(Intervistë në RTM2) Ligji për përdorimin e gjuhëve, Sela: Nuk ka përkthyes e lektorë të mjaftueshëm

Jul 26, 2019

(Intervistë në RTM2) Ligji për përdorimin e gjuhëve, Sela: Nuk ka përkthyes e lektorë të mjaftueshëm

Agjencia për zbatimin e Ligjit për gjuhët, ka shpallur konkursin për punësimin e 13 personave. Por, drejtori i saj, Ylber Sela, për TVM2 thotë se sfida më e madhe mbetet mungesa e kuadrit profesional. Aktualisht vendi nuk ka mjaftueshëm përkthyes e lektorë profesionistë, e sipas tij në këtë drejtim universitetet duhet të japin kontributin e tyre. Përkujton se jo çdo shqipfolës e njeh gjuhën standarde dhe përkthimet u duhen lënë profesionistëve të vërtetë. “Shtrohet pyetja se a kemi ne kapacitete apo aq përkthyes që t’i mbulojmë të gjithë institucionet në Maqedoni. Unë them që jo. Ne kemi në numër, në sasi kemi, por nëse e shohim me kompetencë që ta bëjnë punën ashtu siç duhet, nuk kemi. Kemi nëpër institucione përkthyes të cilët nuk e kanë kryer gjuhën shqipe apo fakultetin e përkthimit, lektorimit e kështu me radhë, mirëpo përkthejnë... Prandaj, kjo mbetet sfidë jo vetëm e Agjencisë, por mbetet sfidë edhe e universiteteve në Maqedoni të cilët ofrojnë programe për përkthyes, për lektorë e kështu me radhë. Po ashtu në ligj nuk është parashikuar edhe çështja e licencimit të lektorëve”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për gjuhë, Ylber Sela. Shqipja në tabela dhe përkthimet në institucione, Sela: Nuk na konsultojnë, prandaj ka edhe gabime Me  fillimin e implementimit të dygjuhësisë nëpër institucione, u shfaqën probleme të shumta. Nuk munguan as gabimet drejtshkrimore nëpër tabelat e vendosura nëpër institucione apo rrugë. Fajtor për këtë, sipas Selës, është mos-bashkëpunimi i institucioneve me Agjencinë. Ai u apelon institucioneve që të mos hamenden por të konsultohen me ta, sepse Agjencia u krijua pikërisht për të parandaluar gabimet e tilla. “Ne kemi edhe e-mailin tonë info@apj.gov.mk, mundet të na drejtohen edhe nëpërmjet e-mailit ose direkt, vetëm e vetëm që ne t’u japim ndihmë. Ka institucione që këtë e kanë bërë dhe kur e kanë vendosur tabelën nuk ka pasur asnjë gabim, sepse janë konsultuar me ne. Ka institucione të cilat fare nuk janë konsultuar, ose ia kanë dhënë ndonjë shqiptari aty që nuk është gjuhëtar, ose nuk është profesionist i përkthimit dhe kanë ndodhur gabime, ka munguar një ë, ka pasur ndonjë shkronjë plus dhe ajo ka shkaktuar reagime edhe te qytetarët”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për gjuhë, Ylber Sela. Problem për Agjencinë ende përbën buxheti i ndarë për funksionimin e saj. Paratë kanë qenë të mjaftueshme për fazën e parë të punës, por për dy fazat e tjera nevojiten mjete shtesë. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)   Intervisten e plotë mund ta ndiqni këtu

You might also like

Speeches\Interviews

Fjalë rasti e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në shënimin e 10 qershorit, Ditës së Lidhjes së Prizrenit

Të dashur miq!Sot, kur po e shënojmë Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u themelua më 1878, pra para 144 vjetësh, gjithsesi kemi një arsye të fuqishme për ta përkujtuar njërën nga motot kryesore të saj: “Pa gjuhë nuk ka komb”, moto kjo e cila edhe në këto rrethana na kthen tek esenca dhe semantika e saj. Nga ky këndvështrim ndoshta mund të duket pak romantike, por realisht kjo paraqet thelbin dhe vizionin kryesor të shqiptarëve në këtë periudhë të ndryshimeve historike.Pra, duhet ta përsërisim vazhdimisht se pa këtë gjuhë nuk ka asnjë perspektivë dhe as që mund ta paramendojmë ekzistencën tonë kombëtare. Siç e dimë, gjuha shqipe u kultivua nga rilindësit tanë dhe u ngrit në piedestalin më të lartë, prandaj këtë patjetër duhet ta bëjmë edhe sot pa asnjë ngurrim e pa asnjë dilemë.Duke qenë në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, mua më bie barra e përgjegjësisë që testamentin kombëtar të paraardhësve tanë për gjuhën shqipe ta bëj realitet edhe në këto hapësira ku jetojmë dhe veprojmë. Kjo nënkupton faktin se gjuhën shqipe duhet ta futim në përdorim zyrtar në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, së pari duke i ndihmuar institucionet që ta zbatojnë atë me përpikëri, por nga ana tjetër edhe duke zhvilluar aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin, afirmimin dhe trajtimin ligjor të saj. Natyrisht, pjesëmarrja jonë e drejtpërdrejtë në këto aktivitete kulturore e shkencore, por edhe bashkëpunimi me institucionet e tjera anekënd hapësirës shqiptare dhe më gjerë, aq më tepër na bën krenarë që jemi kontribues të denjë për gjuhën shqipe.Me këtë rast, unë jam i prirur që në suaza të Lidhjes së Prizrenit ta shohim edhe veten tonë si një institucion që ka lindur si rezultat i vizionit të saj për gjuhën shqipe. Prandaj konsideroj se ne jemi trashëgimia dhe vazhdimësia historike dhe aktuale, jemi bartësit e frymës dhe të ideve të saj. Me anë të gjuhës shqipe ne do të vazhdojmë të ndihemi dhe ta quajmë veten shqiptarë deri në frymën e fundit. Në fakt, kjo është një arritje e madhe qytetëruese, kulturore dhe kombëtare për të cilën duhet të mburremi brez pas brezi. Dhe si e tillë kjo i bën krenarë shqiptarët, pa i dëmtuar të tjerët në asnjë mënyrë.Në fund, dëshiroj të theksoj se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së do të mbetet besnike në këtë ecuri të pandalshme, gjithmonë duke menduar, folur e shkruar shqip. Ne çdo ditë japim mesazhin tonë: Jemi shqiptarë, prandaj duhet të flasim shqip kudo që të jemi, ndaj edhe në nivelet shtetërore. Në këtë mënyrë e përmbushim amanetin historik të Lidhjes së Prizrenit duke mbetur përjetësisht shqiptarë.Ju falemnderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="8748,8751,8754"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk