Botime me vlerë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhuratë për AZGJ-në

Jun 14, 2021

Botime me vlerë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhuratë për AZGJ-në
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, z. Ylber Sela priti sot prof. dr. Valter Memishën, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Studimeve Albanologjike), si dhe kryetar i Komisionit të Përhershëm të Gjuhës dhe të Letërsisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, i cili, ditëve në vijim, është njëri nga ligjëruesit në trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të administratës shtetërore.
Gjatë takimit të përzemërt, drejtori Sela dhe prof. dr. Valter Memisha folën për shumë probleme të gjuhësisë dhe të përdorimit të gjuhës shqipe, të folur dhe të shkruar, në të gjitha fushat, mes tjerash edhe në administratën shtetërore. Me këtë rast, mysafiri nga Tirana i dhuroi Agjencisë botimet leksikografike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të viteve të fundit: Fjalorin e gjuhës shqipe, 2006, me 48.000 fjalë, me 5000 njësi frazeologjike dhe 120.000 kuptime; Fjalorin e gjuhës shqipe, 2020, me 35.000 fjalë dhe 3000 njësi frazeologjike, një vepër që i kushtohet së shumti ligjërimit të shkollarëve të sistemit parauniversitar, por edhe ligjërimit studentor; Fjalorin e gjuhës shqipe të Aleksandër Xhuvanit, një vepër e përgatitur nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, në bazë të fjalëve dhe të kuptimeve që kishte mbledhur dhe regjistruar profesor Xhuvani gjatë jetës së tij, por që nuk mundi t’i përpunonte leksikografsht dhe të hartonte një fjalor. Vepra ka 17.000 fjalë dhe 1500 njësi frazeologjike.
Po kështu, prof. dr. Memisha i dhuroi Agjencisë edhe Gramatikën historike të gjuhës shqipe të akademikut Kolec Topalli, e cila ecën në linjën e Gramatikës historike, të hartuar nga akademiku Shaban Demiraj, por që sjell dhe prurje të reja që e pasurojnë këndvështrimin shkencor, si dhe risi në studimet e strukturës gramatikore të shqipes në zhvillimin e saj historik.
Dhuratë me vlerë janë edhe veprat e akademikut Jani Thomai, “Studime për gjuhën shqipe”, në pesë vëllime, ku janë përfshirë artikuj studimorë që i përkasin leksikologjisë, semantikës leksikore, leksikografisë, dialektologjisë, kulturës së gjuhës etj.
[gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="5906,5909,5912"]

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk