Java e dytë e trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve që organizon AZGJ-ja

28
Ligjërata të profesorëve Asllan Hamiti dhe Ismet Osmani
Me ligjëratat e profesorëve të gjuhës, Prof. dr. Asllan Hamiti dhe Prof. dr. Ismet Osmani, sot ka filluar java e dytë e trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve të sektorit publik, të ndarë në gjashtë grupe.
Prof. dr. Asllan Hamiti, profesor i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “Cirili dhe Metodi”, sot dhe në ditët në vijim, me pjesëmarrësit e trajnimit trajton rasat dhe frazeologjizmat në gjuhën shqipe dhe format e barasvlershme në gjuhën maqedonase.
“Ky trajnim, si çdo lloj trajnimi tjetër, është mjaft i dobishëm. Në të, përkthyesit e institucioneve të ndryshme, takohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, këmbejnë përvoja të ndërsjella. Por, nga ana tjetër, në këtë trajnim ligjërojnë profesorë eminentë në fusha të ndryshme të gjuhësisë, të cilët me njohuritë e tyre të thella teorike, u ndihmojnë pjesëmarrësve që t’i zgjidhin problemet praktike”, shprehet ai.
“Temë boshtе që trajtuam sot dhe do të trajtojmë në ditët në vijim me të gjitha grupet, është gramatika krahasuese midis shqipes dhe maqedonishtes dhe vëmendje të posaçme do t’u kushtojmë formave rasore të shqipes dhe barasvlerësve të tyre me maqedonishten. Po kështu, me rëndësi janë edhe frazeologjimat në të dyja gjuhët, sepse kanë specifikat e tyre”, shprehet ai, duke përfunduar se “Këto dy tema janë tepër të rëndësishme për punën e përkthyesve, sepse përbëjnë problemin kryesor në përkthim”.
Prof. dr. Ismet Osmani, që po ashtu është profesor i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “Cirili dhe Metodi”, në ligjëratat e tij do të trajtojë çështjen e terminologjisë, me të cilën ballafaqohen çdo ditë përkthyesit dhe lektorët.
“Temat që do t’i trajtoj janë nga fusha e ligjërimit të specializuar-terminologjia profesionale. Terminologjia përbën një nga nënsistemet e rëndësishme leksikore, që mendoj se gjatë trajtimit do të përpiqemi t’i gjejmë barasvlerësit në gjuhën shqipe, për të shmangur huazimet (vërshimet) e panevojshme nga gjuhët e huaja”, thotë Prof. dr. Ismet Osmani.
Ai mendon se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës bën një detyrë të madhe në avancimin e njohurive dhe shkathtësive të përkthyesve, të punësuar në institucionet e shtetit, në procesin shumë të rëndësishëm të përkthimit gjatë zbatimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
“Mendoj se ky trajnim do t’ua lehtësojë punën dhe mbi të gjitha do t’i motivojë përkthyesit dhe lektorët për të qenë më kreativë në fushën e përkthimit”, nënvizoi prof. I. Osmani.
Ju gjithashtu mund të lexoni