Drejtori Musliu takoi kryetarin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Malit të Zi, z. Faik Nikën

Apr 5, 2023

Drejtori Musliu takoi kryetarin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Malit të Zi, z. Faik Nikën

 

Sot në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës drejtori, Ardian Musliu, e takoi kryetarin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Malit të Zi, z. Faik Nikën, i shoqëruar nga gjuhëtari, Prof. dr. Haxhi Shabani, gjithashtu nga Ulqini dhe anëtar i Komisionit të arsimit në kuadër të këshillit.

Në këtë takim u fol për bashkëpunimin institucional ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi. Me këtë rast, drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, duke u dëshiruar mirëseardhje, i njoftoi me punën që e bën agjencia për sa i përket zbatimit të gjuhës në nivel profesional, me historikun e saj, si dhe me sektorët që funksionojnë në agjenci.

Mysafirët shprehën falënderime për mikpritjen dhe e përgëzuan drejtorin Musliu për punën që bën, duke theksuar se puna e agjencisë është mjaft e rëndësishme në aspektin e zbatimit të dygjuhësë në nivel shtetëror dhe se një institucion i tillë do të ishte model i mirë, që mund të aplikohet edhe në Mal të Zi.

Të dyja palët u pajtuan se takimi ishte një hap i mbarë, i cili në të ardhmen do të sjellë edhe bashkëpunime konkrete.

You might also like

News

Ku ka libra, dije ka. Temat që po trajtohen në javën e gjashtë të trajnimit në AZGj, kanë në thelb mjeshtërinë e përkthimit.

 Java e gjashtë e trajnimit të përkthyesve dhe redaktorëve gjuhësorë të ministrive dhe të administratës publike në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës, filloi sot me leksionet e dy profesorëve të njohur nga Shqipëria, Prof. dr. Xhevat Lloshin dhe Dr. Dorian Koçin.Prof. dr. Xhevat Lloshi, gjuhëtar dhe bashkëpunëtor i vjetër shkencor, si dhe njëri nga hartuesit e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, do të ligjërojë temën “Stilistika”. Dr. Dorian Koçi, studiues dhe njohës i mirë i historisë, do të ligjërojë temën “Përkthimi i teksteve për artet dhe shkencat humane”.Prof. dr. Xhevat Lloshi, në intervistën paraprake tregoi se në leksionin e tij do ta shtjellojë mjeshtërinë e përkthimit, që vjen nga disiplina të tjera shkencore. “Sot nuk komunikohet me fjali, njerëzit komunikojnë me thënie, me tekste, prandaj përkthyesi si specialist, nuk ka kuptim të përkthejë fjali nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, por të përkthejë tekste nga një gjuhë në tekste të një gjuhe tjetër.Dr. Dorian Koçi midis të tjerash tha: “Ne jemi të gatshëm t’ju ofrojmë ndihmën e duhur për gjithçka që kanë nevojë administratorët publikë të institucioneve tuaja”.Në takimin që pati drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, me profesorët e shquar, kërkoi prej tyre, që përtej trajnimeve të planifikuara të vazhdojnë ndihmën profesionale për të mbështetur AZGj-në, në misionin e saj historik të dygjuhësisë në RMV. Profesorët premtuan mbështetjen e tyre të parezervë.Trajnimi i përkthyesve dhe i redaktorëve gjuhësorë në AZGj do të vazhdojë i ndarë në disa grupe për dy ditë me radhë.

News

Java e pestë e trajnimit në AZGj, trajton temën “Njohja e gjuhës dhe e terminologjisë profesionale, parakusht për përkthimin e specializuar”

 Profesorët Arta Selmani dhe Izer Maksuti janë ligjëruesit, të cilët në kuadër të trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve nga institucione të ndryshme dhe administratës publike, do të japin këtë javë leksione në auditorët e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së.Prof. dr. Arta Selimi, në lidhje me temën “Përkthimi ligjor (juridik)”, ka vendosur të përfshijë një numër të madh termash profesionale nga disa fusha të jurisprudencës.“Do të vë theksin në disa lëmi terminologjike, nga ato civile, administrative, kushtetuese, familjare, trashëgimore e deri tek ato penale e të tjera. Do të mundohem që brenda një grupi të audiencës të shpjegoj 400 terma juridikë”.Prof. dr. Izer Maksuti auditorit të përkthyesve dhe lektorëve do t’ua shpjegojë temën, “Përkthimi i teksteve të specializuara”.“Veçoritë e teksteve të specializuara nga fusha të ndryshme shkencore, do të jetë fokusi i leksionit tim. Do të ndalem në dy rrafshe, dallueshmëria ndërmjet tyre dhe si të lehtësojmë përkthimin. Përkthim do të thotë kuptim. Është pikërisht njohja e gjuhës profesionale dhe terminologjisë, si parakusht i përkthimit të specializuar”.Kontributi shtesë që jep AZGj-ja për përshpejtimin e procesit të zbatimit të dygjuhësisë në RMV, ju mundëson përkthyesve dhe lektorëve t’i njohin sa më mirë labirintet e gjuhës profesionale, për ta mundësuar zbatimin e saj sa më të qartë në praktikën e përditshmërisë.

News

QËNDRA EUROPIANE E GJUHËVE MODERNE DHE AZGJ-JA AVANCOJNË BASHKËPUNIMIN

 “Ndërtimi i edukimit shumëgjuhësh dhe ndërkulturor për demokracitë e shekullit të 21-të”. Është tema e leksioneve që Profesoresha Andrea Jang dha për përkthyesit, lektorët dhe gjuhëtarët e tjerë, të ftuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së. Profesoresha Andrea Jang është ligjëruese në Universitetin e Strasburgut në Fakultetin e Edukimit dhe mësimit gjatë gjithë jetës, ku ka një biografi të pasur në teorinë e gjuhësisë.Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, para se të fillonte aktiviteti, duke i dorëzuar zonjës Jang, një paketë me libra nga botimet studimore të AZGj-së theksoi: “Është nder dhe kënaqësi që pranuat ftesën e Agjencisë për të qenë pjesë e aktivitetit të organizuar në bashkëpunim me Qendrën Europiane të Gjuhëve Moderne në Grac të Republikës së Austrisë. Si një person që vij drejtpërdrejt nga sektori i arsimit dhe përvojës shumëvjeçare me studentët, është kënaqësi e veçantë që në ngjarjen e sotme, të trajtojmë me gjuhëtarët tanë, pikërisht temën e shumëgjuhësisë shumëkulturore në kontekstin e të sotmes”.Koordinatori i projektit, Llazo Matovski, në lidhje me bashkëpunimin e AZGj-së me QEGjM-në, informoi: “Bashkëpunimi filloi një vit më parë, kur pas një thirrjeje publike ndërkombëtare nga qendra në fjalë, një delegacion i AZGj-së e vizitoi këtë institucion, i cili funksionon në kuadër të Këshillit të Europës. Më pas AZGj-ja aplikoi me projektin e saj, projekt që ka si përmbajtje qasjet pluraliste ndaj gjuhëve dhe kulturave”. Leksionet e profesoreshës Andrea Jang, u përqendruan te konceptet, çështjet, si dhe sfidat kryesore, referuar edukimit shumëgjuhësor e ndërkulturor për kulturën demokratike.Në ligjërata përveç gjuhëtarëve të AZGj-së, morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Qendra e Edukimit Profesional, si edhe ligjërues të gjuhës nga institucione të ndryshme arsimore. Agjencia e falënderon Qendrën Europiane të Gjuhëve Moderne për bashkëpunimin e deritanishëm, duke qenë e hapur edhe për projekte të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk