Fjala e drejtorit të AZGJ-së, Granit Osmani, në konferencën shkencore “Gjuha dhe etnia”

Nov 14, 2024

Fjala e drejtorit të AZGJ-së, Granit Osmani, në konferencën shkencore “Gjuha dhe etnia”

 

I nderuar zëvendëskryeministër i parë, Izet Mexhiti

I nderuar ministër, Fatmir Limani

I nderuar zëvendëssekretar i Qeverisë, Hasim Murtezani

Të nderuar të pranishëm, akademikë, profesorë, deputetë, studentë, gazetarë dhe bashkëpunëtorë të AZGj-së, mirë se erdhët në konferencën shkencore “Gjuha dhe etnia”, e organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjuha është një vlerë e veçantë për çdo popull dhe komb, andaj politika dhe planifikimi gjuhësor janë mё se të domosdoshme ashtu siç duhet të jetë edhe përkujdesja institucionale që duhet të tregojmë ndaj saj.

Festat i bashkojnë të gjithë, me këtë rast ne si Agjenci e Zbatimit të Gjuhës nëpërmjet konferencës shkencore “Gjuha dhe etnia” dhe me përurimin e veprave të dy studiuesve nga Tirana, do t’i shënojmë 22 Nëntorin – Ditën e Kongresit të Manastirit si njëri nga kongreset më të rëndësishme për kulturën dhe arsimin shqiptar dhe 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit.

Nëse gjuha është ajo arkë që ruan shpirtin e një populli, atëherë alfabeti i asaj gjuhe është çelësi që mbyll dhe hap arkën e pasurisë shpirtërore të një populli. Andaj, sot kur me mburrje kremtojmë këto data, ne duhet të jemi vigjilentë që kujdesin ndaj këtyre vlerave të çmuara ta përcjellim ndër breza si shtylla të rëndësishme kombëtare.

Sa kohë që një komb ruan gjuhën, ai i ka të gjitha mundësitë të mbahet gjallë dhe t’u qëndrojë rrebesheve që mund ta kërcënojnë. Andaj jo më kot Sami Frashëri thoshte: "Çdo komb mbahet me gjuhë".

Të nderuar të pranishëm, akademikë, profesorë, studentë, mysafirë dhe media, më lejoni që të shpall të hapur punimet e Konferencës shkencore “Gjuha dhe etnia”, duke ju uruar punë të mbarë dhe të kaloni bukur gjatë kësaj dite.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk