news image
FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË PROMOVIMIN E LIBRIT “GJUHA SHQIPE PARA DHE PAS MIRATIMIT TË LIGJIT TË PËRDORIMIT TË GJUHËVE TË VITIT 2019”

Të nderuar miq!Duke ju dëshiruar mirëseardhje në aktivitetin tonë, më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë time për daljen në dritë të këtij botimi të veçantë të cilin po e promovojmë sot në mënyrë solemne para jush dhe para gjithë publikut të RMV-së.Pas një pune të gjatë studimore të një grupi autorësh, profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës së drejtësisë, më në fund, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, me ekipet e saj, duke e redaktuar dhe duke e lekturuar, arriti ta nxjerrë në dritë librin “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019”. Siç mund të shihet nga vetë titulli, studimi në fjalë ka të bëjë me historikun e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe që nga konstituimi këtij shteti ku jetojmë e deri më sot kur gjuha shqipe gëzon një status më të përparuar.Në të vërtetë, aty mund të shihet se ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm, përplot vështirësi e sfida, përplot përpjekje e sakrifica nga shqiptarët e kësaj hapësire. Pikërisht kjo ecuri e vazhdueshme historike dhe politike na nxjerr në vitin 2019 kur u miratua Ligji i Përdorimit të Gjuhëve, si një arritje më e avancuar, me të cilin gjuha shqipe arriti nivelin më të lartë të përdorimit zyrtar, rezultat i të cilit është edhe themelimi i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, të cilën e udhëheq unë, si dhe Inspektorati i Përdorimit të Gjuhës, si dy institucione të cilat kujdesen për të ndihmuar dhe për ta zbatuar gjuhën shqipe në institucionet shtetërore.Libri “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019” është pasqyrë e qartë e këtij procesi; është determinim shkencor, juridik, politik dhe shoqëror; është vizion kombëtar dhe qytetar. Duke e njohur këtë periudhë, ne arrijmë ta krijojmë ndërgjegjen tonë kombëtare e qytetare për ta ruajtur dhe për ta zbatuar gjuhën shqipe në pajtim me përcaktimet ligjore.Natyrisht, unë e shoh këtë libër si një doracak të rëndësishëm dhe substancial për të gjithë qytetarët shqiptarë të RMV-së, sidomos për ata që punojnë në institucionet shtetërore, si një frymëzues dhe udhëzues për të bërë përpjekje maksimale dhe për të treguar kujdes ndaj gjuhës shqipe e cila është vulë e identitetit tonë.Në fund, duke ua lënë fjalën recensentëve të këtij libri, dëshiroj të theksoj këtu para jush se ndjej kënaqësi dhe krenari njëkohësisht për faktin se kemi arritur ta sublimojmë çështjen e gjuhës shqipe në një studim të këtillë, për të rikujtuar se ku kemi qenë dikur dhe ku jemi sot, jo për t’u mburrur se cili subjekt politik ka bërë më shumë, por thjesht për ta parë të vërtetën ashtu siç është, në dritën e argumenteve e përkushtimeve.Pa dashur që ta zgjas më tepër, uroj që ky libër ta gjejë rrugën e vet te lexuesit dhe të shërbejë si një reflektim pozitiv.Ju faleminderit![gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="7053,7056,7059,7062,7065"]

Nov 22, 2021
news image
FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË AKTIVITETIN E ZHVILLUAR NË SHTËPINË E ALFABETIT NË MANASTIR

Të nderuar miq!Më lejoni të them disa fjalë në kontekstin e aktiviteteve që po zhvillohen në suaza të Ditëve të Alfabetit, ku si temë është kauza arbëreshe për gjuhën shqipe dhe për albanologjinë. Vizita jonë në Manastir nuk është një formalitet, por është një esencë për faktin se ne bartësit e institucioneve kthehemi në kohë për të kujtuar paraardhësit tanë të cilët i vunë themelet e gjuhës shqipe. Nëse arbëreshët e ngjallën këtë gjuhë nga harresa, pjesëmarrësit e Kongresit të Alfabetit më 1908 e vunë atë në binarët e shkrimit të njësuar, pra duke zgjedhur një alfabet të përbashkët të cilin e kemi sot. Në këtë kuptim, sot aq më tepër ne detyrohemi që të jemi mirënjohës për këtë vendosmëri e kontribut të tyre, por edhe përgjegjës dhe të vëmendshëm ndaj gjuhës shqipe, duke e ruajtur, kultivuar e afirmuar atë në të gjitha instancat shkencore, kulturore, akademike, arsimore, shoqërore e politike. Duke qenë në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, mua më bie kjo barrë që të bëj maksimumin për sa i përket zbatimit praktik të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, jo vetëm si një detyrim ligjor, por aq më tepër edhe si një detyrim kombëtar. Meqë ndodhemi në këtë tempull të gjuhës shqipe, siç është Shtëpia e Alfabetit, dëshiroj ta shfrytëzoj rastin për të bërë apel që ta mbrojmë dhe kultivojmë gjuhën shqipe, ta flasim me ndjenjë dhe me zemër, ta shkruajmë me shkronjat që dolën nga kjo shtëpi, sepse nuk kemi trashëgimi më të çmuar se kjo.Uroj që kjo festë të jetë testament dhe reflektim, metafizikë dhe krenari kombëtare!Ju faleminderit![gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="7038,7041,7044"]

Nov 21, 2021
news image
FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË KONFERENCËN KUSHTUAR STUDIUESIT ANTON NIKË BERISHA NË KUADËR TË DITËVE TË ALFABETIT

Të nderuar pjesëmarrës!Më lejoni ta përshëndes këtë aktivitet i cili zhvillohet në suaza të Ditëve të Alfabetit, ku sivjet si temë qendrore janë arbëreshët, gjuha, kultura, letërsia dhe tradita e tyre.Duke qenë se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, të cilën e udhëheq unë, po i ndjek rregullisht këto aktivitete, kam bindjen e thellë se edhe ky i sotmi që i kushtohet studiuesit të njohur Anton Nikë Berisha, është një kontribut i rëndësishëm për të hedhur dritë mbi figurën e tij, i cili është marrë në mënyrë të veçantë me letërsinë dhe kulturën arbëreshe.Në këtë kontekst, vetë fakti se lënda e pare e krijimit të letërsisë është gjuha, aq më tepër na obligon që të jemi pranë saj si një institucion që kujdeset për zbatimin, mbrojtjen dhe afirmimin e saj. Për këtë arsye, dua të theksoj se bota arbëreshe na përket të gjithëve; është ndjenja dhe krenaria jonë, është gjaku i shprishur që rikthehet në qenien tonë. Thjesht, nëpërmjet arbëreshëve ne tregojmë përgjegjësinë tonë kombëtare dhe institucionale. Duke i nderuar personalitetet që flasin për ta, ne i nderojmë edhe arbëreshët.Pa e zgjatur më tepër, shpresoj dhe uroj që pjesëmarrësit të japin ndihmesën e tyre për figurën e Anton Nikë Berishës, por edhe për arbëreshët e Italisë.Ju faleminderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="7020,7023,7026,7029"]

Nov 19, 2021
news image
Fjalë rasti e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në promovimin e dy librave të Ramiz Abdylit

Të nderuar miq!10 Qershori ose Dita e Lidhjes së Prizrenit, pa dyshim, është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Prandaj është e kuptueshme se edhe shënimi i saj medoemos paraqet një detyrim kombëtar për faktin se duhet të jemi mirënjohës ndaj atyre që i hodhën themelet e shtetit, kombit dhe gjuhës, të përulemi para sakrificës së tyre për ideale të shtrenjta kombëtare dhe, veçanërisht, ta vazhdojmë rrugën e tyre në aspektin ndihmesës kombëtare në të gjitha format e mundshme.Po ashtu, edhe dy librat që i promovojmë sot, “Shkupi në Lidhjen e Prizrenit” dhe “Veprimtaria e Klubit të Shkupit” të autorit Ramiz Abdyli, janë një formë e veçantë për ta shënuar këtë datë. Me anë të tyre hidhet dritë e mjaftueshme për të kuptuar qartë se shqiptarët e kësaj qendre, siç ishte Shkupi, nuk qëndruan fare indiferentë ndaj ngjarjeve të kohës, por u bënë pjesë aktive e tyre duke dhënë kontributin kombëtar, politik, shoqëror, kulturor, arsimor etj. Duke qenë se ne, brezat e sotëm që jetojmë dhe veprojmë në Shkup, jemi një vazhdimësi e kësaj kauze, aq më tepër na bën të ndihemi krenarë.Në këtë kontekst dua të theksoj se Lidhja e Prizrenit ishte organizata më largpamëse dhe më strategjike shqiptare e cila e ndërtoi vetëdijen mbarëkëmbëtare për shtetin, kombin dhe gjuhën. Në përputhje me këtë frymë, edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, të cilën më ra fati që ta udhëheq unë, vazhdon të punojë me përkushtim që gjuha shqipe të zbatohet në institucionet shtetërore, duke përmbushur amanetin e pararendësve tanë që vepruan në kuadër të Lidhjes së Prizrenit. Pa ruajtjen dhe pa kultivimin e gjuhës shqipe, nuk do të kemi as komb. Prandaj do të bëjmë çmos që ta vazhdojmë misionin tonë me ndërgjegje e përgjegjësi të plotë.Uroj që librat e këtillë të shërbejnë si një dritë udhëzuese për brezat e sotëm, për të kuptuar dhe për të punuar për kauzën kombëtare.Ju faleminderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="5891,5894,5897"]

Jun 10, 2021
news image
Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit (Fjalë përshëndetëse e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela)

Të dashur miq! Siç e dimë të gjithë, dita e sotme është një ditë e rëndësishme kombëtare për ne, sepse na e kujton diturinë, shkollën dhe, mbi të gjithë, mësuesin si shtyllën kryesore të kësaj shoqërie. Por, ndryshe nga vitet e mëparshme kur kishim të drejtë ta konsideronim si një festë të vërtetë, duke i numëruar sukseset dhe arritjet në këtë fushë, sivjet, për fat të keq, jemi të detyruar që këtë ta bëjmë vetëm për hir të vazhdimësisë dhe traditës së krijuar, për shkak se masat e pandemisë, më shumë se çdo gjë tjetër, e kanë prekur arsimin dhe shkollën, duke i detyruar mësuesit dhe nxënësit të qëndrojnë larg tempujve të dijes, duke shpjeguar e mësuar në mënyrë indirekte nëpërmjet teknologjisë. Prandaj, kjo mënyrë, aq sa është sakrificë dhe mbijetesë, po aq është edhe rekuiem dhe dhembje. Natyrisht, Instituti i Tashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve na bën bashkë për ta shënuar këtë ditë të rëndësishme, duke u bashkëngjitur edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës dhe duke dëshmuar se ne jemi mirënjohës dhe vlerësues ndaj mësuesve. Kjo do të thotë se nuk i harrojmë ata që u japin dritë fëmijëve tanë të cilët do të jenë bartës të ardhmërisë. Megjithatë, urimi i sivjetëm për këtë ditë është më tepër një lutje shpirtërore. Pra, le të shpresojmë dhe të urojmë që të tejkalohet sa më parë kjo situatë e pazakonshme, që mësuesit dhe nxënësit të rikthehen brenda tempujve të dijes, aty ku është vendi i tyre i natyrshëm! Ju faleminderit! [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="5511,5514,5517"]

Mar 7, 2021
news image
Fjalimi i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela për Ditën e Alfabetit

Të dashur miq!Të rralla janë ngjarjet historike të cilat, jo vetëm që nuk harrohen e nuk zbehen fare nga kujtesa jonë kolektive, por, sa më shumë që kalon koha, bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, më frymëzuese dhe më ndërgjegjësuese për të gjithë ne. Pa dyshim, këtu bën pjesë edhe Kongresi i Alfabetit, ose Kongresi i Manastirit, i cili sivjet i mbush 112 vjet, si një ngjarje që shënoi kthesë të madhe dhe vendimtare në historinë kulturore të shqiptarëve dhe që e hapi edhe rrugën e konsolidimit shtetëror më 1912.Së pari, ky kongres është vetvetiu histori, për arsye se populli shqiptar për herë të parë arriti të formësohet në aspektin kulturor duke zgjedhur rrugën e duhur në udhëkryqin e ndërlikuar të historisë, thjesht duke u përcaktuar për modelin alfabetik që do ta përdorte, pra atë latin të cilin e përdorte gjithë Europa, ku gjeografikisht bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Në këtë mënyrë ndodhi rikthimi i natyrshëm në gjirin e vet kulturor e qytetërues.Së dyti, Kongresi i Alfabetit është vetvetiu një simbolikë e veçantë, për arsye se, që nga ajo ditë, kur mbizotëroi fryma e unitetit shqiptar, u bë udhërrëfyes edhe për shumë beteja të tjera të mëvonshme, duke shërbyer si shembull pozitiv se si mund të bëhen shumë gjëra të mëdha me anë të mirëkuptimit e bashkimit. Prandaj, edhe më tej vazhdon të mbetet simbolikë themelore e shqiptarëve, duke u bërë edhe referencë aktuale për arritjen e qëllimeve kulturore, arsimore, shkencore, politike e kombëtare.Së treti, Kongresi i Manastirit është një testament kulturor e qytetërues i shqiptarëve, të cilin e lexojnë dhe e analizojnë të gjitha brezat duke reflektuar në mënyrë pozitive e racionale. Sigurisht, edhe ne kemi fatin e madh që të flasim e të japim ndihmesë në këtë aspekt, si dhe ta përcjellim frymën e tij tek ata që do të vijnë pas nesh.Së katërti, Kongresi i Alfabetit na rikthen në kohë dhe në hapësirë, jo vetëm për ta përkujtuar në mënyrë nostalgjike si ngjarje, por edhe për t’u rikthyer fizikisht në qytetin e Manastirit si vatër e rëndësishme e Rilindjes sonë Kombëtare dhe për të dëshmuar kujdesin dhe mirënjohjen tonë ndaj tij, për t’i bërë sfidë harresës dhe shpërfilljes në këtë kohë marramendëse. Dhe si i tillë, Manastiri mbetet krenari kombëtare.Natyrisht, të gjitha këto mua personalisht më bëjnë jashtëzakonisht krenar si shqiptar, por aq më tepër edhe si drejtor që kam fatin ta udhëheq Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës Shqipe, e cila çdo ditë e më tepër jep ndihmesën e vet në zbatimin zyrtar të kësaj gjuhe, e cila shkruhet pikërisht me ato shkronja që u zgjodhën si model në Kongresin e Alfabetit më 1908 në Manastir.Uroj që kjo ngjarje të mbetet testament i përjetshëm kombëtar. Pa shkronja, nuk ka gjuhë. Pa gjuhë, nuk ka komb. Duhet ta kemi të qartë se vetëm me këto shkronja dhe me këtë gjuhë, ne do të quhemi shqiptarë në kuptimin thelbësor.Ju falemnderit!Linku i fjalimit të drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela për Ditën e Alfabetit

Nov 21, 2020
Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk