news image
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së e filloi sot trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të sektorit publik

 Gjashtëdhjetë punonjës në institucione të ndryshme dhe administratës të Maqedonisë së Veriut, do të fillojnë sot, në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës në Shkup, trajnimin për përkthim dhe lekturim në nivelin më të lartë të profesionalizmit të gjuhës shqipe.Ky është viti i tretë që Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, i zhvillon trajnimet e kuadrove të përkthimit dhe i pari i këtij lloji në vendet e rajonit.Duke vërejtur se ka një sërë problemesh në përdorimin e gjuhës, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, nëpërmjet këtij trajnimi, ka si qëllim t’i trajnojë përkthyesit dhe lektorët e të gjitha institucioneve, së pari të ministrive, organeve shtetërore, gjykatave dhe gjithë sektorit publik, për përkthimin sa më të drejtë të gjuhës.Gjatë trajnimit do të ligjërojnë profesionistë të njohur të gjuhës, juristë dhe njohës të fushave të ndryshme nga Maqedonia е Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Kjo nënkupton unifikimin e terminologjisë profesionale në gjuhët, që përdoren në vend dhe ngritjen e cilësisë së përdorimit të tyre, si edhe kthimin e dinjitetit të punës së përkthyesve, pse jo edhe licencimin tyre në gjuhën shqipe, në të njëjtën mënyrë siç është i rregulluar statusi i lektorëve të gjuhës maqedonase.Koordinatorja e trajnimit, prof. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, na sqaroi se: “Duke pare përvojat e përkthyesve, lektorëve, apo hartuesve të shkresave administrative, në temat që do të trajtohen për këtë vit, kemi përfshirë të gjitha rrafshet, si analiza e tekstit, përkthimi i teksteve të veçanta socialo-kulturore, furnizimin me fjalë dhe shprehje të softuerit, etj. në shumicën e institucioneve shtetërore”, vazhdon prof. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, “nuk ka shumë përkthyes nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas, as lektorë, por edhe aty ku ka, jo të gjithë janë të profilizuar mirë. Për këtë arsye e kemi organizuar trajnimin e tyre të klasifikuar në grupe të përkthyesve dhe lektorëve”.Drejtori i Agjencisë së Gjuhëve, Ardian Musliu, i përshëndeti sot përkthyesit, lektorët dhe profesorët titullarë që do të marrin pjesë në trajnimin e organizuar nga Agjencia. Ai gjithashtu theksoi: “Njëra nga detyrat e AZGj-së është trajnimi i përkthyesve dhe lektorëve i të gjitha institucioneve të vendit, duke bërë që politikat gjuhësore të gjejnë zbatim dhe të unifikohet terminologjia administrative. Të shkruarit dhe përkthimi janë veprime të ndërlikuara, që kërkojnë përgatitje të lartë profesionale dhe përvojë të madhe. Zyrtarizmi i gjuhës shqipe në nivel shtetëror është një hap me peshë të madhe politike në vendin tonë”.Trajnimi i përkthyesve dhe lektorëve do të zgjasë 6 javë, nga dy here në javë, dhe do të mbahet në auditorët e AZGj-së. Në vazhdimësi ne do t’ju njoftojmë çdo javë për temat dhe emrat e profesorëve që do të ligjërojnë.

Apr 25, 2023
news image
Projekti ndërkombëtar i miratuar i AZGJ-së

Në kuadër të angazhimeve për afirmimin ndërkombëtar dhe vlefshmërinë e punës së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së, në nëntor të vitit 2022, Agjencia përgatiti një projekt që u aplikua në Qendrën Europiane për gjuhët moderne (ESML) në Grac, Austri, e cila është pjesë e Këshillit të Europës me seli në Strasburg, Francë, pas një thirrjeje ndërkombëtare të shpallur më parë.Pas vlerësimit të projektit, më 20 shkurt të vitit 2023, AZGJ-ja mori njoftim zyrtar se po i njëjti ishte miratuar.Projekti i referohet mbështetjes në trajnim dhe ndihmës së ekspertëve brenda modulit të Edukimit shumëgjuhësh dhe do t’i përfshijë të punësuarit e AZGJ-së të cilët do të kenë mundësinë të përmirësojnë aftësitë e tyre për të punuar në një mjedis shumëgjuhësh. Emri i plotë i modulit brenda të të cilit do të zbatohet projekti Arsimi plurilingual – Qasje pluraliste ndaj gjuhëve dhe kulturave. Një vegël didaktike për arsimin e integruar plurilingual dhe ndërkulturor – FREPA (Plurilingual education – Pluralistic approaches to languages and cultures. A didactic tool for integrated plurilingual and intercultural education (FREPA)).Gjatë muajit maj të vitit 2023, dr. Andrea Young, profesor i rregullt në Fakultetin e Arsimit dhe të Mësimit të Përhershëm në Universitetin e Strasburgut, do të qëndrojë në selinë e AZGJ-së në Shkup, i cili do të jetë ekspert i projektit i punësuar nga grantdhënësi, në bashkëpunim me koordinatorin e modulit profesor Michel Candelier, ndërsa nga ana e AZGJ-së është përgatitur dhe me atë aplikoi Llazo Matovski nga ekipi i AZGJ-së.Realizimi i projektit vërteton bashkëpunimin e suksesshëm të AZGJ-së me Qendrën Europiane për gjuhët moderne, i cili u krijua me vizitën е qendrës nga drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, në muajin maj të vitit 2022.

Feb 23, 2023
news image
Përmbyllje e punës katërvjeçare si drejtor i parë i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës

 Prof. dr. Ylber Sela, ShkupPara plot katër viteve, në konkursin e rregullt, sipas nenit 18 të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, u zgjodha drejtor i parë i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Gjatë këtyre viteve kishim një veprimtari të dendur të kësaj Agjencie. Këtë javë zhvilluam aktivitetet përmbyllëse të punës katërvjeçare gjatë mandatit të parë. Promovuam botimet e fundit, si dhe raportin përmbledhës të punës për këto vite.Nuk thonë kot se koha po ik shumë shpejt. Katër vite më parë, me shumë entuziazëm, pranova detyrën e udhëheqjes së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Si çdo fillim, edhe kjo punë nuk ishte e lehtë. Jo vetëm për mua si drejtor, por i tërë ekipi themelues dhe së bashku me bashkëpunëtorët e parë, u ballafaquam me vështirësi të ndryshme. Ne jemi munduar që të kultivojmë një bashkëpunim me akademitë, institutet, qendrat albanologjike dhe universitetet e shteteve tona. Kemi pasur nevojë për përkrahje, për këshillën e tyre shkencore, që në fazat e para të themelimit të Agjencisë, si dhe gjatë tërë veprimtarisë së saj ndër vite.Agjencia, krahas përmbushjes së detyrave të përditshme, ka nxitur dhe mbështetur në vazhdimësi fushatën e ngritjes së vetëdijes publike për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Për këtë arsye ka zhvilluar pa reshtur, takime pune me çdo institucion shtetëror të vendit, për të ofruar ndihmën në procesin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhës. Organizuam trajnime, sivjet të tretin me radhë, për përkthyesit dhe redaktorët gjuhësorë të institucioneve shtetërore në vend. Mësimdhënës në këto trajnime, janë profesorë eminentë nga universitetet, institutet, qendrat albanologjike nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi, Korça, Prishtina, Prizreni, Shkupi, Tetova, pa kontributin e të cilëve, nuk do të kishte këtë sukses dhe cilësi, i gjithë procesi i trajnimeve.Ndër vite botuam broshura informuese, udhëzime, doracakë, në tri gjuhë, për çështje të statusit të gjuhës, politikës gjuhësore, shumëgjuhësisë dhe sfida të zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhës. Me pjesëmarrje të studiuesve, profesorëve, albanologëve të shquar, nga të gjithë trevat shqiptare, organizuam për çdo vit, nga një konferencë ndërkombëtare, edhe me studiues të huaj, ku u trajtuan tema të ndryshme të shumëgjuhësisë dhe të politikës gjuhësore, në dobi të njohjes më të mirë të këtyre çështjeve dhe të përshpejtimit të zbatimit zyrtar të dygjuhësisë në vend. U botuan, si libra më vete, kumtesat e këtyre konferencave, në tri gjuhë, në version të shtypur dhe elektronik. Këto u shpërndanë falas për nëpunësit shtetërorë, administratën dhe bashkëpunëtorët tanë, pjesëmarrës direkt në këtë proces të zbatimit të ligjit.Zhvilluam vizita pune dhe qëndrime studimore edhe jashtë vendit, në Itali, Tirolin e Jugut, në Austri, në Zvicër, për të mësuar më shumë për modelet e suksesshme të dy- dhe shumëgjuhësisë në shtetet demokratike të Europës Perëndimore. Mësojmë përherë prej tyre, kultivojmë bashkëpunimin me institucionet përkatëse të atyre vendeve, për të lehtësuar njohjen e këtyre çështjeve, dhe për të përshpejtuar procesin e zbatimit të ligjit në fjalë.Zhvilluam anketime, intervista, tryeza shkencore, bëmë vetë kërkime dhe botuam studime për situatën dhe politikën gjuhësore, shumëgjuhësinë dhe çështje të tjera që ndërlidhen me këtë tematikë. Të gjithë këta botime, jemi munduar të jenë në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht, në version të shtypur dhe digjital, për të pasur qasje, çdo bashkëpunëtor i yni, dhe secili që ka interes dhe merret me këtë problematikë.Aktivitetet e kësaj jave të fundit si drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, i përmbyllëm me organizimin e tryezës së rrumbullakët, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, me temat bosht: “Gjuha shqipe dhe sfidat aktuale të saj” dhe “Gjuha standarde shqipe dhe sfidat e përdorimit zyrtar të saj”.Pjesëmarrës në këtë tryezë shkencore ishin udhëheqësit e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, si dhe emra të njohur nga kryeqendrat e albanologjisë, Tirana, Prishtina dhe Shkupi, pjesëmarrje kjo e vazhdueshme, që nga themelimi i Agjencisë. U lexuan kumtesa, si dhe u diskutua gjerë e gjatë për temën në fjalë, për sfidat e sotme të mbarë shqipes, me vështrim të veçantë u debatua, për statusin dhe sfidat e zbatimit zyrtar të shqipes në RMV.Për në të ardhmen mbetet detyrë, jo vetëm e Agjencisë, por e çdo institucioni shtetëror, e secilit individi me vete, që të përkujdesen për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, për arritjen e barazisë gjuhësore në vend, për përshpejtim të përdorimit zyrtar të dygjuhësisë, si dhe për kultivimin e vlerave të shumëgjuhësisë.Edhe njëherë dua të falënderoj të gjithë përkrahësit dhe bashkëpunëtorët e Agjencisë për punën e palodhshme, me përkushtim të dalluar dhe kontributin që kanë dhënë ndër vite.Falënderim të përzemërt vëllazëror kam pasur përgjithmonë për këshillat, ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të studiuesve, profesorëve, albanologëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, diaspora jonë, si dhe, kuptohet, nga vendi ynë.Uroj që edhe në të ardhmen, të kemi një vazhdimësi të sigurt të punës së suksesshme të Agjencisë. Drejtorit të ardhshëm dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të Agjencisë ju uroj punë të mbarë dhe suksese të vazhdueshme.

Feb 22, 2023
Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk