Opinion nga Drejtori Ylber Sela: “LARG GJUHËS SHQIPE, LARG TË QENËT SHQIPTAR”

Jul 17, 2019

Opinion nga Drejtori Ylber Sela: “LARG GJUHËS SHQIPE, LARG TË QENËT SHQIPTAR”

Çdo kush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të pranuar, kërkuar dhe për të dhënë informata dhe ide në gjuhën e zgjedhur, pa ndërhyrje. Pranimi i lirë i transmetimit tejkufitar, qoftë i drejtpërdrejtë apo nëpërmjet të ritransmetimit apo riemetimit nuk ndalohet në baza të gjuhës. Ushtrimi i kësaj lirie mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tilla, që janë në pajtueshmëri me traktatet ndërkombëtare obliguese të të drejtave të njeriut. Këto të drejta kanë të bëjnë me të drejtën e jetës, e cila mbrohet me ligj dhe lirinë e barazinë ndërmjet njerëzve. Këtë e gjejmë në nenin e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, këtë e gjejmë në librat fetarë, qoftë edhe në librat e shkencës, artit dhe kulturës, që thuhet se të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet e në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi! Si qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoh zhvillimin e këtij shteti multietnik, në çështjet e të drejtave të komuniteteve që i përkasin vendit. Si student i Universitetit të Vjenës njoh të drejtat e njeriut dhe respektimin e të drejtave të tyre, në atë kryeqytet. Studimet e mia të larta janë kryekëput mbi konfliktin në Maqedoni, që opinioni është i njohur për këtë periudhë historike e të dhimbshme, e cila ka lënë gjurmë dhe vazhdon të kujtohet në rast të mosmarrëveshjes mes maqedonasve dhe shqiptarëve, të mosrespektimit të të drejtave dhe ligjeve të miratuara. Pikërisht sot është arritur shumëçka nga faktori politik shqiptar, si mundësia për të qenë i lirë, shqiptari, në këtë shtet, mundësia e çeljes së shkollave shqipe, valëvitja e flamurit në komunat me shumicë shqiptare etj. Këto të drejta çojnë në barazi dhe integritet të shqiptarit, i cili edhe është shtetformues pas konfliktit të vitit 2001. Edhe përskaj kësaj pozite, shqiptari ka “luftuar” edhe më tej për të drejtat e tyre. Dhe pas 17 viteve përpjekje u arrit miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës (që e Flasin së Paku 20 % e Qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut), respektivisht gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare dhe përdorimi i alfabetit të saj në pajtim me ligjin. E thotë vetë Ligji që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase, është edhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj. Këtë nismë e përkrahim të gjithë ne. E këta misionarë shqiptarë, të miratimit të Ligjit, kanë arritur qëllimin e një të drejte të madhe për popullin shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. E dashamirët e kësaj gjuhe të ëmbël, të dëlirë, që lehtëson komunikimin dhe me alfabetin e saj përfundimin e punëve përmes dokumenteve në administratën shtetërore, duhet të vazhdojnë misionin e miratuesve të Ligjit dhe të rilindasve, të të parëve tanë. Prandaj, për realizimin e qëllimeve të këtij ligji, për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e barabartë të gjuhës zyrtare shqipe u themelua Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, si përgjegjëse për standardizimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe dhe ndihmesë për mbështetjen e institucioneve në shtetin tonë, për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Roli i Agjencisë tashmë është bërë i njohur për opinionin e gjërë, përmes mediave, Kuvendit dhe leximeve legjislative. Edhe pse është kohë e shkurtër miratimi i saj, njëkohësisht vonohet zbatimi i këtij ligji. Prandaj, besoj dhe them se respektimi i dispozitave të këtij ligji ndihmon funksionimin më mirë të shtetit dhe sjell harmoni dhe barazi mes etniteteve. Njëkohësisht, roli i zbatimit të ligjit, ndikon në forcimin e shtetit të së drejtës. Respektimi i drejtë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pra gjuhës shqipe duhet të flasë në të njëjtën gjuhë, me atë maqedonase (apo evropiane) pasi integrimi aktual i RMV-së kalon vetëm përmes së drejtës, ligjeve dhe përafrimit të tyre me të drejtën evropiane. Prof. dr. Ylber Sela

You might also like

Speeches\Interviews

Fjalë rasti e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në shënimin e 10 qershorit, Ditës së Lidhjes së Prizrenit

Të dashur miq!Sot, kur po e shënojmë Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u themelua më 1878, pra para 144 vjetësh, gjithsesi kemi një arsye të fuqishme për ta përkujtuar njërën nga motot kryesore të saj: “Pa gjuhë nuk ka komb”, moto kjo e cila edhe në këto rrethana na kthen tek esenca dhe semantika e saj. Nga ky këndvështrim ndoshta mund të duket pak romantike, por realisht kjo paraqet thelbin dhe vizionin kryesor të shqiptarëve në këtë periudhë të ndryshimeve historike.Pra, duhet ta përsërisim vazhdimisht se pa këtë gjuhë nuk ka asnjë perspektivë dhe as që mund ta paramendojmë ekzistencën tonë kombëtare. Siç e dimë, gjuha shqipe u kultivua nga rilindësit tanë dhe u ngrit në piedestalin më të lartë, prandaj këtë patjetër duhet ta bëjmë edhe sot pa asnjë ngurrim e pa asnjë dilemë.Duke qenë në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, mua më bie barra e përgjegjësisë që testamentin kombëtar të paraardhësve tanë për gjuhën shqipe ta bëj realitet edhe në këto hapësira ku jetojmë dhe veprojmë. Kjo nënkupton faktin se gjuhën shqipe duhet ta futim në përdorim zyrtar në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, së pari duke i ndihmuar institucionet që ta zbatojnë atë me përpikëri, por nga ana tjetër edhe duke zhvilluar aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin, afirmimin dhe trajtimin ligjor të saj. Natyrisht, pjesëmarrja jonë e drejtpërdrejtë në këto aktivitete kulturore e shkencore, por edhe bashkëpunimi me institucionet e tjera anekënd hapësirës shqiptare dhe më gjerë, aq më tepër na bën krenarë që jemi kontribues të denjë për gjuhën shqipe.Me këtë rast, unë jam i prirur që në suaza të Lidhjes së Prizrenit ta shohim edhe veten tonë si një institucion që ka lindur si rezultat i vizionit të saj për gjuhën shqipe. Prandaj konsideroj se ne jemi trashëgimia dhe vazhdimësia historike dhe aktuale, jemi bartësit e frymës dhe të ideve të saj. Me anë të gjuhës shqipe ne do të vazhdojmë të ndihemi dhe ta quajmë veten shqiptarë deri në frymën e fundit. Në fakt, kjo është një arritje e madhe qytetëruese, kulturore dhe kombëtare për të cilën duhet të mburremi brez pas brezi. Dhe si e tillë kjo i bën krenarë shqiptarët, pa i dëmtuar të tjerët në asnjë mënyrë.Në fund, dëshiroj të theksoj se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së do të mbetet besnike në këtë ecuri të pandalshme, gjithmonë duke menduar, folur e shkruar shqip. Ne çdo ditë japim mesazhin tonë: Jemi shqiptarë, prandaj duhet të flasim shqip kudo që të jemi, ndaj edhe në nivelet shtetërore. Në këtë mënyrë e përmbushim amanetin historik të Lidhjes së Prizrenit duke mbetur përjetësisht shqiptarë.Ju falemnderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="8748,8751,8754"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk