DEMANT - Në lidhje me deklaratën e drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski

Mar 2, 2021

DEMANT - Në lidhje me deklaratën e drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski
Në lidhje me deklaratën e drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski, të dhënë më 1 mars 2021 për TV21 lidhur me pretendimet se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së (AZGJ) nuk i përkthen klasifikimet që kërkohen për regjistrimin, do të donim ta demantojmë një deklaratë të tillë të pavërtetë dhe tendencioze të tij dhe t’i theksojmë faktet në vijim: Në interes të realizimit të të drejtave të qytetarëve, me iniciativë të drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela, më 10 shtator 2019 është realizuar një takim pune me drejtorin Simovski, ku, nga ana e AZGJ-së, është ofruar ndihmë profesionale në pjesën e përkthimit dhe të lekturës së formularëve të cilët i përdor Enti Shtetëror i Statistikës për qëllime statistikore. Ndihma konkrete që u kërkua nga AZGJ-ja për përkthimin dhe lekturimin e formularëve zyrtarë të fushave të ndryshme statistikore u realizua plotësisht nga shërbimet profesionale të AZGJ-së, me ç’rast, në takimin e punës me ish zëvendësdrejtorin e Entit Shtetëror të Statistikës, Zirap Ademi, të mbajtur më 23 dhjetor 2019, aktet e përkthyera dhe të lekturuara iu dorëzuan Entit Shtetëror të Statistikës. Për këtë ekzistojnë dëshmi edhe në arkivin e AZGJ-së, si dhe në njoftimet mediatike të cilat janë në dispozicion në ueb faqen zyrtare të AZGJ-së. Përveç kësaj, më 24 shkurt 2021, AZGJ-së i është dorëzuar për përkthim dhe lekturë Udhëzimi për regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2021, e që më 25 shkurt ia kemi dorëzua Entit Shtetëror të Statistikës të përkthyer dhe të lekturuar në gjuhën shqipe. Njëkohësisht, Enti Shtetëror i Statistikës më 25 shkurt dhe 1 mars të këtij viti, me anë të postës elektronike i ka dërguar për përkthim dhe lekturë edhe materialin tjetër në lidhje me regjistrimin, që është i vëllimshëm e që nevojitet kohë për t’u përpunuar. Sidoqoftë, edhe ky do t’i dorëzohet në kohë Entit Shtetëror të Statistikës. Për këto arsye, çdoherë kur Enti Shtetëror i Statistikës ka pasur nevojë për bashkëpunim dhe ndihmë profesionale, AZGJ-ja u është përgjigjur kërkesave pa vonesë. Në këtë kontekst, vlerësojmë se përpjekjet e drejtorit Simovski që ta paraqesë AZGJ-në si partner jokonstrukiv, janë të pabaza, duke marrë parasysh se AZGJ-ja ka qenë dhe do të jetë e hapur për bashkëpunim me çdo institucion publik, përfshirë këtu edhe Entin Shtetëror të Statistikës, për realizimin e interesave të qytetarëve dhe për zbatimin e plotë të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Në qoftë se drejtori Simovski konsideron se pretendimet tona janë të pavërteta, e ftojmë që publikisht t’i vërtetojë me dëshmi pohimet e tij.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk