Agjencia e Zbatimit të Gjuhës mbajti Konferencën Shkencore “Gjuha dhe etnia”

Nov 15, 2024

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës mbajti Konferencën Shkencore “Gjuha dhe etnia”

Muajin nëntor, i cili tashmë njihet si muaj i festave te shqiptarët gjithandej, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së e shënoi me një aktivitet domethënës, përkatësisht me organizimin e Konferencës Shkencore “Gjuha dhe etnia”.

Kjo konferencë u mbajt në auditorin e Universitetit të Europës Juglindore në Shkup, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm gjuhëtarësh e historianësh nga Maqedonia e Veriut, nga Shqipëria dhe nga Kosova, si Beqir Meta, Asllan Hamiti, Hysen Matoshi, Marenglen Verli, Sabit Syla, Fehari Ramadani, Qerim Lita, Haxhi Ademi, Sevdail Demiri, të cilët me kumtesat e tyre trajtuan çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar të shqiptarëve, me gjuhën shqipe si shenjë identitare, me alfabetin dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe, me shkollat e para në gjuhën shqipe, me bashkëpunimin arsimor, shkencor e kulturor, me rolin e gjuhës shqipe në aspektin e ndërgjegjësimit kombëtar etj.

Në këtë konferencë shkencore ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti, ministri i Politikës Sociale, i Demografisë dhe i Rinisë, Fatmir Limani, kryetari i Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu, këshilltarë të ndryshëm, përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në RMV, të punësuarit e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, gazetarë, studentë etj.

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti i përshëndeti pjesëmarrësit e konferencës me një fjalim në frymën e mbështetjes dhe të mirënjohjes për punën e ekipit të AZGJ-së, si mision i rëndësishëm i lidhur ngushtë me historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Midis të tjerash, ai theksoi se, pavarësisht nga sfidat, gjuha është një nga faktorët më të fuqishëm që i bashkon shqiptarët dhe që e mbron trashëgiminë kulturore të tyre.

Po ashtu, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, Granit Osmani. Krahas tij, pjesëmarrësit në këtë konferencë i përshëndeti edhe Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale, i Demografisë dhe i Rinisë.

Konferenca Shkencore “Gjuha dhe etnia” u mbyll me përurimin e librave të Mal Berishës, ish-ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe me promovimin e librit të pedagogut Bardhyl Musai.

Në fund, drejtori i AZGj-së, Granit Osmani, në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për kontributin shkencor që kanë dhënë në fushën e studimit dhe të afirmimit të gjuhës shqipe, pjesëmarrësve të konferencës në fjalë ua dorëzoi nga një mirënjohje me logon ABC.

Shkup, 15.11.2024

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk