Profesorët Adnan Jashari dhe Afet Mamuti mbajtën ligjërata për terminologjinë juridike

Jun 24, 2021

Profesorët Adnan Jashari dhe Afet Mamuti mbajtën ligjërata për terminologjinë juridike
Dy ligjëruesit e radhës në trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të institucioneve shtetërore, profesorët Adnan Jashari dhe Afet Mamuti, u paraqitën para përkthyesve dhe lektorëve me temën e terminologjisë juridike në dokumentet zyrtare dhe aktet ligjore. Sipas tyre, duhet bërë përpjekje maksimale që terminologjia që përdoret në institucionet publike të jetë sa më e unifikuar. Që të dy vënë në dukje rëndësinë e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve dhe rolin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në ngritjen e cilësisë së përdorimit dhe të statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedoninë e Veriut.
Prof. dr. Adnan Jashari, ligjërues në Universitetin e Europës Juglindore, trajtoi temën e terminologjisë juridike të korrespodencës ekonomike, të afarizmit dhe të kontratave dhe shprehu kënaqësinë dhe entuziazmin për arritjet e deritashme, ndonëse siç thotë ai, “ka edhe shumë punë për të bërë”.
“Me qëllim që në të ardhmen të arrijmë që të bëjmë unifikimin e terminologjisë gjatë përkthimeve të akteve të ndryshme, si ato ligjore, si ato administrative, gjyqësore, apo shkresave të ndryshme, në një farë mënyre të përforcohet dhe të koordinohet lidhshmëria midis përkthyesve dhe Agjencisë në njërën anë, dhe Agjencisë dhe ekspertëve nga sfera të ndryshme, në anën tjetër.”, thotë profesori Adnan Jashari.
Sipas tij, e gjithë kjo do të krijojë parakushte që përkthimet e vendimeve, të ligjeve, dhe të akteve të tjera zyrtare, të unifikohen në aspekt terminologjik. Më tej, ai vlerësoi edhe kontributin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe të drejtorit Ylber Sela, nëpërmjet aktiviteteve dhe botimeve të shumta, e sidomos nëpërmjet trajnimit të përkthyesve të lektorëve të institucioneve publike.
Edhe prof. dr. Afet Mamuti, ligjërues në Universitetin e Tetovës, trajtoi temë të ngjashme, atë të përkthimit të terminologjisë juridike në ligje.
“Prof. Ylber Sela ka bërë një punë mjaft të mirë, veçanërisht me aktivitetet që po organizon, siç është edhe ky i fundit, me trajnimin e përkthyesve nga të gjitha institucionet, duke nisur nga kryeministria, nga ministritë, drejtoritë, agjencitë e ndryshme, ku për disa ditë radhazi na u dha mundësia që t’i diskutojmë disa çështje, veçanërisht që kanë të bëjnë me përkthimin e akteve normative. Diskutimet që i kishim me kandidatët, ishin mjaft produktive dhe temat që i prekëm besoj se do të jenë një ndihmesë e madhe me rastin e përkthimit të dokumenteve, që kur të merr qytetari të lexojë aktin normativ, të përdoret terminologji e njëjtë, e qartë, e saktë dhe të mos ketë dykuptimësi”, thotë profesori Afet Mamuti.
Ai thotë se pas nxjerrjes së Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, statusi i gjuhës shqipe pësoi një ndryshim rrënjësor në pikëpamje të avancimit të përdorimit të saj, çfarë nuk e kishte para këtij ligji. Këtë e ndihmoi veçanërisht krijimi i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, e cila vendosi komunikimin me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare “për të bërë unifikimin dhe standardizimin e disa termeve që duhej të bëjnë të punësuarit nga kjo Agjenci” dhe se pas gjithë këtyre aktiviteteve, shumë më lehtë do të jetë në të ardhmen.
[gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="6072,6075,6078"]

You might also like

News

Mbledhje përkujtimore në AZGj në kujtim të Renata Ballanca Asanit

Mbledhje përkujtimore në AZGj në kujtim të Renata Ballanca Asanit Në kujtim të largimit nga kjo jetë të Këshilltares shtetërore të lekturës në AZGj, Renata Ballanca Asani, e cila ndërroi jetë para disa ditësh, Agjencia organizoi një mbledhje përkujtimore me kolegët dhe familjen e afërt të Renatës. Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, në fjalën e tij tregoi për punën, cilësitë e dukshme dhe njerëzoren e Renata Ballancës, ku midis të tjerash tha se, përkushtimi i saj për punën ishte për respekt dhe karakterizohej nga profesionalizmi, përgjegjësia dhe kolegjialiteti. Vetëm një javë para se të ndërronte jetë, ajo e dorëzoi të lekturuar Raportin vjetor të punës së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së. Bashkëshorti i të ndjerës, Arif Asani, në emër të familjes, i falënderoi kolegët dhe miqtë e saj, që i qëndruan pranë dhe e inkurajuan në luftën e gjatë me sëmundjen e rëndë. Në mbledhjen përkujtimore mes dhimbjesh, kolegë, shokë dhe shoqe të Renatës, evokuan kujtime nga puna dhe miqësia me të. Një gjë ishte e përbashkët në kujtimet e tyre; mirësia, urtësia, hijeshia, sharmi dhe fjalët e mira që Renata la pas, ishin tiparet e saj të dallueshme, tipare këto të një gruaje të veçantë, e cila ndërroi jetë në moshë të re. Në fund drejtori i AZGj-së, ju shprehu ngushëllime bashkëshortit dhe fëmijëve të Renatës. Foto nga arkivi i AZGj-së Shkup, 18.3.2024

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk