Fjalë rasti e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në promovimin e dy librave të Ramiz Abdylit

6
Të nderuar miq!
10 Qershori ose Dita e Lidhjes së Prizrenit, pa dyshim, është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Prandaj është e kuptueshme se edhe shënimi i saj medoemos paraqet një detyrim kombëtar për faktin se duhet të jemi mirënjohës ndaj atyre që i hodhën themelet e shtetit, kombit dhe gjuhës, të përulemi para sakrificës së tyre për ideale të shtrenjta kombëtare dhe, veçanërisht, ta vazhdojmë rrugën e tyre në aspektin ndihmesës kombëtare në të gjitha format e mundshme.
Po ashtu, edhe dy librat që i promovojmë sot, “Shkupi në Lidhjen e Prizrenit” dhe “Veprimtaria e Klubit të Shkupit” të autorit Ramiz Abdyli, janë një formë e veçantë për ta shënuar këtë datë. Me anë të tyre hidhet dritë e mjaftueshme për të kuptuar qartë se shqiptarët e kësaj qendre, siç ishte Shkupi, nuk qëndruan fare indiferentë ndaj ngjarjeve të kohës, por u bënë pjesë aktive e tyre duke dhënë kontributin kombëtar, politik, shoqëror, kulturor, arsimor etj. Duke qenë se ne, brezat e sotëm që jetojmë dhe veprojmë në Shkup, jemi një vazhdimësi e kësaj kauze, aq më tepër na bën të ndihemi krenarë.
Në këtë kontekst dua të theksoj se Lidhja e Prizrenit ishte organizata më largpamëse dhe më strategjike shqiptare e cila e ndërtoi vetëdijen mbarëkëmbëtare për shtetin, kombin dhe gjuhën. Në përputhje me këtë frymë, edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, të cilën më ra fati që ta udhëheq unë, vazhdon të punojë me përkushtim që gjuha shqipe të zbatohet në institucionet shtetërore, duke përmbushur amanetin e pararendësve tanë që vepruan në kuadër të Lidhjes së Prizrenit. Pa ruajtjen dhe pa kultivimin e gjuhës shqipe, nuk do të kemi as komb. Prandaj do të bëjmë çmos që ta vazhdojmë misionin tonë me ndërgjegje e përgjegjësi të plotë.
Uroj që librat e këtillë të shërbejnë si një dritë udhëzuese për brezat e sotëm, për të kuptuar dhe për të punuar për kauzën kombëtare.
Ju faleminderit!
Ju gjithashtu mund të lexoni