Flet drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Sela: Institucionet shtetërore tashmë kanë filluar zbatimin e shqipes

Jul 24, 2019

Flet drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Sela: Institucionet shtetërore tashmë kanë filluar zbatimin e shqipes

Shkup, 23 korrik – Respektimi i gjuhës shqipe nga institucionet e vendit duket si një sfidë jashtëzakonisht e madhe në ato institucione që drejtojnë kuadro jo-shqiptarë por edhe tek ato që janë shqiptarë duket se mungon guximi që të ndryshohen gjërat, shkruan Zhurnal.mk Në një bisedë për Agjencinë e lajmeve Zhurnal, Ylber Sela drejtor i Agjencisë për zbatimin e gjuhës shqipe thotë së tashmë institucionet janë të obligueshme respektimin e gjuhës shqipe edhe atë në dy faza. “Nëse e shikojmë ligjin me kujdes, do të shohim se obligimet e institucioneve ndahen në dy faza: në fazën e parë duhet që të ndërrohen tabelat, vulat dhe emërtimet e institucioneve të shkruhen në gjuhën shqipe, ndërsa në fazën e dytë duhet që të bëhet harmonizimi i ligjeve të tjera me dispozitat e Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, që nënkupton edhe komunikimin e institucioneve në dy gjuhë”, sqaron kështu për Zhurnal.mk drejtori Sela. Drejtori Sela sqaron se tashmë institucionet shtetërore po zbatojnë gjuhën shqipe dhe përmbushin detyrimet sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve. “Institucionet shtetërore tashmë kanë filluar me zbatimin e gjuhës shqipe. Një pjesë e mirë e institucioneve kanë filluar që t’i përmbushin detyrimet e tyre nga Ligji mbi Përdorimin e Gjuhëve, megjithatë duhet të theksohet se ende ka një numër të institucioneve që duhet në të ardhmen të veprojnë në bazë të Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve. Në komunikimin e përditshëm të Agjencisë ne përballemi me një numër të madh të parashtresave dhe ankesave nga qytetarë, të cilët na njoftojnë se institucione të caktuara nuk i kanë ndërruar formularët e tyre apo nuk i japin përgjigjet në dy gjuhë, si dhe raste të ngjashme. Për këtë arsye Agjencia i ka kontaktuar këto institucione, me qëllim që nëpërmjet bashkëpunimit të gjejmë zgjidhje dhe t’u dalim ballë kërkesave të qytetarëve”, kështu sqaron Sela për Zhurnal.mk Po a ka ngritur institucioni që drejton ndonjë iniciativë për sanksionim të ndonjë institucioni që nuk ka respektuar gjuhën shqipe, ai sqaron se këtë kompetencë institucioni që drejton nuk e ka pasiqë si rol ka zbatimin e gjuhës dhe jo atë ndërshkues. “Sa i përket iniciativave për sanksionim të një institucioni, këtë kompetencë Agjencia për Zbatimin e Gjuhës nuk e ka, sepse neni 19 i Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, Agjencisë i ka dhënë rolin e organit udhëheqës në procesin e zbatimit të gjuhës, por jo edhe atë ndëshkues. Ndërkaq neni 20 i Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, thekson se për procedurën ndëshkuese, kompetent është Inspektorati, i cili ende pritet të themelohet dhe se puna e inspektoratit më saktësisht do të rregullohet me Ligjin për Inspektoratin e Gjuhës”, vlerëson për fund në lidhje me këtë problematikë për Zhurnal.mk drejtori i Agjencisë për zbatimi e gjuhës Ylber Sela. Shënim. Teksti është i marrë nga Agjencia e Lajmeve Zhurnal.

You might also like

Speeches\Interviews

Fjalë rasti e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në shënimin e 10 qershorit, Ditës së Lidhjes së Prizrenit

Të dashur miq!Sot, kur po e shënojmë Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u themelua më 1878, pra para 144 vjetësh, gjithsesi kemi një arsye të fuqishme për ta përkujtuar njërën nga motot kryesore të saj: “Pa gjuhë nuk ka komb”, moto kjo e cila edhe në këto rrethana na kthen tek esenca dhe semantika e saj. Nga ky këndvështrim ndoshta mund të duket pak romantike, por realisht kjo paraqet thelbin dhe vizionin kryesor të shqiptarëve në këtë periudhë të ndryshimeve historike.Pra, duhet ta përsërisim vazhdimisht se pa këtë gjuhë nuk ka asnjë perspektivë dhe as që mund ta paramendojmë ekzistencën tonë kombëtare. Siç e dimë, gjuha shqipe u kultivua nga rilindësit tanë dhe u ngrit në piedestalin më të lartë, prandaj këtë patjetër duhet ta bëjmë edhe sot pa asnjë ngurrim e pa asnjë dilemë.Duke qenë në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, mua më bie barra e përgjegjësisë që testamentin kombëtar të paraardhësve tanë për gjuhën shqipe ta bëj realitet edhe në këto hapësira ku jetojmë dhe veprojmë. Kjo nënkupton faktin se gjuhën shqipe duhet ta futim në përdorim zyrtar në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, së pari duke i ndihmuar institucionet që ta zbatojnë atë me përpikëri, por nga ana tjetër edhe duke zhvilluar aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin, afirmimin dhe trajtimin ligjor të saj. Natyrisht, pjesëmarrja jonë e drejtpërdrejtë në këto aktivitete kulturore e shkencore, por edhe bashkëpunimi me institucionet e tjera anekënd hapësirës shqiptare dhe më gjerë, aq më tepër na bën krenarë që jemi kontribues të denjë për gjuhën shqipe.Me këtë rast, unë jam i prirur që në suaza të Lidhjes së Prizrenit ta shohim edhe veten tonë si një institucion që ka lindur si rezultat i vizionit të saj për gjuhën shqipe. Prandaj konsideroj se ne jemi trashëgimia dhe vazhdimësia historike dhe aktuale, jemi bartësit e frymës dhe të ideve të saj. Me anë të gjuhës shqipe ne do të vazhdojmë të ndihemi dhe ta quajmë veten shqiptarë deri në frymën e fundit. Në fakt, kjo është një arritje e madhe qytetëruese, kulturore dhe kombëtare për të cilën duhet të mburremi brez pas brezi. Dhe si e tillë kjo i bën krenarë shqiptarët, pa i dëmtuar të tjerët në asnjë mënyrë.Në fund, dëshiroj të theksoj se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së do të mbetet besnike në këtë ecuri të pandalshme, gjithmonë duke menduar, folur e shkruar shqip. Ne çdo ditë japim mesazhin tonë: Jemi shqiptarë, prandaj duhet të flasim shqip kudo që të jemi, ndaj edhe në nivelet shtetërore. Në këtë mënyrë e përmbushim amanetin historik të Lidhjes së Prizrenit duke mbetur përjetësisht shqiptarë.Ju falemnderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="8748,8751,8754"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk