MEGJITHATË, GJUHA SHQIPE ËSHTË ZYRTARE

Mar 12, 2026

MEGJITHATË, GJUHA SHQIPE ËSHTË ZYRTARE

 

(Reagim ndaj qëndrimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski)

Në mbledhjen e djeshme, Gjykata Kushtetuese e RMV-së hodhi poshtë nismën për shqyrtimin e sistemit “Safe City”, e në këtë rast edhe përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat kundërvajtëse. Kryetari i kësaj gjykate, Darko Kostadinovski tha se kjo nuk është fare problem. Sipas tij, më e logjikshme do të ishte që SMS-të të dërgohen vetëm në maqedonisht dhe në anglisht. Dhe më tej ai shtoi se nuk guxojmë të harrojmë se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare e këtij shteti.

Lidhur me këtë qëndrim të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së është e udhës të reagojë si vijon: Mbase është e vërtetë se në Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, neni 1, thuhet se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, të cilin e citon kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Por, krahas kësaj, ai nuk e citoi edhe paragrafin e dytë të këtij neni ku, po ashtu, thuhet se gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 % e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.

Prandaj AZGJ-ja konsideron se ky qëndrim i tij është i njëanshëm, tendencioz dhe kundër gjuhës shqipe. Gjykata Kushtetuese si institucioni më i lartë shtetëror juridik duhet të jetë mbrojtëse e ligjit dhe jo shpërfillëse e tij. Për fat të keq, në këtë rast ajo u tregua selektive dhe shpërfillëse, bashkë me kryetarin e saj, duke e injoruar e anashkaluar gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj zyrtar.

Kjo gjykatë duhet t’i tejkalojë paragjykimet dhe tendencat për sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe të marrë qëndrime të drejta, si dhe të prononcohet në pajtim me ligjin, përndryshe nuk do të jetë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet, si dhe nuk do të kontribuojë në aspektin e zbatimit ligjor të gjuhëve zyrtare. Megjithatë, krahas maqedonishtes, edhe gjuha shqipe është

zyrtare në RMV.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk