AZGj-ja shënoi 30 Shtatorin - Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit

Oct 1, 2024

AZGj-ja shënoi 30 Shtatorin - Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit

 

Në kuadër të programit të saj për shënimin e datave të rëndësishme për gjuhën, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGj) shënoi 30 Shtatorin - Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, me temën: “Përkthimi dhe politikat gjuhësore në kontekstin e institucioneve publike”, aktivitet i ndarë në dy pjesë – ceremoniale dhe debatuese.

Këtë aktivitet e çeli drejtori i AZGj-së, Granit Osmani i cili të pranishmëve u uroi mirëseardhje dhe theksoi disa çështje të rëndësishme të punës së institucionit që drejton, e që kanë të bëjnë me mbështetjen që u jepet institucioneve publike në fushën e përkthimit.

Në pjesën ceremoniale ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve publike si: zëvendëssekretari i Qeverisë së RMV-së, Hasim Murtezani; zëvendësministri i Arsimit dhe i Shkencës, Lulzim Aliu, deputetja e koalicionit VLEN, Feride Haxhiu. Ata theksuan rëndësinë e gjuhës amtare, si dhe të një institucioni publik siç është AZGj-ja. Aktiviteti u përshëndet edhe nga Arben Fetai, zëvendëskryeministri për Politikë dhe Qeverisje të Mirë.

Në pjesën debatuese të aktivitetit të cilën e çeli Nebi Bilalli, këshilltar shtetëror i përkthimit i AZGj-së, morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Komesarit të Gjuhëve të Kosovës, me në krye Sllavisha Mlladenoviqin; pastaj përfaqësues nga fakultetet e gjuhëve si të Universitetit të Tetovës (UT), Berton Sulejmani, të Universitetit të Europës Juglindore (UEJL), Demush Bajrami, të Universitetit Shën Kirili dhe Metodiu, Ajtene Qamili dhe Ismet Osmani.

Në debat morën pjesë edhe përfaqësuesja e Shoqatës së Përkthyesve të RMV-së, Blerina Starova – Zllatku dhe Lirim Shala, nënpunës administrativ i AZGj-së. Debatuesit folën për problemet rreth përkthimit cilësor, sfidat e përkthyesve, inteligjencën artificiale në përkthim dhe çështjet e transliterimit në dokumentet e identifikimit.

Përfundimet e këtij aktiviteti u nxorën nga Ahmet Selmani, këshilltar shtetëror i redaktimit, sipas të cilave, duhet të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore që përkthimi të mos trajtohet si shërbim administrativ dhe përkthyesit të kenë një status më të lartë sesa ai i nëpunësit administrativ.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk