Fillon trajnimi për përkthyes në AZGJ – viti i pestë me radhë

Apr 15, 2026

Fillon trajnimi për përkthyes në AZGJ – viti i pestë me radhë

Fillon trajnimi për përkthyes në AZGJ – viti i pestë me radhë Agjencia e Zbatimit të Gjuhës ka nisur sot programin e trajnimit për përkthyes, tashmë në vitin e pestë me radhë. Ky trajnim është shndërruar në një traditë të rëndësishme institucionale, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e zbatimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore. Këtë vit, pjesëmarrësit përfshijnë kryesisht përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe nga komunat, duke e bërë programin më gjithëpërfshirës dhe duke rritur ndikimin e tij në nivel qendror dhe lokal. Trajnimi do të zgjasë tri javë, me nga dy ditë ligjërata në javë, ndërsa pjesëmarrësit do të ndahen në dy grupe për të siguruar qasje më të personalizuar dhe ndërvepruese. Ligjëratat do të mbahen nga profesorë universitarë, të cilët sjellin përvojë akademike dhe praktike në fushën e përkthimit. Ky trajnim është një nga format konkrete të mbështetjes që Agjencia e Zbatimit të Gjuhës u ofron institucioneve shtetërore, me qëllim që zbatimi i gjuhëve zyrtare të jetë i saktë, dinjitoz dhe i unifikuar në administratën publike. Përmes tij, përkthyesit përgatiten për sfidat e komunikimit institucional dhe forcohen standardet e përdorimit të gjuhës në dokumentet zyrtare. Në ditën e parë të programit, tema e trajtuar është “Krahasim dhe analizë tekstesh të përkthyera dhe rregulla drejtshkrimi”, e ligjëruar nga profesoresha Ajtene Qamili. Përmes këtij sesioni, pjesëmarrësit marrin bazat e nevojshme për të kuptuar dhe përkthyer me saktësi dokumentet zyrtare, duke e bërë hapjen e trajnimit një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e tyre profesionale.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk