FJALIMI I DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË EDICIONIN XII TË DITËVE TË ALBANOLOGJISË

2
Të nderuar miq!
Në fillim, më lejoni t’i them disa fjalë në suaza të këtij aktiviteti që ka të bëjë me albanologjinë. Është e kuptueshme se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës Shqipe në RMV, preokupim kryesor e ka gjuhën shqipe dhe zbatimin e saj praktik në institucionet shtetërore të këtij vendi.
Megjithatë, krahas kësaj, ne gjithnjë e më tepër po e zgjerojmë aktivitetin tonë edhe në aspektin shkencor, duke e trajtuar atë nëpërmjet takimeve e tubimeve shkencore që i kemi organizuar deri tani, me botimet e ndryshme shkencore që kemi bërë etj. Prandaj, edhe prania jonë në këtë rast, është vetëm një vazhdimësi për të dhënë kontributin tonë modest në trajtimin e gjuhës shqipe si çështje kryesore e shkencës së albanologjisë.
Nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjellë me institucionet anekend hapësirës shqiptare dhe më gjerë, ne kemi arritur që ta afirmojmë interesimin, rolin dhe angazhimin tonë në interes të gjuhës shqipe. Duke iu përgjigjur edhe Ditëve të Albanologjisë, aq më tepër po dëshmojmë se vendosmëria jonë është e plotë, për t’u bërë zë i përbashkët në të gjitha strategjitë e studimeve albanologjike, veçanërisht e pjesës që ka të bëjë me gjuhën shqipe.
Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një fushë shumë e gjerë, por mjafton që nëpërmjet angazhimit tonë të jemi pjesë e këtij mozaiku që mbështet, bashkëpunon, kontribuon dhe hedh dritë për gjuhën shqipe. Angazhimi i studiuesve dhe gjuhëtarëve më të spikatur shqiptarë në aktivitetet tona, konsultimet për çështje të ndryshme terminologjike, ndërtimi i strategjive për harmonizimin e terminologjisë në mbarë hapësirën shqiptare, përgatitja e doracakëve të ndryshëm gjuhësorë, përpilimi i fjalorëve etj., janë vetëm disa orientime e projekte konkrete të cilat i kemi realizuar deri tani në suaza të institucionit tonë. Por kjo veprimtari do të vazhdojë edhe më tej duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet albanologjike që të jemi në sinkroni të plotë për sa i përket trajtimit dhe studimit të gjuhës shqipe.
Pa dashur që ta zgjas më tepër, në fund dua të theksoj se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës Shqipe po ndjek rrugën e një partneriteti strategjik në studimet albanologjike, përkatësisht atyre gjuhësore. Në këtë kuptim ne përpiqemi që me punën dhe angazhdimin tonë ta ngremë atë në nivelin e lakmueshëm, duke hapur rrugë të gjera bashkëpunimi e shkëmbimi shkencor. Këtu duhet theksuar se vëmendja jonë ndaj institucioneve të tjera është e madhe, por është me interes që edhe vëmendja e të tjerëve të jetë e njëjtë ndaj nesh. Duke qenë pranë njëri-tjetrit për interesat e gjuhës shqipe, ne do t’i përmbushim detyrimet tona shkencore, por edhe ato kombëtare.
Ju faleminderit!
Ju gjithashtu mund të lexoni