AZGJ-ja dhe MSPMB-ja ndanë certifikata për 65 pjesëmarrësit në trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të institucioneve publike

32
Sot Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGJ) dhe Ministria e Sistemit Politik dhe e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive (MSPMB) ndanë certifikata për 65 pjesëmarrësit që morën pjesë në trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të institucioneve që u mbajt nga 6 maji deri më 7 korrik të këtij viti.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së dhe ministri i Sistemit Politik dhe i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministrja e Arsimit dhe e Shkencës, Mila Carovska dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
“Gjuha dhe e drejta për ta përdorur është një nga katër shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit”, tha midis tjerash zëvendëskryeministri Artan Grubi, në fjalën e tij të rastit, duke shtuar se prej kësaj marrëveshje askush nuk humbi, porse kanë fituan qytetarët dhe shteti.
Sipas tij, gjuha u bë pjesë normative e Kushtetutës vetëm nëpërmjet Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe zgjati dy dekada deri në përmbylljen e avancimit të përdorimit në institucionet publike, duke shtuar se me këtë qytetarët bëhen më besnikë ndaj shtetit dhe anasjelltas.
“Unë e përsëris gjithnjë, sa më besnik të jetë shteti ndaj një komuniteti, aq ai komunitet është besnik ndaj shtetit. Dhe sot ne shqiptarët, edhe qytetarët e tjerë, jemi më besnikë ndaj shtetit”, shtoi Grubi.
Grubi theksoi se Ligji i Përdorimit të Gjuhëve nuk rregullon vetëm përdorimin e gjuhës shqipe, por jep mundësi të përdorimit edhe të gjuhëve të komuniteteve të tjera në komunat ku përbëjnë më shumë se 20 për qind, dhe se përfitues nuk janë vetëm maqedonasit dhe shqiptarët.
Ministrja e Arsimit dhe e Shkencës, Mila Carovska, në fjalën e saj përshëndetëse u ndal te reformat në arsimin fillor, që krijojnë mundësi që të gjithë të mësojnë gjuhën e vet, por njëkohësisht edhe të njihen edhe me gjuhën dhe kulturën e tjetrit. Duke iu drejtuar përkthyesve dhe lektorëve që sot morën certifikatat, ajo ua bëri me dije se përgjegjësia për librat shkollorë për klasat e ulëta do të bie mbi ta.
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela i ndau ABC-në zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubit, për kontributin e tij dhe të Qeverisë në krijimin e kushteve hapësinore dhe të punës. Ai në fjalën e tij të rastit, u apeloi institucioneve shtetërore e arsimore, para së gjithash Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe tri universiteteve (Kirili e Metodi, UEJL-së dhe UT-së) që të nxisin profesionalizmin e kuadrove të nevojshme për zbatimin e gjuhëve në administratë, duke dhënë bursa, kurse edhe kësaj radhe e përsëriti nevojën që përkthyesve t’u rritet statusi nga punëtorë administrativë, në punëtorë profesionalë, duke pasur parasysh natyrën e punës dhe përgjegjësinë e madhe që kanë.
Ky aktivitet i mbajt në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Në trajnimin e sivjetmë morën pjesë 65 përkthyes e lektorë nga 31 institucione dhe morën pjesë 15 profesorë nga Maqedonia e Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës.
Ju gjithashtu mund të lexoni