Fjalimi i drejtorit të AZGJ-së gjatë promovimit të Doracakut e nëpunësve administrativë lidhur me zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve
Aug 19, 2020
Paraprakisht e shoh të udhës që t’i them disa fjalë rreth këtij doracaku që e kemi në duar, i cili është përpiluar enkas për nevojat e nëpunësve administrativë lidhur me zbatimin praktik të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Qëllimi i vetëm është që ata t’i orientojë sa më mirë në thelbin e tij dhe njëkohësisht t’ua lehtësojë komunikimin në gjuhët zyrtare si një e drejtë themelore në jetën e përgjithshme institucionale.
Duke u nisur nga kjo, mund të thuhet se çdo gjë që është përfshirë brenda tij, është mbështetur kryekëput në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ku përcaktohet fare qartë se cilat janë gjuhët zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, cila është e drejta individuale e nëpunësve për të komunikuar me anë të tyre, cilat janë detyrimet që duhet t’i kryejnë ata etj.
E gjithë kjo, në radhë të parë është vendosur në një kontekst më të gjerë historik e politik, si një proces i gjatë me plot sfida e vështirësi, për të arritur deri në miratimin e ligjit të ri që e ngre gjuhën shqipe në rrafshin e përdorimit zyrtar. Kështu, jepet një pasqyrë e plotë lidhur me hartimin e legjislacionit, me planifikimin gjuhësor, me politikat gjuhësore europiane etj. Dhe në këtë kontekst si rrjedhojë e domosdoshme shfaqet edhe miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilin tejkalohen shumë mëdyshje e paragjykime dhe sigurisht hapet edhe rruga e komunikimit institucional në gjuhën amtare.
Ky doracak i udhëzon konkretisht dhe ua sqaron mirë nëpunësve administrativë, i orienton me shumë saktësi drejt së drejtës ligjore, krijon ndërgjegjësim për shfrytëzimin praktik të saj. Prandaj brenda tij janë dhënë të gjitha format e nevojshme që u nevojiten atyre në rrafshin e komunikimit administrativ: si shkruhet një lutje, një kërkesë, një njoftim, një procesverbal, një ftesë, një kontratë, një ankesë etj. Krahas këtyre, në mënyrë të veçantë janë dhënë sqarime edhe për përdorimin zyrtar të gjuhëve në gjykata, në udhëheqje, menaxhim, financa etj.
Duke marrë parasysh këtë përmbajtje kaq të gjerë, mund të themi se ky doracak do të shërbejë si një ndihmë shumë konkrete për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Uroj dhe shpresoj të bëhet doracaku kryesor në punën e përditshme të nëpunësve administrativë.
Njoftime
Shiko të gjithaBuletin
Shiko të gjithaFurnizime Publike
Shiko të gjithaInformacion kontakti
-
St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia -
Phone number
02 312 1731
- Email
info@apj.gov.mk - Email