Diversiteti gjuhësor kontribuon në kohezionin shoqëror

Sep 27, 2021

Diversiteti gjuhësor kontribuon në kohezionin shoqëror
Me tryezën e rrumbullakët “Koncepti europian i diversitetit gjuhësor në realitetin e sotëm-gjendja dhe sfidat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës u përfshi në shënimin e 26 Shtatorit-Ditës Europiane të Gjuhëve, ku morën pjesë përfaqësues ambasadash të shteteve europiane dhe të institucioneve të vendit si dhe të sektorit joqeveritar.
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, në fjalën përshëndetëse theksoi se respektimi i konceptit të diversitetit gjuhësor është veçanërisht i rëndësishëm në një shoqëri shumëkulturore, shumëgjuhësore që pa dyshim kontribuon në forcimin e mirëkuptimit reciprok midis etnive të ndryshme si dhe avancimin e kohezionit dhe veprimit ndëretnik. “Prandaj mendoj se ky koncept duhet të ruhet dhe të mirëmbahet vazhdimisht”, tha drejtori Sela, duke përkujtuar se miratimi i Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve më 2019 është një hap përpara në realizimin e përpjekjeve për forcimin e proceseve demokratike, garantimin e të drejtave gjuhësore të qytetarëve dhe avancimin e karakterit shumëgjuhësor të shoqërisë.
Anke Holshtajn (Anke Holstein), ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë, foli për përvojat e saj me situata që ka hasur duke qenë e angazhuar vite me radhë në Bruksel. Në lidhje me përdorimin e gjuhëve, ajo theksoi se në parimet dhe idetë e BE-së është diversiteti, uniteti dhe garantimi i përdorimit të gjuhës për secilin dhe mundësia për të pasur qasje në dokumentet zyrtare të BE-së edhe atë të përkthyera në të gjithë gjuhët që fliten në BE. Në këtë kontekst përmendi pozicionin që kanë gjuhët, anglishtja dhe frëngjishtja si kryesore në politikat e sigurisë, por dhe gjuhët e tjera më të vogla në kuadër të organeve të BE-së. Holshtajn foli për përkthimin si proces brenda BE-së dhe vështirësitë që ajo ka hasur gjatë punës së saj në institucionet e BE-së, si pjesë e delegacionit gjerman. Ajo u ndal edhe te përvojat gjermane, te gjuha zyrtare gjermane, gjuhët e minoriteteve dhe problemin e inkluzivitetit të emigrantëve të cilët në familjet e tyre vazhdojë të flasin vetëm gjuhën amtare, duke mos e mësuar atë gjermane. Sipas saj, kushdo që vjen në Gjermani dhe dëshiron që të jetojë aty, atëherë duhet ta mësojë edhe gjuhën gjermane.
Lusien Aegerter (Lucien Aegerter), zëvendësshef i Misionit dhe zëvendësshef i Bashkëpunimit në Ambasadën e Konfederatës Zvicerane në RMV, në fillim të fjalës së tij tha se shumëllojshmëria e gjuhëve është vlerë thelbësore e identitetit zviceran. “Zvicra dhe Maqedonia e Veriut kanë shumë të përbashkëta, të qenët shtete shumëgjuhëshe është në qendër të miqësisë sonë të fortë. Të dyja vendet e mbajnë lartë dhe e mbrojnë shumëllojshmërinë e gjuhëve, dhe si të tilla, dy shtetet tona kanë shumë të përbashkëta dhe mund të ndajnë pikëpamje dhe përvoja”, tha ai. Më tutje ai përmendi gjuhët zyrtare në Zvicër, gjermanishten (63%), frëngjishten (23%), italishten (8%), dhe retoromanishten (gjysmë për qind). Për Zvicrën, shumëllojshmëria e gjuhëve do të thotë që të gjitha shërbimet e pushtetit qendror ofrohen në të tri gjuhët kryesore (retoromanishtja ka status të veçantë). Kjo do të thotë se kusht për punësim në administratën e pushtetit qendror është njohja e rrjedhshme e së paku dy gjuhëve kombëtare dhe njohje pasive e së tretës.
Me fjalë të tjera, shumica gjuhësore po ashtu duhet të ketë sadopak njohuri të gjuhës së pakicës, e jo vetëm e kundërta, tha Agerter.
Eran Kurtish, drejtor i Agencisë së Realizimit të të Drejtave të Bashkësive, foli për rolin e kësaj agjencie në mbrojtjen e bashkësive me përfaqësim më të vogël se 20 për qind dhe për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve.
Ismail Demiroviq, këshilltar në Drejtorinë e Zhvillimit dhe të Përparimit të Arsimit në Gjuhët e Bashkësive, midis tjerash tha se qëllimi kryesor i gjuhës është që njerëzit të këmbejnë mendime, dituri dhe ide.
Ana Popova Manasievska, kryetare e Shoqatës së Përkthyesve dhe të Interpretëve (MATA) tha se Dita Europiane e Gjuhëve është shkas i mirë të flasim në temën e gjuhëve dhe se ne duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë përdorimin që të jetojmë bashkë.
Veton Zekolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Dialog Nansen në Shkup, përkujtoi se në botë fliten 6000-7000 gjuhë të ndryshme, me çka diversiteti gjuhësor shihet në çdo cep të tokës, që duhet pranuar si një pasuri e pashtershme.
E drejta e shprehjes në gjuhë amtare dhe e drejta e arsimit në gjuhë amtare, tha ai, janë të drejta universale të cilat nuk duhet të cenohen, ndërkaq mospërfillja sjell deri te konfliktet e padëshiruara të cilat ndikojnë rrënjësisht në një shoqëri shumetnike e shumëgjuhësore.
Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve, tha se RMV si një vend me shumëllojshmëri kulturore, fetare dhe gjuhësore, krijon dhe zbaton politika që zhvillojnë vlerat e unitetit dhe të besimit ndëretnik.
[gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="6537,6540,6543,6546,6549"]

