FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË PROMOVIMIN E LIBRIT “GJUHA SHQIPE PARA DHE PAS MIRATIMIT TË LIGJIT TË PËRDORIMIT TË GJUHËVE TË VITIT 2019”

Nov 22, 2021

FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË PROMOVIMIN E LIBRIT “GJUHA SHQIPE PARA DHE PAS MIRATIMIT TË LIGJIT TË PËRDORIMIT TË GJUHËVE TË VITIT 2019”

Të nderuar miq!

Duke ju dëshiruar mirëseardhje në aktivitetin tonë, më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë time për daljen në dritë të këtij botimi të veçantë të cilin po e promovojmë sot në mënyrë solemne para jush dhe para gjithë publikut të RMV-së.

Pas një pune të gjatë studimore të një grupi autorësh, profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës së drejtësisë, më në fund, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, me ekipet e saj, duke e redaktuar dhe duke e lekturuar, arriti ta nxjerrë në dritë librin “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019”. Siç mund të shihet nga vetë titulli, studimi në fjalë ka të bëjë me historikun e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe që nga konstituimi këtij shteti ku jetojmë e deri më sot kur gjuha shqipe gëzon një status më të përparuar.

Në të vërtetë, aty mund të shihet se ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm, përplot vështirësi e sfida, përplot përpjekje e sakrifica nga shqiptarët e kësaj hapësire. Pikërisht kjo ecuri e vazhdueshme historike dhe politike na nxjerr në vitin 2019 kur u miratua Ligji i Përdorimit të Gjuhëve, si një arritje më e avancuar, me të cilin gjuha shqipe arriti nivelin më të lartë të përdorimit zyrtar, rezultat i të cilit është edhe themelimi i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, të cilën e udhëheq unë, si dhe Inspektorati i Përdorimit të Gjuhës, si dy institucione të cilat kujdesen për të ndihmuar dhe për ta zbatuar gjuhën shqipe në institucionet shtetërore.

Libri “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019” është pasqyrë e qartë e këtij procesi; është determinim shkencor, juridik, politik dhe shoqëror; është vizion kombëtar dhe qytetar. Duke e njohur këtë periudhë, ne arrijmë ta krijojmë ndërgjegjen tonë kombëtare e qytetare për ta ruajtur dhe për ta zbatuar gjuhën shqipe në pajtim me përcaktimet ligjore.

Natyrisht, unë e shoh këtë libër si një doracak të rëndësishëm dhe substancial për të gjithë qytetarët shqiptarë të RMV-së, sidomos për ata që punojnë në institucionet shtetërore, si një frymëzues dhe udhëzues për të bërë përpjekje maksimale dhe për të treguar kujdes ndaj gjuhës shqipe e cila është vulë e identitetit tonë.

Në fund, duke ua lënë fjalën recensentëve të këtij libri, dëshiroj të theksoj këtu para jush se ndjej kënaqësi dhe krenari njëkohësisht për faktin se kemi arritur ta sublimojmë çështjen e gjuhës shqipe në një studim të këtillë, për të rikujtuar se ku kemi qenë dikur dhe ku jemi sot, jo për t’u mburrur se cili subjekt politik ka bërë më shumë, por thjesht për ta parë të vërtetën ashtu siç është, në dritën e argumenteve e përkushtimeve.

Pa dashur që ta zgjas më tepër, uroj që ky libër ta gjejë rrugën e vet te lexuesit dhe të shërbejë si një reflektim pozitiv.

Ju faleminderit!

[gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="7053,7056,7059,7062,7065"]

You might also like

Speeches\Interviews

Fjalë rasti e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në shënimin e 10 qershorit, Ditës së Lidhjes së Prizrenit

Të dashur miq!Sot, kur po e shënojmë Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u themelua më 1878, pra para 144 vjetësh, gjithsesi kemi një arsye të fuqishme për ta përkujtuar njërën nga motot kryesore të saj: “Pa gjuhë nuk ka komb”, moto kjo e cila edhe në këto rrethana na kthen tek esenca dhe semantika e saj. Nga ky këndvështrim ndoshta mund të duket pak romantike, por realisht kjo paraqet thelbin dhe vizionin kryesor të shqiptarëve në këtë periudhë të ndryshimeve historike.Pra, duhet ta përsërisim vazhdimisht se pa këtë gjuhë nuk ka asnjë perspektivë dhe as që mund ta paramendojmë ekzistencën tonë kombëtare. Siç e dimë, gjuha shqipe u kultivua nga rilindësit tanë dhe u ngrit në piedestalin më të lartë, prandaj këtë patjetër duhet ta bëjmë edhe sot pa asnjë ngurrim e pa asnjë dilemë.Duke qenë në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, mua më bie barra e përgjegjësisë që testamentin kombëtar të paraardhësve tanë për gjuhën shqipe ta bëj realitet edhe në këto hapësira ku jetojmë dhe veprojmë. Kjo nënkupton faktin se gjuhën shqipe duhet ta futim në përdorim zyrtar në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, së pari duke i ndihmuar institucionet që ta zbatojnë atë me përpikëri, por nga ana tjetër edhe duke zhvilluar aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin, afirmimin dhe trajtimin ligjor të saj. Natyrisht, pjesëmarrja jonë e drejtpërdrejtë në këto aktivitete kulturore e shkencore, por edhe bashkëpunimi me institucionet e tjera anekënd hapësirës shqiptare dhe më gjerë, aq më tepër na bën krenarë që jemi kontribues të denjë për gjuhën shqipe.Me këtë rast, unë jam i prirur që në suaza të Lidhjes së Prizrenit ta shohim edhe veten tonë si një institucion që ka lindur si rezultat i vizionit të saj për gjuhën shqipe. Prandaj konsideroj se ne jemi trashëgimia dhe vazhdimësia historike dhe aktuale, jemi bartësit e frymës dhe të ideve të saj. Me anë të gjuhës shqipe ne do të vazhdojmë të ndihemi dhe ta quajmë veten shqiptarë deri në frymën e fundit. Në fakt, kjo është një arritje e madhe qytetëruese, kulturore dhe kombëtare për të cilën duhet të mburremi brez pas brezi. Dhe si e tillë kjo i bën krenarë shqiptarët, pa i dëmtuar të tjerët në asnjë mënyrë.Në fund, dëshiroj të theksoj se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së do të mbetet besnike në këtë ecuri të pandalshme, gjithmonë duke menduar, folur e shkruar shqip. Ne çdo ditë japim mesazhin tonë: Jemi shqiptarë, prandaj duhet të flasim shqip kudo që të jemi, ndaj edhe në nivelet shtetërore. Në këtë mënyrë e përmbushim amanetin historik të Lidhjes së Prizrenit duke mbetur përjetësisht shqiptarë.Ju falemnderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="8748,8751,8754"]

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk