Fjalë përshëndetëse e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në promovimin e librit “Propozime për drejtshkrimin " të autorit Rami Memushaj

Mar 8, 2022

Fjalë përshëndetëse e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në  promovimin e librit “Propozime për drejtshkrimin " të autorit Rami Memushaj
Të nderuar miq!
Sot kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përshëndes në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e veprojnë, kudo që marrin frymë e mendojnë shqip, përvjetor ky që lidhet me një periudhë të rëndësishme të zhvillimit dhe emancipimit tonë kulturor e kombëtar, pra me 50 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, që sot fillon të shënohet me këtë aktivitet i cili ka të bëjë me promovimin e librit “Propozime për drejtshkrimin” të autorit dhe bashkëpunëtorit tonë, Rami Memushaj.
Në të vërtetë, ky vit me të drejtë është shpallur si Vit i Drejtshkrimit, për arsye se do të shënohet në mënyrë institucionale me një varg aktivitetesh të ndryshme kulturore e shkencore. Pa dyshim, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së është zotuar se do të jetë pjesë dhe partner i këtyre aktiviteteve për të dhënë ndihmesën e saj, aq më tepër për arsye se veprimtaria e saj është kryekëput gjuha shqipe dhe zbatimi i saj zyrtar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në pajtim me përcaktimet e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Kjo nënkupton faktin se detyrë dhe imperativ i kësaj agjencie është zbatimi i normës standarde, përkatësisht i drejtshkrimit të saj, duke e bërë çdo ditë gjatë përkthimit dhe lekturimit të akteve, dokumenteve e shkresave të shumta zyrtare.
Prandaj, edhe ky libër i Rami Memushajt që vjen në 50 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit është plotësisht në përputhje me punën dhe vokacionin tonë. Në këtë kuptim, ne e ndjejmë këtë si pjesë tonën, duke e konsideruar si një arritje historike e kombëtare, si kujtesë dhe si dëshmi, por edhe si vizion e angazhim i vazhdueshëm. Në këtë kontekst është e rëndësishme të theksojmë faktin se me anë të drejtshkrimit, ne ndihemi më të bashkuar e më të konsoliduar në aspektin kulturor, arsimor, gjuhësor e kombëtar. Duke folur e shkruar sipas standardit të kësaj gjuhe, ne realisht flasim me një zë të përbashkët, komunikojmë në mënyrë shumë qytetëruese dhe moderne.
Pa e zgjatur më shumë, uroj që ky libër të mbetet si një testament gjuhësor për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për ne që merremi me zbatimin zyrtar të gjuhës shqipe, si dhe për të gjitha institucionet arsimore, kulturore e shkencore.
Ju faleminderit!
Shkup, 7 mars 2022
 

You might also like

News

Projekti ndërkombëtar i miratuar i AZGJ-së

Në kuadër të angazhimeve për afirmimin ndërkombëtar dhe vlefshmërinë e punës së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së, në nëntor të vitit 2022, Agjencia përgatiti një projekt që u aplikua në Qendrën Europiane për gjuhët moderne (ESML) në Grac, Austri, e cila është pjesë e Këshillit të Europës me seli në Strasburg, Francë, pas një thirrjeje ndërkombëtare të shpallur më parë.Pas vlerësimit të projektit, më 20 shkurt të vitit 2023, AZGJ-ja mori njoftim zyrtar se po i njëjti ishte miratuar.Projekti i referohet mbështetjes në trajnim dhe ndihmës së ekspertëve brenda modulit të Edukimit shumëgjuhësh dhe do t’i përfshijë të punësuarit e AZGJ-së të cilët do të kenë mundësinë të përmirësojnë aftësitë e tyre për të punuar në një mjedis shumëgjuhësh. Emri i plotë i modulit brenda të të cilit do të zbatohet projekti Arsimi plurilingual – Qasje pluraliste ndaj gjuhëve dhe kulturave. Një vegël didaktike për arsimin e integruar plurilingual dhe ndërkulturor – FREPA (Plurilingual education – Pluralistic approaches to languages and cultures. A didactic tool for integrated plurilingual and intercultural education (FREPA)).Gjatë muajit maj të vitit 2023, dr. Andrea Young, profesor i rregullt në Fakultetin e Arsimit dhe të Mësimit të Përhershëm në Universitetin e Strasburgut, do të qëndrojë në selinë e AZGJ-së në Shkup, i cili do të jetë ekspert i projektit i punësuar nga grantdhënësi, në bashkëpunim me koordinatorin e modulit profesor Michel Candelier, ndërsa nga ana e AZGJ-së është përgatitur dhe me atë aplikoi Llazo Matovski nga ekipi i AZGJ-së.Realizimi i projektit vërteton bashkëpunimin e suksesshëm të AZGJ-së me Qendrën Europiane për gjuhët moderne, i cili u krijua me vizitën е qendrës nga drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, në muajin maj të vitit 2022.

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk