FJALA PËRSHËNDETËSE E DREJTORIT TË AZGJ-së, YLBER SELA NË PROMOVIMIN E LIBRAVE TË SHABAN MURATIT

1
Të nderuar miq!
Jam shumë i nderuar t’ju përshëndes të gjithë juve, miq të ambasadorit Shaban Murati, dashamirësve të librit e të kulturës. Fillimisht dëshiroj të theksoj faktin se kënaqësia është e dyfishtë kur si shkas për këtë po bëhet pikërisht diplomati i karrierës dhe ambasadori Shaban Murati, me dy librat e tij “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” dhe “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, dy libra të cilat trajtojnë pikat më nevralgjike të shqiptarëve në raportet ndërkombëtare.
Duke qenë se ambasadori Shaban Murati ka një përvojë të gjatë diplomatike, si një njohës i thellë i këtyre problemeve, në dy librat e tij ai shkruan në mënyrë shumë empirike, duke e mbështetur çdo gjë në fakte, situata konkrete, në kontekste e raporte të cilat ende janë të freskëta dhe ende vazhdojnë të trazojnë marrëdhëniet tona me fqinjët. Nga kjo pikëpamje librat e ambasadorit Shaban Murati lëshojnë një alarm të fuqishëm për shtetet shqiptare, për elitat politike të cilat i udhëheqin shtetet tona, që të ndërgjegjësohen dhe të aktivizohen me gjithë potencialin dhe kapacitetin e tyre institucional, intelelektual dhe diplomatik, në mënyrë që ta mbrojnë qenien kombëtare, përkatësisht territorin tonë ndaj të cilit pretendojnë fqinjët. Detyrimisht kjo është një çështje shumë e ndijshme dhe e brishtë, prandaj duhet angazhim serioz, guxim dhe vizion i plotë. Mendoj se të gjitha këto na i ofrojnë librat e ambasadorit Sh. Murati, bëhen udhëzues konstruktiv dhe real për t’i kapërcyer me dinjitet e maturi. Në të vërtetë, leximi i këtyre librave na kthen në qenien tonë për t’u ndjerë shqiptarë dhe për ta mbrojtur veten nga çdo pretendim agresiv ose keqpërdorim i mundshëm.
Pa dashur që ta zgjas më tepër, uroj që librat e mikut tonë ta gjejnë udhën e tyre te lexuesit, sidomos tek elitat shtetërore të cilat duhet t’i mbajnë si doracak të domosdoshëm nëpër zyrat e tyre për të kuptuar gjendjen dhe mundësinë tonë në fushën e diplomacisë.
Ju faleminderit!
Ju gjithashtu mund të lexoni