You might also like

News

Projekti ndërkombëtar i miratuar i AZGJ-së

Në kuadër të angazhimeve për afirmimin ndërkombëtar dhe vlefshmërinë e punës së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së, në nëntor të vitit 2022, Agjencia përgatiti një projekt që u aplikua në Qendrën Europiane për gjuhët moderne (ESML) në Grac, Austri, e cila është pjesë e Këshillit të Europës me seli në Strasburg, Francë, pas një thirrjeje ndërkombëtare të shpallur më parë.Pas vlerësimit të projektit, më 20 shkurt të vitit 2023, AZGJ-ja mori njoftim zyrtar se po i njëjti ishte miratuar.Projekti i referohet mbështetjes në trajnim dhe ndihmës së ekspertëve brenda modulit të Edukimit shumëgjuhësh dhe do t’i përfshijë të punësuarit e AZGJ-së të cilët do të kenë mundësinë të përmirësojnë aftësitë e tyre për të punuar në një mjedis shumëgjuhësh. Emri i plotë i modulit brenda të të cilit do të zbatohet projekti Arsimi plurilingual – Qasje pluraliste ndaj gjuhëve dhe kulturave. Një vegël didaktike për arsimin e integruar plurilingual dhe ndërkulturor – FREPA (Plurilingual education – Pluralistic approaches to languages and cultures. A didactic tool for integrated plurilingual and intercultural education (FREPA)).Gjatë muajit maj të vitit 2023, dr. Andrea Young, profesor i rregullt në Fakultetin e Arsimit dhe të Mësimit të Përhershëm në Universitetin e Strasburgut, do të qëndrojë në selinë e AZGJ-së në Shkup, i cili do të jetë ekspert i projektit i punësuar nga grantdhënësi, në bashkëpunim me koordinatorin e modulit profesor Michel Candelier, ndërsa nga ana e AZGJ-së është përgatitur dhe me atë aplikoi Llazo Matovski nga ekipi i AZGJ-së.Realizimi i projektit vërteton bashkëpunimin e suksesshëm të AZGJ-së me Qendrën Europiane për gjuhët moderne, i cili u krijua me vizitën е qendrës nga drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, në muajin maj të vitit 2022.

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk