Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit (Fjalë përshëndetëse e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela)

15

Të dashur miq!

Siç e dimë të gjithë, dita e sotme është një ditë e rëndësishme kombëtare për ne, sepse na e kujton diturinë, shkollën dhe, mbi të gjithë, mësuesin si shtyllën kryesore të kësaj shoqërie. Por, ndryshe nga vitet e mëparshme kur kishim të drejtë ta konsideronim si një festë të vërtetë, duke i numëruar sukseset dhe arritjet në këtë fushë, sivjet, për fat të keq, jemi të detyruar që këtë ta bëjmë vetëm për hir të vazhdimësisë dhe traditës së krijuar, për shkak se masat e pandemisë, më shumë se çdo gjë tjetër, e kanë prekur arsimin dhe shkollën, duke i detyruar mësuesit dhe nxënësit të qëndrojnë larg tempujve të dijes, duke shpjeguar e mësuar në mënyrë indirekte nëpërmjet teknologjisë. Prandaj, kjo mënyrë, aq sa është sakrificë dhe mbijetesë, po aq është edhe rekuiem dhe dhembje.

Natyrisht, Instituti i Tashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve na bën bashkë për ta shënuar këtë ditë të rëndësishme, duke u bashkëngjitur edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës dhe duke dëshmuar se ne jemi mirënjohës dhe vlerësues ndaj mësuesve. Kjo do të thotë se nuk i harrojmë ata që u japin dritë fëmijëve tanë të cilët do të jenë bartës të ardhmërisë.

Megjithatë, urimi i sivjetëm për këtë ditë është më tepër një lutje shpirtërore. Pra, le të shpresojmë dhe të urojmë që të tejkalohet sa më parë kjo situatë e pazakonshme, që mësuesit dhe nxënësit të rikthehen brenda tempujve të dijes, aty ku është vendi i tyre i natyrshëm!

Ju faleminderit!

Ju gjithashtu mund të lexoni