin “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019”. Siç mund të shihet nga vetë titulli, studimi në fjalë ka të bëjë me historikun e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe që nga konstituimi këtij shteti ku jetojmë e deri më sot kur gjuha shqipe gëzon një status më të përparuar.Në të vërtetë, aty mund të shihet se ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm, përplot vështirësi e sfida, përplot përpjekje e sakrifica nga shqiptarët e kësaj hapësire. Pikërisht kjo ecuri e vazhdueshme historike dhe politike na nxjerr në vitin 2019 kur u miratua Ligji i Përdorimit të Gjuhëve, si një arritje më e avancuar, me të cilin gjuha shqipe arriti nivelin më të lartë të përdorimit zyrtar, rezultat i të cilit është edhe themelimi i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, të cilën e udhëheq unë, si dhe Inspektorati i Përdorimit të Gjuhës, si dy institucione të cilat kujdesen për të ndihmuar dhe për ta zbatuar gjuhën shqipe në institucionet shtetërore.Libri “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019” është pasqyrë e qartë e këtij procesi; është determinim shkencor, juridik, politik dhe shoqëror; është vizion kombëtar dhe qytetar. Duke e njohur këtë periudhë, ne arrijmë ta krijojmë ndërgjegjen tonë kombëtare e qytetare për ta ruajtur dhe për ta zbatuar gjuhën shqipe në pajtim me përcaktimet ligjore.Natyrisht, unë e shoh këtë libër si një doracak të rëndësishëm dhe substancial për të gjithë qytetarët shqiptarë të RMV-së, sidomos për ata që punojnë në institucionet shtetërore, si një frymëzues dhe udhëzues për të bërë përpjekje maksimale dhe për të treguar kujdes ndaj gjuhës shqipe e cila është vulë e identitetit tonë.Në fund, duke ua lënë fjalën recensentëve të këtij libri, dëshiroj të theksoj këtu para jush se ndjej kënaqësi dhe krenari njëkohësisht për faktin se kemi arritur ta sublimojmë çështjen e gjuhës shqipe në një studim të këtillë, për të rikujtuar se ku kemi qenë dikur dhe ku jemi sot, jo për t’u mburrur se cili subjekt politik ka bërë më shumë, por thjesht për ta parë të vërtetën ashtu siç është, në dritën e argumenteve e përkushtimeve.Pa dashur që ta zgjas më tepër, uroj që ky libër ta gjejë rrugën e vet te lexuesit dhe të shërbejë si një reflektim pozitiv.Ju faleminderit![gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="7053,7056,7059,7062,7065"]

Post image
FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË AKTIVITETIN E ZHVILLUAR NË SHTËPINË E ALFABETIT NË MANASTIR

Nov 21, 2021

Të nderuar miq!Më lejoni të them disa fjalë në kontekstin e aktiviteteve që po zhvillohen në suaza të Ditëve të Alfabetit, ku si temë është kauza arbëreshe për gjuhën shqipe dhe për albanologjinë. Vizita jonë në Manastir nuk është një formalitet, por është një esencë për faktin se ne bartësit e institucioneve kthehemi në kohë për të kujtuar paraardhësit tanë të cilët i vunë themelet e gjuhës shqipe. Nëse arbëreshët e ngjallën këtë gjuhë nga harresa, pjesëmarrësit e Kongresit të Alfabetit më 1908 e vunë atë në binarët e shkrimit të njësuar, pra duke zgjedhur një alfabet të përbashkët të cilin e kemi sot. Në këtë kuptim, sot aq më tepër ne detyrohemi që të jemi mirënjohës për këtë vendosmëri e kontribut të tyre, por edhe përgjegjës dhe të vëmendshëm ndaj gjuhës shqipe, duke e ruajtur, kultivuar e afirmuar atë në të gjitha instancat shkencore, kulturore, akademike, arsimore, shoqërore e politike. Duke qenë në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, mua më bie kjo barrë që të bëj maksimumin për sa i përket zbatimit praktik të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, jo vetëm si një detyrim ligjor, por aq më tepër edhe si një detyrim kombëtar. Meqë ndodhemi në këtë tempull të gjuhës shqipe, siç është Shtëpia e Alfabetit, dëshiroj ta shfrytëzoj rastin për të bërë apel që ta mbrojmë dhe kultivojmë gjuhën shqipe, ta flasim me ndjenjë dhe me zemër, ta shkruajmë me shkronjat që dolën nga kjo shtëpi, sepse nuk kemi trashëgimi më të çmuar se kjo.Uroj që kjo festë të jetë testament dhe reflektim, metafizikë dhe krenari kombëtare!Ju faleminderit![gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="7038,7041,7044"]

Post image
FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË KONFERENCËN KUSHTUAR STUDIUESIT ANTON NIKË BERISHA NË KUADËR TË DITËVE TË ALFABETIT

Nov 19, 2021

Të nderuar pjesëmarrës!Më lejoni ta përshëndes këtë aktivitet i cili zhvillohet në suaza të Ditëve të Alfabetit, ku sivjet si temë qendrore janë arbëreshët, gjuha, kultura, letërsia dhe tradita e tyre.Duke qenë se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, të cilën e udhëheq unë, po i ndjek rregullisht këto aktivitete, kam bindjen e thellë se edhe ky i sotmi që i kushtohet studiuesit të njohur Anton Nikë Berisha, është një kontribut i rëndësishëm për të hedhur dritë mbi figurën e tij, i cili është marrë në mënyrë të veçantë me letërsinë dhe kulturën arbëreshe.Në këtë kontekst, vetë fakti se lënda e pare e krijimit të letërsisë është gjuha, aq më tepër na obligon që të jemi pranë saj si një institucion që kujdeset për zbatimin, mbrojtjen dhe afirmimin e saj. Për këtë arsye, dua të theksoj se bota arbëreshe na përket të gjithëve; është ndjenja dhe krenaria jonë, është gjaku i shprishur që rikthehet në qenien tonë. Thjesht, nëpërmjet arbëreshëve ne tregojmë përgjegjësinë tonë kombëtare dhe institucionale. Duke i nderuar personalitetet që flasin për ta, ne i nderojmë edhe arbëreshët.Pa e zgjatur më tepër, shpresoj dhe uroj që pjesëmarrësit të japin ndihmesën e tyre për figurën e Anton Nikë Berishës, por edhe për arbëreshët e Italisë.Ju faleminderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="7020,7023,7026,7029"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk