Më 6 shkurt të vitit 2019 u publikua shpallje publike për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin së Paku 20% e Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila zgjati deri më 13 shkurt të vitit 2019, me ç’rast, me Aktvendimin për zgjedhje, sjellë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 25 shkurt të vitit 2019, u zgjodh prof. dr. Ylber Sela si drejtor i parë i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës.

Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut emëroi Pleurat Ajazin dhe Armend Fazliun për ndjekjen e procedurave të nevojshme për themelimin e Agjencisë. Gjithashtu, në përbërjen fillestare, me qëllim themelimin dhe konsolidimin e Agjencisë kontribuuan edhe tre këshilltarë të jashtëm të drejtorit: prof. dr. Izer Maksuti, prof. dr. Nuri Bexheti dhe prof. dr. Ajtene Hajdari-Qamili si dhe bashkëpunëtorët Emer Mustafa, Berna Mejdiu, Lirim Shabani dhe Ariton Spahiu.

Më 11 mars të vitit 2019, në Regjistrin Qendror u dorëzua fletëparaqitje për regjistrimin e themelimit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, me çka, Aktvendimi për regjistrimin e themelimit u miratua më 13 mars të vitit 2019. Data formale e themelimit të Agjencisë është 14 janari i vitit 2019, përkatësisht dita e hyrjes në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve (“Gazeta Zyrtare e RMV-së” nr. 7/19).

Më 21 nëntor të vitit 2019 u bë ndërrimi i selisë së Agjencisë dhe e njëjta gjendet në adresën: Shëtitorja “Dimitar Vllahov” nr. 4-1, kati i 4-të, Shkup. Njëherazi,  emri i shkurtuar i Agjencisë është “Agjencia për Zbatimin e Gjuhës e RMV-së”.