news image
Me rastin e Ditës së Gjuhës Amtare AZGJ-ja mbajti konferencë shkencore

Në praninën e një numri të konsiderueshëm pjesëmarrësish, përfaqësues të jetës politike, kulturore, shkencore e arsimore, sot në sallën e Komunës së Çairit në Shkup, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Në hapjen solemne të këtij aktiviteti kulturor e shkencor, fjalën e rastit e mbajti drejtori i AZGJ-së, Granit Osmani i cili theksoi rolin dhe rëndësinë e gjuhës shqipe për shqiptarët në RMV.Po ashtu, para të pranishmëve u drejtua edhe kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, pastaj zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti, zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Këta vunë në dukje angazhimin e përbashkët për zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore si një sfidë dhe synim i vazhdueshëm i popullatës shqiptare.Në vazhdim u mbajt edhe Konferenca Shkencore me temë “Gjuha shqipe – identitet dhe jo politikë”, në të cilën me kumtesat e tyre u paraqitën Jeton Shasivari, Ismet Osmani, Demush Bajrami, Ajtene Qamili, Ahmet Selmani, Sunaj Rrahimi, Isamet Bakiu, Mersim Maksuti dhe Nebi Bilalli. Referuesit në fjalë theksuan shumë aspekte që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe në kontekstin e kontestimit formal dhe material të Ligjit të Përdorimit ë Gjuhëve, trajtuan çështje që kanë të bëjnë me realitetin gjuhësor në RMV, aspektin e teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale, kontekstin multikulturor dhe interkulturor, të drejtën natyrore dhe mitin e rrezikimit, përkufizimin e politikës gjuhësore, çështjen e identitetit gjuhësor, të drejtën e përdorimit praktik të gjuhës shqipe, argumentet që duhet t’i marrë parasysh Gjykata Kushtetuese në rastin e vlerësimit eventual të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, problemet me të cilat ballafaqohet gjuha shqipe në përdorimin praktik etj.

Feb 24, 2025
news image
Fjala e drejtorit në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

I nderuar z. Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i nderuar z. Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i RMV-së, i nderuar z. Lulzim Aliu, zv. ministër i Arsimit, i nderuar z. Hasim Murtezani, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Qeverisë, i nderuar z. Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit, anëtarë të respektuar të komunitetit akademik, përfaqësues të respektuar të institucioneve, ekspozues të nderuar, mysafirë të nderuar nga vendi dhe nga jashtë, përfaqësues të respektuar të mediave, të nderuar të pranishëm,Gjuha është një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit tonë kulturor dhe kombëtar. Ajo nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një pasqyrë e historisë, traditave dhe vlerave që kemi trashëguar. Gjuha na lidh me të kaluarën dhe na ndihmon të kuptojmë më mirë vetveten dhe shoqërinë tonë. Megjithatë, në shumë shtete, gjuha është përdorur jo si mjet bashkimi, por si një mjet përçarjeje, duke krijuar tensione dhe ndasi etnike. Një shembull i këtij fenomeni është Maqedonia e Veriut, ku gjuha shqipe shpesh është trajtuar si një çështje politike, në vend që të njihet si një e drejtë themelore e qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët, që përbëjnë rreth 25-30% të popullsisë, për shumë vite janë përballur me kufizime të rënda në përdorimin e gjuhës së tyre, dhe gjuha shqipe është trajtuar si një problem burokratik, jo si një pasuri kombëtare.Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut e përkufizon shqipen si "gjuhë të komunitetit që përbën mbi 20% të popullsisë", por nuk e shpall si gjuhë zyrtare. Ky përkufizim e trajton shqipen si një shifër statistikore, jo si një element thelbësor të realitetit shoqëror dhe historik të vendit. Kjo ka kontribuar në thellimin e ndasive etnike, duke e bërë gjuhën një çështje përçarëse, në vend që të shikohet si një mjet bashkimi.Për vite me radhë, shqiptarët kanë kërkuar që gjuha shqipe të përdoret në mënyrë të barabartë në institucionet shtetërore, dokumentet zyrtare dhe jetën publike. Megjithëse janë bërë hapa përpara, ai miratimi i Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në vitin 2019, zbatimi i tij ka mbetur një sfidë e vazhdueshme. Shumë herë, institucionet refuzojnë ta përdorin shqipen në mënyrë të plotë, duke krijuar ndjenja diskriminimi dhe frustrimi tek qytetarët shqiptarë.Të nderuar të pranishëm, në një shoqëri demokratike dhe multietnike, gjuha duhet të jetë një mjet bashkimi, jo ndarjeje. Në vend që të trajtohet si një çështje politike, shqipja duhet të njihet si një element i natyrshëm i jetës së një pjese të madhe të qytetarëve. Ajo duhet të shikohet si një pasuri kombëtare, jo si një mjet për të krijuar ndasi mes nesh. Për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, është e domosdoshme që gjuha shqipe të përdoret në mënyrë të barabartë në të gjitha nivelet e jetës shtetërore. Edukimi dygjuhësor, dialogu ndëretnik dhe politikat që respektojnë diversitetin kulturor janë hapa të rëndësishëm për të bërë gjuhën një mjet afrimi, jo përçarjeje.Rasti i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut na tregon se politizimi i një gjuhe mund të ketë pasoja negative për integrimin e një komuniteti dhe për stabilitetin e shoqërisë. Gjuha shqipe nuk është një kërcënim; ajo është një vlerë që pasuron kulturën dhe identitetin e përbashkët të vendit tonë. Vetëm kur gjuha të pranohet si një e drejtë universale dhe të largohet nga politika, mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme.

Feb 24, 2025
news image
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës përfundon me sukses vitin 2024

 Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGj) ka përmbyllur me sukses vitin 2024, duke e shënuar këtë vit edhe me emërimin e drejtorit të ri, z. Granit Osmani.Në vitin që lamë pas, Agjencia ka realizuar të gjitha kërkesat e institucioneve shtetërore për përkthim dhe lekturim në gjuhën shqipe, përfshirë këtu edhe lekturimin e akteve që janë dërguar për t'u botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.Përtej kësaj, AZGj ka organizuar trajnime për përkthyesit dhe lektorët e punësuar në administratën publike të RMV-së. Ligjëratat e mbajtura mbulonin tema të ndryshme, me fokus në përdorimin e gjuhës shqipe në sektorin publik në të gjitha nivelet. Profesionistë të njohur të gjuhës shqipe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova ishin ligjëruesit kryesorë të këtyre trajnimeve.Në vitin 2024, Agjencia e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit me një tryezë të rrumbullakët, ku morën pjesë emra të njohur nga fusha e gjuhësisë. Po ashtu, me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, u mbajt një konferencë shkencore me temën "Gjuha dhe Etnia", që u mbyll me promovimin e disa librave të rëndësishëm.Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, AZGj zhvilloi një takim pune me përfaqësues të Zyrës së Komisionerit për Gjuhë të Kosovës. Gjithashtu, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në RMV dhe në bashkëpunim me Institutin e Demokracisë “Societas Civilis”, Agjencia ka përgatitur dhe shpërndarë një pyetësor anketimi në institucione shtetërore, shëndetësore, arsimore, si dhe në ndërmarrjet publike dhe pushtetin gjyqësor. Ky pyetësor kishte për qëllim vlerësimin e shkallës së përmbushjes së obligimeve të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve.Bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë intensiv dhe i suksesshëm, duke reflektuar një angazhim të lartë për përmirësimin e kushteve të përdorimit të gjuhës shqipe në institucione dhe administratë.Në vitin 2025, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës do të vazhdojë të realizojë detyrat e saj ligjore dhe përgjegjësitë profesionale në mënyrë efektive.

Jan 2, 2025
Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk