Fjalimi i autorit, Llazo Matovski me rastin e promovimit të botimit shkencor

Apr 1, 2022

Fjalimi i autorit, Llazo Matovski me rastin e promovimit të botimit shkencor

“Aspektet juridike të përdorimit të gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

të nderuar anëtarë të komunitetit akademik,

të nderuar pjesëmarrës të institucioneve, medie,

të nderuar të pranishëm,

Jam i nderuar dhe veçanërisht i kënaqur që pranuat ftesën për të marrë pjesë në promovimin e sotëm të librit “Aspektet juridike të përdorimit të gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Pa mos e zgjatur shumë, do të doja të ndërlidhesha me prononcimin e bashkautorit të këtij libri prof. dr. Ylber Sela.

Jo rastësisht është zgjedhur dita e sotme – Dita e gjyqësorit për promovimin e këtij punimi, duke pasur parasysh se e shqyrton tematikën e përdorimit të gjuhëve në procedurat para organeve gjyqësore.

Motivi themelor dhe pikënisja e përpilimit të një punimi të këtillë ishte gjendja aktuale e lidhur me zbatimin e gjuhëve në sistemin legjislativ dhe ndjenja e nevojës që të ndërmerren aktivitete, përkatësisht të riafirmohet interesi i zbatimit të rregullave pozitive ligjore, të cilat e rregullojnë përdorimin e gjuhëve në këtë fushë të rëndësishme shoqërore.

Ky punim u referohet aspekteve materiale dhe proceduralo-juridike të përdorimit të gjuhëve në sistemin juridik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në rregullimin e tyre ligjor dhe përdorimin në organet gjyqësore, me theks edhe të akteve më të rëndësishme ndërkombëtare, që i referohen përdorimit të gjuhëve dhe të drejtës së mosdiskriminimit gjuhësor.

Zbatimi i gjuhëve në sektorin gjyqësor për shkak të realizimit të angazhimeve për pasjen e papengueshme dhe faktik të lirive dhe të drejtave të garantuara të qytetarit si palë është proces i plotësuar me vështirësi dhe sfida të natyrës objektive dhe subjektive, si dhe mungesë e burimeve të natyrës materialo-teknike dhe kadrovike.

Sistemi gjyqësor padyshim që paraqet një nga shtyllat themelore të sistemit institucional dhe vendosjen e sistemit efikas funksional, që mëton drejt realizimit të funksionit të tij të drejtësisë efektive, cilësore dhe të barabartë dhe është postulat i rëndësishëm i parimit të sundimit të së drejtës në bashkësinë shoqërore të bazuar në respektimin e vlerave qytetëruese bashkëkohore.

Sigurisht, këtë libër e shoh si nxitje e veprimit institucional më gjithëpërfshirës të të gjithë aktorëve të përfshirë, me qëllim për të krijuar kushte të zbatimit real dhe praktik të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në sistemin gjyqësor.

Në fund, më lejoni që ta falënderoj bashkautorin prof. dr. Ylber Sela, për bashkëpunimin konstruktiv në procesin e përpilimit të librit, recensuesve prof. dr. Jeton Shasivari dhe prof. dr. Afet Mamuti, për vëzhgimin kritik të punimit, kolegëve të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, të cilët dhanë kontributin e tyre të rëndësishëm në përgatitjen e këtij libri, bashkëpunëtores Daniella Jaqimovska, lektorëve dr. Liljana Pandeva, Ahmet Selmani dhe Nebi Bilalli, si dhe kolegët që ndihmuan në përpilimin e librit: Elham Hajrullahu, Rihan Ismaili, Behar Rushit, Suhejb Mustafa, Elif Musai, Sali Etemi, Kushtrim Saiti dhe Dardan Emini.

Shpresoj që ky libër do ta gjejë rrugën e vet deri te lexuesi dhe të ketë jehonë pozitive te lexuesit.

Ju faleminderit!

You might also like

Speeches\Interviews

Fjalë rasti e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në shënimin e 10 qershorit, Ditës së Lidhjes së Prizrenit

Të dashur miq!Sot, kur po e shënojmë Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u themelua më 1878, pra para 144 vjetësh, gjithsesi kemi një arsye të fuqishme për ta përkujtuar njërën nga motot kryesore të saj: “Pa gjuhë nuk ka komb”, moto kjo e cila edhe në këto rrethana na kthen tek esenca dhe semantika e saj. Nga ky këndvështrim ndoshta mund të duket pak romantike, por realisht kjo paraqet thelbin dhe vizionin kryesor të shqiptarëve në këtë periudhë të ndryshimeve historike.Pra, duhet ta përsërisim vazhdimisht se pa këtë gjuhë nuk ka asnjë perspektivë dhe as që mund ta paramendojmë ekzistencën tonë kombëtare. Siç e dimë, gjuha shqipe u kultivua nga rilindësit tanë dhe u ngrit në piedestalin më të lartë, prandaj këtë patjetër duhet ta bëjmë edhe sot pa asnjë ngurrim e pa asnjë dilemë.Duke qenë në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, mua më bie barra e përgjegjësisë që testamentin kombëtar të paraardhësve tanë për gjuhën shqipe ta bëj realitet edhe në këto hapësira ku jetojmë dhe veprojmë. Kjo nënkupton faktin se gjuhën shqipe duhet ta futim në përdorim zyrtar në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, së pari duke i ndihmuar institucionet që ta zbatojnë atë me përpikëri, por nga ana tjetër edhe duke zhvilluar aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin, afirmimin dhe trajtimin ligjor të saj. Natyrisht, pjesëmarrja jonë e drejtpërdrejtë në këto aktivitete kulturore e shkencore, por edhe bashkëpunimi me institucionet e tjera anekënd hapësirës shqiptare dhe më gjerë, aq më tepër na bën krenarë që jemi kontribues të denjë për gjuhën shqipe.Me këtë rast, unë jam i prirur që në suaza të Lidhjes së Prizrenit ta shohim edhe veten tonë si një institucion që ka lindur si rezultat i vizionit të saj për gjuhën shqipe. Prandaj konsideroj se ne jemi trashëgimia dhe vazhdimësia historike dhe aktuale, jemi bartësit e frymës dhe të ideve të saj. Me anë të gjuhës shqipe ne do të vazhdojmë të ndihemi dhe ta quajmë veten shqiptarë deri në frymën e fundit. Në fakt, kjo është një arritje e madhe qytetëruese, kulturore dhe kombëtare për të cilën duhet të mburremi brez pas brezi. Dhe si e tillë kjo i bën krenarë shqiptarët, pa i dëmtuar të tjerët në asnjë mënyrë.Në fund, dëshiroj të theksoj se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së do të mbetet besnike në këtë ecuri të pandalshme, gjithmonë duke menduar, folur e shkruar shqip. Ne çdo ditë japim mesazhin tonë: Jemi shqiptarë, prandaj duhet të flasim shqip kudo që të jemi, ndaj edhe në nivelet shtetërore. Në këtë mënyrë e përmbushim amanetin historik të Lidhjes së Prizrenit duke mbetur përjetësisht shqiptarë.Ju falemnderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="8748,8751,8754"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk