Agjencia për Zbatimin e Gjuhës e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit

Oct 1, 2019

Agjencia për Zbatimin e Gjuhës e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit
Ditën Botërore të Përkthimit Agjencia për Zbatimin e Gjuhës e shënoi me një panel me temë “Sfidat e përkthimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme. Panelin e hapi drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela, i cili u dëshiroi mirëseardhje pjesëmarrësve duke i njoftuar me preokupimet dhe rrjedhat e punës në këtë institucion. Me kumtesa u paraqitën Ajtene Qamili nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Edlira Bushati nga Universiteti i Shkodrës, Izer Maksuti nga Universiteti i Prizrenit, Qemal Murati nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Besa Dërndar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ognena Nikulski nga Shoqata e Përkthyesve dhe Interpretuesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Asllan Hamiti nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Zeqirja Ibrahimi nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Berton Sulejmani nga Universiteti i Tetovës, Mustafa Ibrahimi nga Universiteti “Nënë Tereza”, Marjan Patlixhankovski dhe Ahmet Selmani nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës. Pjesëmarrësit në fjalë kryesisht u përqendruan në sfidat e përkthimit në përgjithësi, por në veçanti në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast u vunë në dukje shumë dukuri, problem e vështirësi që shfaqen gjatë përkthimit, por edhe zbatimit të gjuhës standarde shqipe. Si kërkesë doli që të krijohen rrethana për ngritjen e vetëdijes sa i përket kësaj çështjeje, të rritet kujdesi për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, të hartohen fjalorët e nevojshëm terminologjikë me të cilët do të shërbehen përkthyesit, të zgjidhet kuadri më i mirë nëpër institucione, të rritet cilësia e arsimit etj. Duke marrë parasysh cilësinë e dobët të arsimit në përgjithësi, pjesëmarrësit e panelit theksuan se duhet të bëhet një përzgjedhje shumë rigoroze e përkthyesve profesionalë të cilët do të përfshihen në fushën e përkthimit dhe në këtë mënyrë të ruhet gjuha shqipe sipas natyrës së saj. Natyrisht, në këtë kontekst të gjithë pjesëmarrësit i dhanë mbështjetje të plotë Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës duke theksuar se është institucioni i vetëm i këtij lloji që kujdeset për zbatimin e gjuhës standarde shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas tyre, projektet e ndërmarra nga kjo agjenci do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjendjes së gjuhës shqipe, por njëkohësisht edhe do t’i sensibilizojnë të gjitha institucionet arsimore për t’i kushtuar vëmendje dhe për të dhënë ndihmesën e tyre në aspektin e zbatimit të gjuhës shqipe. Shkup, 30.9.2019 [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="1977,2031,2028,2025,2022,2019,2016,2013,2010,2007,2004,2001,1998,1995,1992,1989,1986,1983,1980"]

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk